MENU
klinika

Varvarica: Idromeno personaliteti kompleks

Fillesa e historisë së artit pamor jofetar shqiptar

24.07.2019 - 14:33

     Më lejoni të shpreh mendimet e mia të asaj sa di mbi Kolë Idromenon, siç Sokrati mendonte se: “…Askush prej nesh, as sofistët, as poetët, as oratorët, as artistët, as unë, nuk di se çfarë është e vërtetë, e mirë, e bukur…E gjithë epërsia e diturisë, pra, që Orakulli ma vlerëson, përfundon vetëm në këtë që unë jam plotësisht i bindur të mos di atë që nuk njoh”. Kolë Idromeno (1860-1939), deri më tani, do të kryesojë fillesën e historisë së artit pamor jofetar shqiptar. Ai, sipas të gjithë studiuesve që e njohën, do të konsiderohet si babai i pikturës në kapërcyell të shek. XX.

Ekspozita e hapur në GKA me titullin “Kolë Idromeno” kishte pritshmëri të lartë, por nuk ishte befasi për studimet në fushën e artit dhe të historisë, madje jo aq edhe për publikun shqiptar, pasi emri i personalitetit të shquar është bërë i njohur përmes ngjarjeve që lidhen me veprën e tij “Motra Tone” (1883). Edhe, për më tepër, publiku është i njohur prej një grupi veprash që ekspozohen vazhdimisht në linjën e GKAsë, siç janë: “Dasma Shkodrane” (1924), “Autoportreti” (1938), “Portreti i së shoqes” (1920), “Shkrepi i Ulqinit” (1887), “Portreti i mbesës” (1930), që me të drejtë i duhet ndryshuar titulli e të quhet “Portreti i Gjyzepinës”, pasi stërmbesa e tij, Gjyzepina, pozoi për mjeshtrin dhe ajo ishte vajza e Orsolinës, e kjo e fundit ishte vajza e Tones. Ky fakt dëshmohet nga Gëzim Qëndro në hyrjen e librit të tij, “Heronjtë janë të uritur”.5858

Gjithashtu, në Shkodër e në Tiranë emri dhe vepra e tij kanë qenë vazhdimisht në vëmendje të institucioneve dhe publikut, përmes veprimtarive ekspozuese, diskutuese dhe programeve të edukimit. Kjo e ka bërë emrin e Kolë Idromenos të jetë një nga artistët më të komunikuar edhe për publikun e ri. Ekspozita “Kolë Idromeno” ka shumë cilësi, ku qetësia dhe hapësira e bollshme e ekspozimit nga një vepër te tjetra është domethënëse. Ekspozita befason me prezantimin e saj. Së pari shprehet për ruajtjen e standardeve të larta, të cilat, GKA, në vazhdimësi prej dy dhjetëvjeçarësh, ka tentuar t`i ruajë.

Së dyti, për mosvendosjen e të dhënave njohëse e të domosdoshme në një etiketë shpjeguese, gjë e cila ka pastruar muret e sallës, i ka dhënë evidentim vetëm veprës dhe ka faktuar një formë tjetër e normale informimi. Së treti, dhe më e rëndësishmja sipas mendimit tim, befasia e ekspozitës lidhet me kënaqësinë e marrë nga veprat, sepse ato janë kthyer në artefakte cilësore pas një pune të mrekullueshme restauruese. Mjeshtrit e restaurimit kanë kryer një punë me vullnet çeliku, siç profesori Frederik Stamati e quan restaurimin e artefakteve muzeore dhe kjo dallohet qartësisht në tablotë e restauruara të Kolë Idromenos. Ata kanë dëshmuar cilësi të lartë dhe profesionalizëm të specializuar.

Në ditët e sotme, në mjediset e punës së GKA-së vazhdon të punojë me rigorozitet laboratori i restaurimit, i cili i brendashkruhet sektorit të konservimit të veprave të artit, që drejtohet me sukses prej gati 10 vitesh nga specialisti serioz, i përkushtuar dhe i mirëformuar, Olsi Laska. Ai dhe grupi i specialistëve që drejton, në lidhje me restaurimin e veprave të Kolë Idromenos, krijoi një buxhet profesional, që i radhitet denjësisht historisë së trashëgimisë kulturore konservuese në Shqipëri, si dhe kolegëve të mëparshëm: Hasan Nallbani, Mirela Strazimiri, Eduard Soppi, Majlinda Agolli, të cilët kanë pas drejtuar përmes komisioneve shtetërore restaurimin e veprave të artit në GKA.

