MENU
klinika

“Mural Fest”

Ferizaj me 6 murale të reja

11.07.2019 - 15:09

    Në Ferizaj nisi edicioni i katërt i festivalit të muraleve, “Mural Fest”. Deri të dielën, qyteti i Ferizajt do të ketë këtë vit edhe 6 murale të mëdha, me temë kryesore tolerancën. Përveç artistëve vendas, pjesëmarrës janë edhe ata nga SHBA, Gjermania, Belgjika, Spanja dhe të tjera vende.

 

 

 

Në qytetin e Ferizaj që u themelua 146 vite më parë, pas ndërtimit të linjës hekurudhore Mitrovicë – Shkup, rreth 50 vite më parë, në Hotelin Lybeten, u punua “Murali i Kamarierit”. Ky mural që u bë simbol i Ferizajt, nuk është i vetmi në këtë qytet. E në kuadër të edicionit të katërt të “Mural Fest”, do të punohen edhe disa murale të reja, bëri të ditur për Radio Kosovën, Lebibe Topalli, drejtoreshë e festivalit.

“Në këtë edicion do të realizohen 6 murale të mëdha, me temë një koncept kaq domethënës si toleranca. Do të ketë grafite në 3D, ligjërata arti apo punime dore, është edhe ekspozita me piktura e fotografi, e realizuar bashkë me nxënësit e shkollës së arteve “Çesk Zadeja”, – tha ajo.

 

 

 

 

Sipas Topallit, në këtë edicion të ‘Mural Fest’, përveç artistëve vendor dhe atyre nga vendet e rajonit, po marrin pjesë edhe artistë të famshëm, nga shumë shtete të botës.

“Në gjirin e ‘Mural Fest” këtë edicion kemi artistë të famshëm, që vijnë nga vende të ndryshme, si: Gjermania, Belgjika, Bullgaria dhe Spanja. Po ashtu, marrin pjesë edhe dy artistë nga SHBA-ja, që do të realizojnë dy murale në qytetin tonë”, u shpreh ajo.

 

 

 

“Mural Fest” do të zgjasë deri të dielën më 14 korrik. Përveç artistëve që do t’i japin ngjyrë Ferizajt, në kuadër të festivalit, nga sot, për tri net me radhë, prej orës 18:00, do të ketë edhe koncert në sheshin e qytetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Projekti i nxënësve të shkollës "Raqi Qirinxhi"

Art dhe dituri në 3D