Ditën e sotme, ngriti siparin për të nëntin vit radhazi, në Mitrovicë, “GreenFest”, festivali që zhvillohet deri më 26 korrik. Ky edicion vjen me temë “Për nënën natyrë”, duke vënë në pah rolin e gruas dhe nënës, në raport me mjedisin dhe burimet natyrore, për të synuar kështu, rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të qytetarëve mbi zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjatë ditëve të festivalit do të ketë shfaqje në kinema, muzikë, punë artizanale, murale, debate, si dhe aksione mjedisore.
Në hapësirën e “7 Arte”, do të performojnë të dielën dyshja latino-amerikane, “Helado Infinito” dhe në vijim, për tre net me radhë do të shfaqen tre filma dokumentarë, si: “Solar Mama”, “Permakultura si rrugë drejt paqes” dhe “Ferdonija”.
Ndërkohë, organizata hollandeze “Hope Box” do të organizojë dialog artistik nën temën “Çfarë po ndodh me Nënën Natyrë”, që do kurohet nga artistja me famë ndërkombëtare, Rienke Enghardt.
Më 26 korrik, parashikohet të mbyllen aktivitetet përmes mbrëmjes muzikore ku do të performojnë grupe dhe artistë të ndryshëm, si: “Mr Rez” (DJ reggae), “Sytë”, Flaka Krelani, “Gima & Band” dhe Elton Deda.
Edicionit të nëntë, i ka paraprirë ekspozita e fotografive nën titullin “Në mbrojtje të Faunës”, me autor Arian Mavriqin, si dhe artizanati “Code 4 Green” e organizuar nga “Girls Coding Kosova”, me qëllim zhvillimin e ideve dhe aplikacioneve në ndihmë të përmirësimit të mjedisit.