MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Dini gjë çfarë duhet bërë me këtë klasë politike?

13.07.2019 - 11:49

 -A mund të më jepni një konsideratë për këtë plakun e vjetër komunist? -pyeta Senatorin e vjetër Andreotti. Ishte më shumë kuriozitet, a bisedë tavoline, se pyetje normale interviste.

Kurioziteti buronte nga një arsye thjesht pragmatike. Brenda oborrit të PD-së së 91-shit, e kuptova shumë qartë pas tre a katër ditësh, se do të kalonim ende shumë kohë në një komunizëm të pangjyrë, pavarësisht se çfarë emri kishim zgjedhur për të ecur përpara. Oborri i PD-së kishte me shumicë nga ata që  komunisti i vjetër Musaraj shkruante në ato bejtet e njohura të kohës së luftës…se kishin kuptuar të parët që kishte ngordhur kali dhe po vraponin t’i hiqnin patkonjtë.

-Shiko Shpëtim, -u përgjigj Senatori i vjetër, nga i cili zor të merrje ndonjëherë përgjigje të drejpërdrejtë, –një bankë mund ta bësh për njëzetë e katër orë, bile dhe një Parlament, por një klasë politike jo. Duhet kohë për ta bërë.

Dhe hodhi vështrimin tutje, siç e kishte zakon. Mendova se kishte inatin me ca të tjerë, për faktin se ai dhe partia e tij që kishte udhëhequr për gati gjysëm shekulli Italinë, u zhduk si me magji.

Në një farë mase, historia duket se i dha të drejtë. Ata që erdhën pas, nuk e arritën kurrë shkëlqimin që Andreotti, apo klasa e vjetër politike e kohës së tij i dhanë Italisë. Plaku legjendar, Kuca, që Andreotti e quante të racës sonë dhe që e udhëhoqi vendin fqinj bashkë me senatorin e vjetër për gati gjysmë shekulli, në ditarin e tij shkruante për personazhe sharlatanë që erdhën më pastaj në skenë….

Përgjigja e tij më ka mbetur kohë të tëra në mend, megjithëse krahasimet çalojnë si gjithnjë. Përmbysja e sistemit tek ne, megjithëse u bë në formë të butë, e kërkonte me domosdoshmëri edhe përzënien e komunistëve të vjetër.

Për t’i rënë penxheres, të dëgjojë dera …

Pse duhet hequr qafe kjo klasë politike e sotme? Dhe çfarë do të përjetojmë pas saj nëse e heqim qafe? Mbeturina të ricikluara të politikanëve të vjetër?

Çfarë zgjidhi këto tridhjetë vjet kjo klasë politike? Problemin e pronave?

Përgjigjia është tërësisht negative. Në historinë e saj, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më keq këtë histori. Në Strasburg do jemi pagatorë, për shumë e shumë kohë…

Mos rregulloi territorin, apo ujërat?

Edhe ato janë më keq se kurrë. Megjithse këto tridhjetë vjet të tranzicionit në Shqipëri në mënyrë formale me bankë kanë hyrë rreth 40 miliardë euro dhe ca më shumë se kaq në mënyrë informale, punët me territorrin janë më keq se kurrë. Kur vërtet të vihet rregulli dhe të paguajmë taksat e ujit dhe energjisë kudo, do të kuptojmë se shumica e shtëpive duhen prishur, sepse vetëm kostot e mësipërme do të jenë lemeritëse. Duke na kujtuar Mithat Frashërin që thosh se një fshat ndërtohet vetëm kur janë mbi 250 shtëpi se ndryshe nuk del rentabël..

Mos rregulluam ujërat, apo pyjet?

Ujërat i bëmë pis dhe pyjet i shkatërruam me themel. Tokën e punuar, e copëtuam, e prishëm dhe e vumë nën pushtetin e erozionit.

Mos vumë në rregull arsimin profesional?

Ai është shumë më keq se në kohën e Zogut dhe bile më keq se në kohën e Hoxhës.

Po për çfarë na duhet akoma kjo klasë politike?

Frika normale është e një tranzicioni të shpëlarë, ku qeveritë do të ndërrohen si “mbreti-gratë”. Ku ato që nuk tha Andreotti, do të jenë shumë herë më të zeza për Shqipërinë, që ndryshe  nga Italia e tij, është edhe pa tradita administrative.

