MENU
klinika

E zbulojnë mediat pranë Barçës

Coutinho pranë largimit, pranon ofertën e…

03.07.2019 - 21:09

Neymar ka rrëmbyer “skenën” e merkatos së kësaj vere, edhe pse duket e vështirë të thuhet se sa të vërteta ka në ato që thuhen e shkruhen.

Megjithatë, emri i tij lakohet te Barcelona, si një rikthim i mundshëm në “Camp Nou”. Katalanasja “Sport” është ndalur sot edhe mbi një brazilian tjetër, që mund të ndjekë itinerarin e kundërt me atë që përflitet për sulmuesin e PSG.

Më konkretisht, Philippe Coutinho i ka thënë “po” transferimit në kryeqytetin francez.

Realiteti dhe gjendja aktuale janë shumë të qarta: mundësia e vetme që Barcelona të “riatdhesojë” Neymar (ndër kushtet e tjera) është zvogëlimi i shumës së parave për të. Kjo gjë nënkupton përfshirjen e lojtarëve të tjerë në operacion. Nëse ylli nga Sao Paulo mbërrin në “Camp Nou”, me siguri do të ngushtohej çdo hapësirë aktivizimi për Coutinho.

Është e qartë se për të dy nuk do të kishte vend në formacionin e Valverde, edhe pse në kombëtaren braziliane, sa herë kanë qenë në dispozicion, ata kanë qenë pjesë e 11-shes së trajnerit Tite. Coutinho duke luajtur më shumë si mesfushor, ndërsa Neymar më i angazhuar në ofensivë. Gjithsesi, vendosja taktike në fushë e Barçës nuk ka të bëjë me atë “canarinha”.

Coutinho, i përqendruar me kombëtaren e tij në “Copa América”, duket se ka rënë dakord të ndryshojë mjedis dhe të mbrojnë fanellën e PSG nga sezoni i ardhshëm. Përfaqësuesi i tij ka negociuar shkuarjen në kryeqytetin francez, direkt me Leonardo.

Operacioni është ekonomikisht i qëndrueshëm dhe i pranueshëm për PSG-në, që nuk ka probleme të “fair play financiar”. Coutinho përfiton si pagë më pak se gjysmën e asaj të Neymar.

Të gjitha palët e kanë “pjekur” këtë lëvizje në mënyrë diskrete, sepse nuk duan që ajo të ndikojë në përqendrimin e lojtarit në “Copa America”. Në mënyrë që Neymar të përfundojë në “Camp Nou”, Barça do të duhet të kontribuojë me një futbollist tjetër në tavolinë.

Është spekuluar se Rakitiç është zgjedhur nga PSG dhe që nga dje, kroati ndodhet në kryeqytetin francez.