MENU
klinika

Penaliteti

Facebook gjobitet 5 mld dollarë për skandalin e të dhënave personale

13.07.2019 - 17:50

Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA ka miratuar një gjobë në vlerën 5 miliardë dollarë kundër Facebook. Penaliteti më i madh në histori ndaj një kompanie në fushën e teknologjisë vjen pasi rrjeti social me mbi 2 miliardë përdorues aktivë në botë ka shkelur ligjet për privatësinë.

Rrjeti social “Facebook” pritet të gjobitet me 5 miliardë dollarë për shkeljen e privatësisë së përdoruesve të vet.

Rregullatorët amerikanë të Komisionit Federal të Tregtisë miratuan të premten me 3 vota pro dhe 2 kundër aktpajtimin me avokatët e gjigantit të internetit.

Hetimi ndaj Facebook nisi në mars të vitit 2018.

Atëkohë u raportua se kompania britanike për konsulencë politike, “Kembrixh Analitika”, prej katër vitesh kishte arritur të mblidhte të dhëna nga rreth 87 milionë përdorues pa miratimin e tyre.

Vjedhja e të dhënave ishte kryer nëpërmjet një aplikacioni që përvetësonte detaje rreth personalitetit të përdoruesit që e instalonte atë, por edhe të miqve të tij.

Informacionet u përdorën pjesërisht edhe për të formuar një profil psikologjik të votuesve amerikanë.

Përmes materialeve propagandistike në internet, kompania “Kembrixh Analitika” mendohet se ndikoi që Donald Trump të zgjidhej president i Amerikës në vitin 2016.

Vendimi për penalizimin e Facebook në SHBA u mbështet të premten vetëm nga ligjvënësit republikanë, ndërsa demokratët e quajtën të papërshtatshëm.

Për pagesën e penalitetit do të duhet të merret edhe aprovimi i Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Bursat e pritën mirë vendimin dhe aksionet e Facebook u rritën me 1,8 për qind pas publikimit të lajmit.

Facebook është kritikuar edhe më herët për neglizhencë në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve të vet, duke u dhënë akses të pamerituar palëve të treta.

Që prej zbulimit të skandalit, rrjeti social ka marrë masa për të rritur sigurinë dhe qasjen ndaj privatësisë.