Mundet, që e keqja të jetë më e madhe, nëse llogarit se administrata e prodhuar  këto kohë është sa e politizuar, aq dhe në shumicë e profilizuar në universitete pa vlerë dhe do të rrijë e të vështrojë shumë kohë mërzinë e shoqërisë, duke u mbështetur pas asaj që e quajmë “status të nëpunësit civil”

Dhe, a mund të mbajmë shpresë se gjatë këtyre tridhjetë vjetëve kemi krijuar klasë të mesme apo të pasur, që mund të quhen realisht të tilla? Mund të rendisësh një sërë tmerresh deri sa të përballesh me pyetjen?

 Dini gjë ç’të bëjmë me këtë klasë politike?

Çështja është shumë e komplikuar, dhe përgjigjja shumë më e komplikuar se ajo që më dha Andreotti.

Duke mos pasur kulturën e shtetarit, nuk i jap dot përgjigje pyetjes. Për lexuesin e Konicës po rishkruaj edhe njëherë një pjesë të letrës që i dërgova Kadaresë në 1993-in, kohë kur filloi edhe ai që e quajmë ‘përparimi i sotëm…’

5 shkurt 1993, Sarbryken

Zoti Ismail Kadare,

Në një takim të rastit me ju në Paris, verën e vitit kaluar,…, unë ju thashë se për Shqipërinë tonë situata është njëlloj si të “Viti i mbrapshtë”. Këtë gjë ju do ta keni konstatuar më qartë, se disa ditë më vonë ishit vetë atje. E keqja është se kjo tragjedi po luhet pa heronjtë e Shestan Verdhës. E nëse kërcënimet me armë, hordhitë e ushtrive mungojnë, një tregti e çuditshme si ajo e spanjollëve me indianët po lulëzon.

Kjo do të thotë se dhe qeveria më e mirë në botë të vijë në Shqipëri, pas disa vjetësh do t’i duhet dhjetëfishi i parave për të meremetuar diçka. Nëse do të flisja me gjuhën e librave tuaj, intelektualët, edhe ata më të ndershmit, për arsye të luftës për ekzistencë, janë në pozitën e atij personazhit tuaj që u gjet në një skaj me grykë të vetëçjerrë, pasi ishte munduar tërë natën për të bërë vjershën. Për të tjerët, lufta majtas e djathtas për të formuar partira e ka shndërruar shtypin në një tribunë, të cilën mileti e lexon me kënaqësinë që jep komenti për kampionatin e futobollit.

E me një fjalë, nëse do të krahasoja kohën e Shestan Verdhës me të tanishmen, do të perifrazoja një nga ustallarët e dialektikës në lidhje me një histori e cila shndërrohet në farsë.

Nganjëherë, mendoja se këto janë vështirësi që do të eliminohen nga zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike, ndjenja patriotike, etj., që do të ndihmojnë procesin e ringjalljes, po kjo më duket përsëri e pamundur. Nuk ekzsitojnë më ato kondita, ku edhe thirrjet më të pastra nacionaliste të venë në veshët e njeriut. Duket se interesi personal, për të cilin flet xha Gobseku i Balzakut, është vërtet e vetmja ndjenjë reale. Nga ana tjetër, për të konstatuar tablonë e breznisë së Hankonatëve (për mua, bashkë me “Vitin i mbrapshtë”, janë librat tuaj më të mirë) në një Shqipëri të hapur, ku fryjnë të tëra erërat e Evropës, kjo është e pamundur.

Asnjë lloj ndjenje nuk mund ta ribëjë Shqipërinë. Ju e dini më mirë se unë, se kjo është luftë që nuk e bëjnë armët, por një lloj tjetër lufte, që i bën njerëzit të marrin arratinë sa më parë nga vendi që quhet Shqipëri.

Po të përgjigjesha pa u menduar dhe drejtpërdrejt do të thosha: Mbyllini në një thes dhe hidhini në det!

Po pasi të mendohem pak them. Lërini deri në tetor. Mbase po të ulen në gjunjë para Europës bashkë të majtë e të djathtë, e të luten të na pranojnë atje, ndoshta lajnë të një të njëmijtën e fajit… Pastaj bëni vërtet cfarë të doni me ta!