MENU
klinika

Shpirti dhe ekspresiviteti i stilit

Elias Kaneti pa kohë, as kompromis!

25.07.2019 - 13:16

       Çmimi “Nobel” për letërsi në vitin 1981, Kaneti është autori i kujtimeve. Çifut bullgar me gjuhë gjermane, i lindur në 25 korrik 1905, ka jetuar nëpër Evropë dhe më pas në Vjenë, u arratis në Angli vetëm pas Anschluss. Nga viti 1942 deri në vdekjen e tij në vitin 1994, Kaneti nuk reshturi së mbajturi shënime për projektin “Libri kundër vdekjes”, shkrime të cilat u mblodhën dhe u klasifikuan për botim pas vdekjes, ku aforizmat dhe një frymë e caktuar vieneze mallkonin Perëndinë, përgjegjës për skandalin e vdekjes: “Dua të gjej fjali që Perëndisë t’i vijë turp. Kështu askush nuk do të vdesë më” etj. Vitet e luftës së Dytë Botërore, Kaneti i kaloi në Londër. Pas disfatës së nazizmit, ai jetoi në Zyrih dhe në Britaninë e Madhe, ku për 20 vjet me radhë shkroi kryeveprën: “Masa dhe pushteti”, ese mbi 600 faqe, ku analizohet pushteti dhe ndikimi ndaj masës, efektet që krijon tek individi fuqia e masës, çfarë e shtyn atë të bëhet pjesë e masës anonime etj. “Xhelati i vërtetë është masa”, – shkruan Kaneti. Ai nënvizon se, sa më shumë njerëz t’i bashkëngjiten masës, aq më e dhunshme bëhet ajo. Edhe pse masa përbëhet prej individëve, ajo shndërrohet në pushtet dhe fuqi, e cila mund të shkaktojë tmerre, po aq sa edhe mrekulli.

Përvoja shumëkulturore përvijon gjithë shkrimet e Kanetit, i cili gjatë gjithë jetës përjetoi shumëngjyrësinë kulturore të vendlindjes, Rusçuk, në Bullgari, ku ndër gjuhët e banorëve, tetë, flitej edhe shqipja. Këtë shumëngjyrësi e bën universale me penën  e jashtëzakonshme, që në shek. XX, e shquan atë ndër stilistët e përkryer, shkrimtar dhe zbërthyes të fenomeneve sociale. Një tjetër vepër e rëndësishme nga opusi i Elias Kanetit është “Zërat e Marrakeshit”. Në vitin 1954, Kaneti shkon në Marok, për të xhiruar një film. Koloriti oriental, pazari i deveve, lagjet plot jetë dhe varfëri përshkruhen me qetësi pothuaj mistike. “Zërat e Marrakeshit” është udhëpërshkrimi më i famshëm për këtë qytet maroken. Nobelisti, veprat e veta i shkroi në gjermanisht: “gjuha ime e dytë amtare”, – siç shprehej ai, jo pa ironi.

 

 

 

 

 

Po aq të rëndësishme janë edhe veprat: “Gjuha e shpëtuar”, “Pishtari në veshin tim”, “Loja e syve”, një trilogji autobiografike, apo “Vetëdija e fjalëve” një përmbledhje esesh sociologjike-letrare.

“Në pamje të parë, mund të duket paksa e çuditshme të gjesh këtu së bashku, figura të tilla, si Kafkën dhe Konfucin, Byhnerin, Tolstoin, Karl Krauzin dhe Hitlerin, katastrofa të përmasave nga më të llahtarshmet, siç është katastrofa e Hiroshimës, si dhe vrojtime letrare për mënyrën si shkruhen ditarët ose për zanafillën e një romani. Por, pikërisht kjo vendosje e këtyre figurave pranë njëra-tjetrës kishte rëndësi për mua, sepse ato vetëm në dukje nuk përputhen mes tyre”, – shkruan Kaneti, për “Vetëdija e fjalëve”.

Ka sy që të ngjallin frikë, sepse kërkojnë vetëm të shqyejnë, ata shërbejnë për të gjurmuar prenë, e cila, pasi është diktuar, s’mund të quhet ndryshe veçse pre; edhe në arriftë të shpëtojë, prapë do të mbetet e damkosur si e tillë. Eshtë diçka e tmerrshme ngultësia e një vështrimi të pamëshirshëm”.

“Mitik është edhe syri që s’kërkon të shqyejë viktima, megjithëse nuk i ndahet kurrë asaj që ka parë. Ky mit është bërë realitet dhe kushdo që e ka përjetuar rikujton me emocion e tmerr syrin, që e detyroi të mbytej në thellësinë e tij të pamasë. …Thellësia e syve të tillë është e pakufi. Asgjë që zhytet në të, s’ia prek dot fundin, por asgjë nuk kthehet dot më në sipërfaqe. Deti i këtij syri s’ka kujtesë, është një det që vetëm kërkon e merr. Ia jep çdo gjë që ke…”. 

