Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” kanë publikuar informacionin në lidhje me vendin e furnizimit të shërbimeve.
Bazuar në dispozita të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në kuptim të përgjithshëm, vendi i furnizimit të shërbimeve është në Shqipëri nëse:
1) Shërbimi është marrë nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë dhe ka në Shqipëri selinë e veprimtarisë të tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme, për të cilën janë kryer shërbimet, ose në mungesë të tyre, banesën ose rezidencën e zakonshme;
2) Shërbimi është marrë nga një person i pa-tatueshëm dhe furnizuesi i shërbimit, person i tatueshëm ka në Shqipëri selinë e veprimtarisë së tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme, nga e cila janë ofruar shërbimet ose në mungesë të tyre, banesën ose rezidencën e zakonshme.
Nocioni i personave të tatueshëm
Në furnizimin e shërbimit, është e rëndësishme cilësia e marrësit të shërbimit, për përcaktimin e vendit të furnizimit të shërbimit dhe për pasojë përcaktimin e vendit të tatimit. Për sa i përket rregullave të përcaktimit të vendit të furnizimit të shërbimit, duhet të konsiderohen gjithashtu si persona të tatueshëm:
a) Persona të tatueshëm pjesërisht, d.m.th. kur realizon veprimtari të përzier, të tatueshme dhe të përjashtuar nga TVSH-ja;
b) Persona juridikë të pa-tatueshëm dhe të identifikuar me TVSH;
c)Persona të tatueshëm jo tatimpagues të TVSH-së. Nocioni i selisë ekonomike dhe vendndodhjes së qëndrueshme
Përkufizimi i selisë ekonomike
Për qëllime të TVSH-së, vendi i selisë së veprimtarisë ekonomike të një personi të tatueshëm, që konsiderohet si selia statutore e shoqërisë, është vendi i administratës qendrore, ku mblidhen drejtuesit e shoqërisë, si dhe vendi, që zakonisht është i njëjti, ku vendoset për politikën e përgjithshme të kësaj shoqërie.
Përkufizimi i vendndodhjes së qëndrueshme
Një vendndodhje e qëndrueshme karakterizohet nga një shkallë e mjaftueshme qëndrueshmërie dhe një strukturë e aftë si nga personeli, ashtu dhe nga pajisjet teknike, e cila bën të mundur ose furnizimin e shërbimit nga kjo vendndodhje, ose përdorimin nga kjo vendndodhje të shërbimeve që i janë furnizuar.
Nocioni i banesës dhe rezidencës së zakonshme
Vendi i banesës së një personi fizik, i tatueshëm apo i pa-tatueshëm, është në fakt ai që rezulton nga adresa e deklaruar në administratën tatimore nëse e ka deklaruar. Vendi i furnizimit të shërbimeve kundrejt një personi të tatueshëm që vepron si i tillë Vendi i furnizimit të shërbimeve është në Shqipëri, kur marrësi i shërbimit është një person i tatueshëm që vepron si i tillë dhe ka në Shqipëri, selinë e veprimtarisë së tij ekonomike apo një vendndodhje të qëndrueshme, për të cilën janë kryer shërbimet ose në mungesë të tyre, ka banesën ose rezidencën e zakonshme.
Përndryshe, vendi i furnizimit të shërbimit nuk ndodhet në Shqipëri, kur marrësi i shërbimit është një person i tatueshëm që vepron si i tillë në një vend jashtë Republikës së Shqipërisë, pra marrësi nuk është i vendosur në Shqipëri.
Kur shërbimi kryhet ndërmjet dy personave të tatueshëm, ku personi i tatueshëm furnizues është jashtë Shqipërisë dhe personi i tatueshëm marrës i shërbimit në Shqipëri, vendi i furnizimit të shërbimit është në Shqipëri, sepse aty është vendosur marrësi i shërbimit.
Kur shërbimi kryhet ndërmjet dy personave të tatueshëm, ku personi i tatueshëm furnizues është në Shqipëri dhe personi i tatueshëm marrës i shërbimit jashtë Shqipërisë, vendi i furnizimit të shërbimit nuk është në Shqipëri, sepse marrësi i shërbimit nuk është i vendosur në Shqipëri. Detyrimet e furnizuesit të shërbimit Në çdo rast, kur marrësi i shërbimit është një person i tatueshëm i TVSH-së, jashtë Shqipërisë, atëherë, për të përcaktuar vendin e tatimit të furnizimit të shërbimit, furnizuesi – një person i tatueshëm i vendosur në Shqipëri, – duhet të marrë dhe disponojë informacionet e nevojshme nga marrësi i shërbimit duke siguruar në një nivel të arsyeshëm, verifikimin e këtyre informacioneve.
Dokumentacioni i nevojshëm është:
Kontrata për shërbimin, ku të identifikohet qartë emri i personit të tatueshëm, të dhënat e tij identifikuese, si dhe të identifikohet vendndodhja e qëndrueshme si marrës shërbimesh; Vërtetim nga autoritetet tatimore të vendit të marrësit të shërbimit, ku të shprehet qartë që personi i tatueshëm është i regjistruar për TVSH-në dhe numri i identifikimit të TVSH-së, së personit të tatueshëm është aktiv; Elementet e pagesës nëpërmjet llogarisë bankare, nga llogaria e personit të tatueshëm furnizues në llogarinë e personit të tatueshëm marrës të shërbimit, të identifikuar nominalisht me të dhënat e shoqërisë; Në faturën e shërbimit që furnizuesi do të lëshojë për personin e tatueshëm marrës të shërbimit, duhet të evidentojë të dhënat e sakta dhe të plota që kërkon fatura;
Në faturë duhet të jepet përshkrimi i plotë i shërbimit të kryer dhe të shënohet neni i ligjit, të cilit i referohet trajtimi i shërbimit.