 

 

 

 

 

Organizimi i punës në Sektorin e Restaurimit të Veprave të Artit në GKA nga Olsi Laska për realizimin në ditët tona të ekspozitës “Kolë Idromeno” dhe në kohë më parë, të disa ekspozitave të tjera, shprehet për domosdoshmërinë e funksioneve konservuese brenda institucionit GKA, ku gjenden mijëra vepra arti të teknikave, gjinive dhe kohëve të ndryshme, të cilat kanë nevojë të kurohen.

Konservimi dhe restaurimi që iu bëhet veprave të artit, janë frymëmarrja normale e ekzistencës së një muzeu apo galerie arti. Veprimtaritë studimore konservuese mbi një vepër arti janë proceset e mbarëvajtjes së jetës së veprës së artit dhe proceset restauruese janë jetëgjatësia dhe mbajtja në ekspozim sa më të afërt me pamjen fillimtare të krijimit, si dhe pavarësisht kohës së hershme të realizimit të saj nga autori përkatës.

Restauratorët dhe konservatorët, gjatë punës së tyre të imët me kalime milimetrike mbi sipërfaqen e veprës së artit, shprehen se janë kuratorët e mbrojtjes jo vetëm të jetës, por të identitetit të elementëve cilësorë fizikë të veprës së artit, si dhe kuratorët e mbajtjes në ruajtje të veprës së artit në kushtet sa më të përshtatshme si në hapësirën e saj individuale, ku ajo pushon në qetësi, ashtu dhe në mjedisin e ri, atë ekspozues. Konservatorët dhe restauratorët bëhen shpeshherë të parët zbulues të shumë të dhënave mbi sipërfaqet e pikturuara, fakte të cilat mbulohen nga koha.

Vepra e artit ka tri banesa brenda banesës së madhe muze apo galeri. Banesa e qetësisë së fjetur që është fondi, banesa e restaurimit dhe kurimit shëndetësor, që është laboratori i restaurimit dhe banesa e tretë, që është salla e ekspozimit, ku vepra gëzon marrëdhëniet e saj me publikun dhe stafin studimor e kuratorial. Restauratorët janë të pranishëm në të tri banesat.747

Edhe pse restauratorët e GKA-së e marrin të parët veprën në dorë prej fondit, edhe pse më pas në ekspozimin e saj ata janë të fundit dhe prapa veprës së artit, me bindje e them se në ekspozitën “Kolë Idromeno”, ata-laboratori i restaurimit dhe sektori i konservimit drejtuar nga Olsi Laskajanë mjeshtrat që na bënë të mundur të shijojmë qartësisht imazhet e subjekteve, ngjyrat në sipërfaqen e kanavacave, qëndrimin estetik dhe mënyrën e pikturimit të mjeshtrit Idromeno, madje të lexojmë me vëmendje firmën e tij të hedhur kaligrafikisht në mënyrë klasike dhe ndryshueshmëritë teknike të artistit gjatë interpretimit të subjekteve të ndryshëm. Mbi çdo vepër të ekspozuar nuk mundet të kryesh një syhedhje në indiferencë, të cilën e shkaktonte pluhuri dhe papastërtia në kohëgjatësinë e jetës së tyre.

Veprat të thërrasin, të afrojnë t`i kundrosh me vëmendje, me kërshëri dhe me dallueshmëri nga njëra te tjetra, për të zbuluar të mirën e më të mirën, objektet dhe subjektet, personazhet dhe rolin e tyre, pjesët mishtore dhe modelimin, ngjyrat primare dhe ato të sfondeve.

Vërtet një kënaqësi fatlume, që e dhuroi puna seri oze e restauratorëve të GKA-së, ku dallohet puna e shumtë dhe për herë të parë mbi veprat si: “Motra e piktorit” (1831- 1912), data, të cilat duhet të shpjegohen nga stafi i ndërtimit të ekspozitës se çfarë duan të thonë, pasi viti 1831 nuk ka lidhje me piktorin, i cili ende nuk kishte lindur ose mbase është një lapsus kompjuterik.

 

 

 

 

 

“Portreti i Mati (a) Kodhelit” (1881), “Kur hyn dreqi në shtëpi” 1899, “Portret burri” dhe “Portret gruaje”, etj. Vepra, të cilat pas restaurimit, kanë marrë vlerën e duhur, si dhe në marrëdhënie me kohën kur u krijuan, në krahasim me vepra të tjera të vetë artistit, do të ndihmojnë të rrisim shkallën e njohjes rreth krijimtarisë së Kolë Idromenos.

