Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2019, në Poznan të Polonisë.
Denaj foli për arritjet e Shqipërisë në fushën e ekonomisë, kryesisht në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
“ Investimet e huaja direkte arritën shifrën e 285 milionë eurove, më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar” u shpreh ajo ndër të tjera.
Gjatë këtij takimi të ministrave të Ekonomisë u diskutua mbi klimën e të bërit biznes, si dhe iu bë një pasqyrë e programit shumëvjeçar të akteve ekonomike në rajon.
“Është tregtia, investimet, është zhvillimi digjital ose ekonomia digjitale dhe jo më pak, por shumë e rëndësishme infrastruktura fizike, por jo vetëm e konsideruar në rrugë, por edhe infrastruktura sidomos e energjisë dhe e energjisë së pastër. Shumë investitorë janë duke folur sot për energjinë e rinovueshme dhe shndërrimin e qyteteve tona në ‘Qytete të Gjelbra” nënvizoi Ministrja.
“Besojmë që vizioni i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt zhvillimeve ekonomike dhe infrastrukturës do sjellin investitorë të huaj për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për vende të veçanta specifikisht” theksoi Denaj.