MENU
klinika

Mesfushori i jep lamtumirën Realit

Chelsea zyrtarizon blerjen e Kovacic!

01.07.2019 - 21:25

Mateo Kovacic është zyrtarisht një futbollist i Chelsea-t.

Blutë e Londrës ndryshe nga çfarë bënë me Gonzalo Higuain kanë vendosur të aplikojnë të drejtën e blerjes që kishin për mesfushorin kroat i cili sezonin e kaluar luajti si i huazuar te Chelsea nga Reali i Madridit.

Në arkat e klubit mbretëror kanë shkuar plot 45 milionë euro ndërsa Kovacic mbyll merkaton e Chelsea-t pasi Blutë e Londrës janë të dënuar nga FIFA dhe nuk mund të veprojnë në dy sesionet e ardhshme.

Megjithatë Chelsea ka blerë në janar Christian Pulisic nga Borussia e Dortmundit dhe e kanë lënë në huazim te verdhezinjtë deri në verë, por tashmë amerikani do të bashkohet me blutë për të zëvendësuar të larguarin Eden Hazard.

Ndërkohë si një përforcim i ri mund të konsiderohet edhe rikthimi nga huazimi i sulmuesit të talentuar Abraham i cili bëri një sezon të shkëlqyer me Aston Villan në Championship duke shënuar mbi 20 gola.

Vetë Mateo Kovacic u shpreh shumë i lumtur që është përfundimisht pjesë e Chelsea-t ndërsa firmosi për 5 vite deri në vitin 2024 me skuadrën që shumë pritet të drejtohet nga ish-legjendë e bluve si Frank Lampard.

“E shijova sezonin tim si i huazuar tek Çelsi, dhe ndihem shumë rehat tek ky klub, si edhe në Londër. Jam i lumtur që erdha përfundimisht këtu. Patëm një vit të suksesshëm, duke fituar Europa League, ndërsa shpresoj që të jap një kontribut të madh edhe në sezonet në vijim”, u shpreh mesfushori kroat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkatërron Arsenalin

Chelsea kampion i Europa League!