“Kur hyn dreqi në shtëpi” është një nga veprat më të diskutueshme të piktorit shkodran dhe pak e njohur në publik. Kolë Idromeno, në dy dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIX, mori disa porosi nga kisha në Shkodër si për të dekoruar hapësirat e brendshme të saj, por edhe për vepra me tema therëse e informuese mbi moralin njerëzor të kohës. “Kur hyn dreqi në shtëpi” ka qenë një porosi e tillë. Njohjen me disa të dhëna rreth kësaj vepre do t`i përfitoja për herë të parë nga i shkëlqyeri At Zef Plumbi (1924-2007), kur e vizitoja në arsye të bashkëbisedimit tonë për piktorin shkodran Lin Delija (1926-1994). At Zefi e kishte pasë bashshok në kohë të rinisë françeskane në kuvendin “Gjuhadol” në Shkodër, deri në 1948, kur Delija u arratis nga Shqipëria. Në një nga takimet, Ati më pyeti: “Asht një piturë te ju e Kols, e qujtun kur hyn dreqi n`shpi “?

E kishte fjalën për galerinë, ku punoja aso kohe, kur mu drejtua me ju. I thashë se po, por nuk kisha pasë mundësi ta shihja ende. Ai më tregoi se: “Piktura është një punim klasik, u porosit nga Ipeshkëvi i Kishës së Madhe dhe ka shëtit në shumë familje dhe në malci ma tepër. Iu tregohej gjinies së familjeve, që me akte të mbrapshta bashkëshortore kishin cënu rregullat e Zotit e të familjes”. Arrita ta shoh veprën, pasi për arsye të dëmtimit të madh dhe të konservimit nuk mund të hapej për këdo. Ndërsa është fat i madh që ajo u restaurua dhe u paraqit në ekspozitën “Kolë Idromeno”.

“Kur hyn dreqi në shtëpi” është një vepër klasike ashtu siç At Zefi e cilësoi, pasi një subjekt i tillë ku mëkatet dënohen në katet e nëndheshme dhe të tmerrshme të ferrit janë trajtuar nga piktorë të Rilindjes italiane siç njëri prej tyre ishte Fra Angelico (1395-1455) me veprën “Gjykimi i fundit”(1431), pronë e muzeut San Marco, në Firence. Të dy veprat kanë të përbashkët paraqitjen në imazh të dënimeve ndaj mëkatarëve dhe ekzekutimi i tyre nga personazhet e Hadit dhe të ferrit.

Vepra është realiste dhe në të gjitha detajet përshkruajnë figurativisht dukurinë që përcaktohet në titull. Titulli i veprës është një shprehje shumë e zakonshme dhe e përdorur në Shkodër, që do thotë se kur hyn dreqi në shtëpi, ajo ka marrë fund e nuk ban hajër.

Vepra ka një cilësi krejt të veçantë. Vepra ka një subjekt klasik me temë fetare, por Kolë Idromeno i ka dhënë ngjyrimin lokal shqiptar, pasi ka bërë socializimin e marrëdhënieve fetare me figuracionin e tipit të njeriut shqiptar, të veshjeve karakteristike dhe të mjediseve ku ai jetoi.

Subjekti i veprës lidhet o me tradhtinë bashkëshortore, o me martesën e një katoliku me dy gra, akte, të cilat ishin kategorikisht të ndaluara në besimin e krishterë katolik dhe dënoheshin rreptësisht nga feja, nga mentaliteti familjar dhe shoqëria. Vepra ka një kompozim rrethor të figurave që zhvillohet horizontalisht. Qendra i përket mëkatarit dhe komunikimit të tij vetëm me gruan në të majtë.

 

 

 

 

 

Figurat e tjera si: dy djajtë, engjëlli, malësorja, dy njerëzit ujqër dhe vdekja komunikojnë me mëkatarin dhe kanë në dorë sende simbolike që tregojnë veset e mbrapshta dhe mëkatet e tij me radhë. Prifti komunikon me shpirtin e mëkatarit. Imazhi kompozicional dëfton shumë më gjerë se tipologjitë e përmendura. Burri mëkatar katolik, gjysmë i shtrirë në tokë, ha me dhëmbë e i tmerruar gishtin e turpit dhe ka rreth qafës zinxhirin e hedhur e të mbajtur nga kthetra e himerës apo djallit që nxjerr zjarr nga goja, i cili ka formën e dragoit me krahë e bisht me ngjyrë të gjelbër, të cilën e merr prej squfurit që digjet në nëntokën e ferrit.

