MENU
klinika

"Leonardo - Opera Omnia"

Da Vinçi pak ditë në Tiranë!

24.07.2019 - 13:53

Studiuesit, studentët dhe të gjithë dashamirësit e artit të Rilindjes, do të mund të vizitojnë pikturat gjeniale të Leonardo Da Vinçit. Në 500-vjetorin e ndarjes nga jeta e Da Vinci-t, 17 vepra të riprodhuara në cilësi të lartë, janë të ekspozuara në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Një herë në jetë, çdo artdashës duhet ta shohë “Darkën e fundit” të Da Vinçit. Vepra madhështore e artistit, ndonëse ka qenë përherë më e vizituara në Itali, e konsideruar edhe si një ndër ikonat më të rëndësishme të Rilindjes, vazhdon ende që të mahnitë me madhështinë e saj. Krah “Darkës së fundit” në Muzeun Historik Kombëtar vizitorët do të mund të shikojnë riprodhimet e 17 veprave të njohura të Leonardo Da Vinçit, mes të cilave “Mona Lisa”, “Gruaja me fëmijë”, “Hermine”, “Virgjëresha e shkëmbinjve”, si edhe shumë të tjera, që vijnë në nderim të 500-vjetorit të piktorit italian.

 

 

 

 

“Është një ekspozitë me vlera edukative dhe le të themi, edhe estetike dhe vizuale, shumë të forta. Sepse është shumë e vështirë të mund t’i shohësh të gjitha veprat e e Leonardos së bashku, pasi ato janë të shpërndara në 17 muze të ndryshëm. Ndaj, zgjedhja për të ardhur në Tiranë dhe për të sjellë veprën e plotë, është një mundësi për publikun shumë të vëmendshëm shqiptar, që të mund t’i shohë nga afër, sepse këtu qëndron bukuria e është kësaj ekspozite. Që t’i mund t’i afrohesh veprave dhe t’i vëzhgosh deri në detajet më të vogla. Diçka të tillë me veprat origjinale nuk mund a bësh. Le të mendojmë për Xhokondën në Louvre, duhet t’i qëndrosh shumë larg, ndërsa në këtë rast mund t’i afrohesh, sepse falë digjitalizimit me rezolucion shumë të lartë mund të shikohen edhe imtësirat. Është kjo e veçanta e kësaj ekspozite. Kështu që pse jo edhe në Shqipëri? Janë të shumtë shqiptarët që njohin edhe e duan prodhimin artistik italian. Rilindja italiane mendoj se është pjesë edhe e kulturës së këtij vendi”, – shprehet për mediet Alessandra Bertini Malgarini, drejtore e Institutit Italian të Kulturës, në Tiranë.

Veprat e Da Vinçit hetojnë njerëzoren, atë që mund ta bëjë njeriun më të mirë në jetë. Prandaj, vlerat edukative nëpërmjet figurës së tij, si piktor, muzikant, apo edhe inxhinier prezantohen nëpërmjet kësaj ekspozite.

 

 

 

 

 

 

“Mendoj se fillimisht në qendër është figura e Leonardos, ai ka qenë një gjeni, një piktor, një muzikant. Ka përfaqësuar realisht Rilindjen italiane në të gjithë madhështinë e saj. Përsa i përket aspektit edukativ, unë mendoj se përcillet nga fakti se veprat, mund të kuptohen më mirë. Neve kemi krijuar idenë se muzeu është një vend i largët nga ne, një vend ku nuk mund t’u afrohemi më shumë se ç’duhet veprave, të tregohemi të kujdesshëm që të mos bëjmë asgjë që nuk duhet, sepse çdo gjë mund të ndodhë. Dhe mund të ndodhë që të shkatërrohet një vepër, që s’mund të riparohet më. Kështu që, le të përqendrohemi veçanërisht tek aspekti edukativ, se kjo është ideja e kësaj ekspozite. Dëshira për të afruar publikun e çdo brezi me këto vepra arti. Por punimet janë riprodhuar në mënyrë të atillë, që të mos humbasin vetë karakteristikat e veprës. Këtu kemi “Darkën e fundit” dhe unë sfidoj këdo që të shkojë në Milano dhe t’i afrohet origjinales kaq shumë edhe në një farë mënyre, ta përjetojë veprën Dhe besoj se është ky mesazhi parësor që kjo ekspozitë jep në aspektin edukativ: të afrohet me veprat e artit në një mënyrë ndryshe, më personale”, – ka theksuar Bertini.

Arsyeja që kjo ekspozitë po bën xhiron e botës gjatë këtij viti, është, sepse Da Vinci ka 500-vjetorin e vdekjes.

