MENU

Ndryshimet e propozuara në ligj

Dhuna në KZAZ/ Çfarë do të ndodhë me administratën shtetërore?

10.07.2019 - 08:51

Pas njoftimin të ditës së djeshme nga zv./Kryeministri Erion Braçe lidhur me sanksionet që do të ndërmerren përkundrejt punonjësve të administratës shtetërore që janë përfshirë në trazirat për pengimin e 30 qershorit, pati edhe reagime mbi të cilat u ra dakord edhe për ndryshime ligjore për “Shërbimin Civil”.

Gjatë raportimit vjetor për Departamentin e Administratës Publike për vitin 2018. Braçe deklaroi se do të nisë plotësimi i dosjeve për secilin punonjës, bazuar në performancën e tyre dhe jo në ngjyrimet politike që ai përfaqëson.

Ai u shpreh se do merren masa edhe ndaj punonjësve që janë përfshirë në këto 30 ditë, jo vetëm në fushatë elektorale, por edhe ndaj atyre që u përfshinë në akte të dhunshme, në ambientet publike të kthyera në KZAZ në bashkitë e djathta në vend.

Por, përsa i përket kësaj pike të raportit pati edhe një diskutim të gjatë ndërmjet anëtarëve, prej ku Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, shtroi idenë se duhet të bëhen ndryshime ligjore në ligjin për “Shërbimin Civil” ku, sipas tij, duhet të sanksionohet se personi që largon punonjës nga puna pa të drejtë, të paguajë dëmshpërblimet financiare në mënyrë që barra e vendimeve gjyqësore të mos të bjerë më mbi buxhetin e shtetit.

Këtë ide të Ulsi Manjës e mbështetën edhe deputetët e tjerë dhe pritet të shihet nëse do të konkretizohet në nismë ligjore në ditët në vijim.

Braçe, i cili ka në fushën e administrimit edhe Administratën Publike, ngriti disa shqetësime në mënyrën e funksionimit të saj duke theksuar se ka ende punonjës që në orën 08:00 nuk shkojnë në zyrë të hapin kompjuterin, por shkojnë në kafe.