 

 

 

 

Universet imagjinare të Kanetit sfidojnë përherë afatin e ekzistencës: kështu ai propozon “Një botë ku gjithkush mund të ushqehet sa herë që ai këndon, por gjithmonë vetëm për një kohë të kufizuar” ose imagjinoni “të jetoni të paktën mjaftueshëm për të njohur të gjitha zakonet, të gjitha faktet dhe veprimet e njerëzve; për të kompensuar rrugëtimin jetësor që ka kaluar për shkak të mungesës së qasjes në rrjedhën e saj të ardhme; të grupohen para se të treten; për të merituar lindjen; për të menduar për sakrificat që çdo frymëmarrje kërkon. Ka në të refuzimin e të gjithë metafizikës që ai e konsideron si një përgënjeshtrim të kësaj jete. Dhe gjithmonë, në vazhdën e shkrimeve, është prania e Shoahut: “Gjashtë milionë hebrenj të vrarë kanë migruar në mishin dhe gjakun e gjermanëve; nuk do të ketë kurrë një gjerman, i cili të mos jetë gjithashtu hebre”. Po ashtu, kthimi i tij në Vjenë karakterizohet nga zemërimi faqe harresës: “Më 1953, pasi u ktheva këtu për herë të parë, më vinte turp, si hebre, të shëtisja në këtë vend. Më pëlqente apo jo, isha një i mbijetuar, si në sytë e mi, ashtu edhe në sytë e fajtorëve. Sot, ne ecim sikur këtu asgjë të mos kishte ndodhur. Masakrat kanë migruar drejt të tjerë qiejsh. Vietnami dhe Bengali janë shumë larg. Vienezët janë tepër krenarë ta tregojnë atë për ju. Asnjë i huaj nuk dyshon se çfarë ka ndodhur këtu. Efekti kryesor i Vjenës në botë, Hitler, ka kaluar tashmë”.

Shënimet e tij dëshmojnë gjithashtu, për konfliktet e viteve 1990, Lufta e Gjirit, përfshirë një Purim të kaluar në Izrael, ku njerëzit u detyruan të nxitonin në strehimore në vitin 1991: “Unë kam ardhur deri në pikën e përfundimit, si një çifut i thjeshtë”.

Më 15 tetor 1981, AFP njoftonte: “Çmimi “Nobel” për Letërsinë iu atribua të enjten, shkrimtarit me gjuhë gjermane, Elias Kaneti, 76 vjeç, për pasurinë e shpirtit dhe ekspresivitetin e stilit të tij. Akademia Suedeze konsideron, që laureati është një nga autorët më të shquar të maksimumeve moderne, një njeri, përshkrimet koncize me ironi ndaj jetës ndonjëherë mund të kujtojnë pararendës të mëdhenj, si La Bruyere dhe Lichtenberg”. Shkrimtari, i cili jeton në Londër, nuk u gjet të enjten dhe nuk reagoi ndaj shpalljes së çmimit. Që prej asaj dite deri në vdekjen e tij, në Zyrih, në 14 gusht 1994, Kaneti nuk dha asnjë intervistë, refuzoi homazhet dhe udhëtoi në Stokholm vetëm për të paguar borxhin që i kishte Franz Kafkës dhe Hermann Broch. Ai vazhdoi të shkruante, takohej vetëm me disa miq të ngushtë, duke ngritur midis tij dhe lavdisë së vështirë një mur të pathyeshëm.

 

 

 

 

 

 

Një burrë që digjet në bibliotekën e tij duke qeshur, një njeri i vetëm mes librave përpirë nga flaka. Imazhi është i fortë. Mbetet e lidhur me librin e parë të madh të Kanetit “Auto-da-fé”, botuar në vitin 1935. Një roman premtues, i cili paralajmëron zjarret naziste dhe tragjedinë e një qytetërimi të shfarosur. Po ashtu është e vetmja histori imagjinare e nobelistit austriak. Protagonisti është një intelektual që digjet metaforikisht nga djegia e njëqind mijë vëllimeve të tij, një armiqësi e pashmangshme e botës së ideve ndaj realitetit, ndëshkimi për njeriun që zgjedh të jetë “i gjithi kokë dhe aspak trup”: intelektualisht, pikërisht.

 

Aforizma:

Parandjenjat e poetëve janë aventurat e harruara të perëndive.

Mes përjetimit dhe gjykimit ekziston një dallim si mes frymëmarrjes dhe kafshimit.

Sikur ti të dije më shumë për të ardhmen, e kaluara do të ishte edhe më e vështirë.

Gjëja më e vështirë: të zbulosh vazhdimisht atë që e di tashmë.

Zoti si përgatitje drejt një gjëje shumë më të llahtarshme të cilën nuk e njohim fare.

Frikacak, me të vërtetë frikacak është vetëm ai që frikësohet nga kujtimet e tij.

Hipokriti i mendimeve: sa herë që kërcënon një e vërtetë, ai fshihet pas një mendimi të tij.

Mendo shumë. Lexo shumë. Shkruaj shumë. Shprehu për të gjitha, por duke heshtur.

Duhet kohë për t’u çliruar nga bindjet e gabuara. Nëse ndodh befas, atëherë ato qelben më tutje.

Nuk është me rëndësi sa i ri është një mendim; me rëndësi është sa i ri bëhet.

Është lehtë të jesh i arsyeshëm kur nuk e do askënd, as veten tënde.

Në amshim çdo gjë është fillim, aromë mëngjesi.

Të gjitha gjërat që dikush i ka harruar, thërrasin për ndihmë në ëndrra.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Procesi” sipas të cilit gjendet thesari

Franc Kafkës i rikthehet autorësia…(veprat e fshehura)