Himera, apo dragoi, do ta tërheqë me zinxhirë drejt djegies në ferr burrin mëkatar. Rreth burrit mëkatar janë katër djaj të zinj. Djalli majtas në këmbë i tregon urdhëresat që ka ai shkelur, që natyrisht është ajo e 7-ta, që përkon edhe me një nga urdhëresat e “Statuteve të Shkodrës”.

Djalli tjetër përballë, në dorën e majtë, mban gjerdanin me fishekë dhe qesen me para, si dhe në dorën e djathtë mban pushkën dhe bishtin e flokëve të kresë së mëkatarit. Këto objekte janë katër sende që kur ia merrje malësorit, do të thotë se ia hupje nderin ose e çnderon në burrërinë e tij.

Në këmbët e burrit mëkatar, në të majtë qëndron i ulur një likantrop ose një burrë ujk i zi. Me kokë e sy drejt mëkatarit dhe i tregon atij, përmes gishtit tregues, gruan e djalin, se ata janë aty, duke i kujtuar se janë ndjekës të skenës së gjykimit.

Te koka e mëkatarit prapa qëndron likantropi i dytë, që i egërsuar pret të gllabërojë pjesë mishtore nga gjahu i tij. Në të majtë duket gruaja shkodrane në këmbë me djalin e saj dhe në të djathtë gruaja malësore e ulur. Rastësisht apo qëllimisht, artisti ka pikturuar dy gra, të cilat nga elemente të fizionomisë kostumografike kuptojmë se i përkasin Shkodrës dhe krahinave të saj.

Ndërsa, duke ndjekur me kujdes elementet kostumografike zbulojmë detaje që artisti me qëllim ose jo i ka pikturuar në një formë që nuk e përcakton saktësisht krahinën. Në Shkodrën e asaj kohe, lloji i veshjeve përcaktonte nivelin social dhe përkatësinë fetare. A mund të thuhet se hilallëku me dupje apo pare që dallohet nën shaminë e gruas në të majtë, dhe që mund të jetë edhe gruaja e mëkatarit, të jetë e besimit mysliman?

A mund të thuhet se gruaja malësore me lotin në sy, që mund të jetë edhe ajo gruaja e mëkatarit, e cila ka të veshur një jelek të dekoruar me gajtanë dhe i mungon simbolika e kryqit të jetë e besimit kristian? A mund të jetë ajo një grua e varfër në prostitucion? Kjo kërkon studime më në thellësi. Njeriu skelet me pelerinë të bardhë që sapo hyn nga porta e shtëpisë, në krah mban kosën dhe në dorën e djathtë mban orën që simbolizon se mëkatarit i ka ardhë çasti i vdekjes.

Engjëlli me krah, veshur me të bardha, me dorën lart e gishtin drejtuar në qiell, i tregon burrit fajtor se vetëm Zoti lart mund të falë. Prifti katolik, i shqetësuar, mban në dorë kryqin me statuetën e Krishtit si për të shmangur të gjithë djajtë që ndodhen në hapësirën e dhomës, ashtu dhe i kërkon burrit fajtor të kërkojë falje për mëkatet.

Artisti u lind në Shkodër, më 15 gusht 1860, dhe u nda nga jeta më 12 dhjetor 1939 në Shkodër. Familja e Arsen Andre Hidhromenos kishte emigruar nga Kaonia e Shqipërisë së Jugut. Arseni, babai i Kolë Idromenos (Nikollë), ishte marangoz e mekanik. Thuhet se lindi në ishullin Hidro (Hidhro/Hithër) të Çamërisë. Iku nga vendlindja në fund të shekullit XVIII, për shkak të hasmërisë dhe mosbindjes ndaj osmanëve. Në vitin 1856, mendohet se Arsen Idromeno erdhi nga Arta dhe u vendos në Shkodër, në të cilën praktikoheshin dy fe, lulëzonin artizanati dhe tregtia me rreth 3500 dyqane në Pazarin e Shkodrës dhe në Bexhistenin në buzë të Bunës.