“Kemi një arsye shumë të fortë për prezantimin e kësaj ekspozite, është 500-vjetori i Da Vinçit, por kjo ekspozitë po lëviz në të gjithë botën. Ne vijmë nga Polonia dhe pas Shqipërisë do të shkojmë në Algjeri, mandej në Afrikën Qëndrore. Është prezantuar në Azi, në Tokio, një ndalesë mund të bëhet edhe në Indi, kështu që ideja është që në këtë 500-vjetor të kujtojmë gjeniun e madh italian”, – është shprehur ajo.

Ekspozita “Leonardo – Opera Omnia” e kuruar nga historiani i artit professor Antonio Paoluçi dhe e prodhuar nga RAICom, ka udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Inxhinieri italian Luca Gismondi, i cili është një nga anëtarët e stafit realizues, që ka montuar për orë të tërë dritat e këtyre riprodhimeve, të stampuara në kanavacë rrëfen eksperiencën e tij

 

 

 

 

 

 

“Kjo është një ekspozitë që ka lindur si bashkëpunim me Rai.com, ministria edhe ambasada, e konsullata shumë të rëndësishme në të gjithë botën, mbajtur me rastin e 500-vjetorit e lindjes së Leonardos. Për këtë ekspozitë kemi përdorur teknikën e riprodhimit duke përdorur si metodat digjitale ashtu edhe ato analoge, në varësi asaj që na jepte rezultatin më të mirë për një ngjashmëri të madhe me origjinalen. Qëllimi i kësaj ekspozitë është që t’i jepet mundësia të gjithë spektatorëve, për ta vlerësuar në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, madje edhe duke u afruar me të, thuajse derisa ti prekësh, veprat e Leonardos. Që ka qenë një artist shumë dimensional, arkitekt muzikant, piktor, shkencëtar etj. Kjo ka qenë një eksperiencë shuam interesante sepse i kemi shpënë këto vepra në Afrikë, Poloni, tani në Shqipëri e mandej dot udhëtoj në Algjeri. Të lejon t’i shikosh të gjitha njëherazi. Unë e kam provuar disa herë të shkoja për të parë “Darkën e fundit”, por nuk ia kam dalë për shkak të prenotimeve të mëdha dhe për më tepër, nuk mund të shihen kaq nga afër. Nëse shkoni në Louvër për të parë “Xhokondën”, ka një sërë masash sigurie. Një mur i qelqtë përpara saj dhe nuk të lejon të kesh një afërsi të tillë, si me këto vepra. E vërtetë, këto nuk janë origjinalet, por është edhe avantazh se në rast dëmtimi, nuk i shkaktojmë probleme një vepre të pazëvendësueshme”, – shprehet Luca Gismondi.

Falë përdorimit të teknikave digjitale të sofistikuara dhe përdorimit të mençur të dritave, vizitori vendoset virtualisht përpara veprës origjinale, duke përjetuar përvojën emocionale që përjetimi i kryeveprave të mëdha shkakton.

 

 

 

 

 

“Jam shumë i lumtur që në Muzeun Historik Kombëtar, është ekspozuar vepra e plotë e Leonardos. Një ekspozitë inovative që riprodhon të 17-ta pikturat e realizuara nga gjeniu i madh fiorentias. Natyrisht jo origjinalet, por ndoshta edhe më të mira se origjinalet, sepse janë kopje natyrale të digjitalizuara, që të lejojnë ta shikosh punën nga afër, pa u dashur të presësh në radhë, apo të jesh i vëmendshëm ndaj shumë masave të sigurisë që merren për të mbrojtur këto vepra në muzetë ku ekspozohen. Për më tepër, të të jepet një mundësi e tillë që në një rast si ky, të mund t’i shikosh të gjitha, pa qenë nevoja të shëtisësh në të gjithë Evropën. Në 500-vjetorin e vdekjes së Leonardos, menduam se do të ishte me vend që edhe Tirana të bëhej pjesë e këtij homazhi, që shoqërohet me ngjarje artistike në të gjithë botën. Kështu që kjo ekspozitë, në hapësirat e këtij muzeu ishte mënyra më e mirë për të kujtuar gjeniun e madh. Kështu, uroj që të gjithë qytetarët e Tiranës, së bashku me turistët, të vijnë ta vizitojnë në 15 ditët e ardhshme”, – thotë Alberto Cutillo, ambasador i Italisë në Tiranë.

Riprodhimet e stampuara në kanavacë në shkallë reale dhe me rezolucion shumë të lartë të kryeveprave të Leonardos, ruhen në 11 prej muzeve më të rëndësishëm në botë. Ekspozita do të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar, deri më 10 gusht.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Miti modern i Da Vinçit

500 evente për 5 shekujt