 

Arseni ishte arkitekti i parë autodidakt i Shkodrës dhe aty ndërtoi edhe familjen e tij. U martua më 5 dhjetor 1858 me Rozën, vajzën e Filip Saraçit. Nga kjo martesë, në vitin 1859 lindi Antonia dhe në vitin 1860 Nikolla, të cilët u quajtën shkodranisht Tone dhe Kolë. Andrea, gjyshi i Kolës, merrej me ikonografi dhe ikona familjare ishte ajo e shenjtit Spiridon. Sipas këtij riti, Arseni e regjistroi të birin me dy emra, Nikollë dhe Spiridon.

Gjatë rinisë së hershme, Kola u aftësua në disa zanate dhe shfaqi shprehitë e para artistike. Mësuesi i parë ishte fotografi dhe piktori italian (Pietro) Pjetër Marubi (1834-1903), i cili kishte emigruar në vitin 1850 në Shkodër. Ndërsa Andrea Skanjeti i Parë, që u bë bashkëshorti i Tones, motrës së Kolës, më 20 maj 1887 dhe Mark Rebeskini, mik dhe bashkëkohës i Kolë Idromenos, e ndihmuan në përparimin e tij kulturor. Në vitin 1875, Kolë Idromeno u regjistrua në Akademinë e Arteve në Venecia, në të cilën qëndroi gjashtë muaj.

E ndërpreu shkollën dhe qëndroi po në Venecia, ku mësoi pikturë në studion private të një piktori italian, deri në vitin 1878. Ende në ditët tona, emri i piktorit nuk përmendet në asnjë dokument. Në fund të këtij viti, Kola kthehet në Shkodër. Për shkak të ideve të tij patriotike, osmanët e internuan në Ulqin, ku qëndroi për rreth një vit (1878-1879). Kolë Idromeno u martua në vitin 1884 me Gjyzepina Muzhanin. Ata nuk lanë pas trashëgimtarë.

Veprimtaria e Kolë Idromenos është e njohur në fushat e arteve si piktor i kompozimit, portretit dhe peizazhit; si skulptor e butaforist i skenave të teatrit dhe maskave të karnavaleve; si instrumentist tromboni dhe violine pranë bandës muzikore shkodrane dhe grupit të muzikantëve të këngëve popullore; si arkitekt dhe urbanist i 60 ndërtesave mbi rrugët kryesore dhe të Piacës së Shkodrës; si fotografi që hapi studion “Dritëshkronja e Kolës” në vitin 1884 apo 1886; si menaxher filmi, duke sjellë për herë të parë aparatin e shfaqjes së filmit të firmës Pathé dhe nënshkrimit të kontratës me shoqërinë filmike të Jozef Stauber, me qëllim shfaqjen e filmave në Shkodër, gjatë periudhës shtator 1912 – dhjetor 1913.

 

 

 

 

 

Kinemaja e parë publike në Shqipëri dhe shfaqja e parë e filmit u bënë në shtëpinë e Kolë Idromenos rreth viteve 1920. Ai ekspozoi si piktor në vitin 1931, në ekspozitën e parë kombëtare e hapur në Tiranë dhe mori pjesë në disa ekspozime jashtë vendit.

Qelqet ruhen në koleksionin e Fototekës Idromeno, në krah të Fototekës Marubi. Në fondet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Qendrore të Shtetit në Tiranë konservohen vizatime arkitektonike dhe skica të shumta për pikturën “Dasma shkodrane”.

Në ditët e sotme, përmes të gjitha veprimtarive të veta, Kolë Idromeno dallohet për personalitetin e tij kompleks. Si piktor është realist; si fotograf inskenoi subjekte dhe poza njerëzore në atmosferën e dritës dhe të mjedisit të kohës së vet, të cilat shpeshherë i shërbyen në aktin e pikturimit; si arkitekt ndoqi dhe imitoi me mjeshtëri prurjet perëndimore veneciane, si më të afërtat me vendin ku qëndroi dhe studioi. Si muzikant kompozoi dhe i qëndroi afër poetikës romantike dhe jareve të bukura shkodrane.

 

Suzana Varvarica Kuka

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po shkruej për vedi e Shkodrën"

Simon Rrota : Të marrë e injorant ka gjithëkund

Arkitekti dhe piktori i madh shqiptar

Rrënimi i shtëpisë së Kolë Idromenos


“Perëndimi i andrrimeve” dhe poezia e Gasper Palit!

Jeta e shkurtër e poetit që jetoi në kohë të pavarësisë

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë viteve!

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij

Kush ishte Alfred Nobel?