Analisti amerikan Edward P. Joseph thotë se krimet e së kaluarës, ato të kryera nga sërbët kundër shqiptarëve dhe ato të shqiptarëve kundër sërbëve apo shqiptarëve të tjerë, rëndojnë mbi Kosovën.
Prandaj, sipas tij, paraqitja e ish kryeministrit Haradinaj në Hagë është një mundësi e rëndësishme për të ecur përpara, duke iu përgjigjur pyetjeve për dyshime për veprime kriminale në të kaluarën. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori i Menaxhimit të Konflikteve në Universitetin Johns Hopkins, theksoi gjithashtu se dorëheqja e zotit Haradinaj mund të ketë një ndikim të përkohshëm në dialogun Kosovë-Serbi.
Zëri i Amerikës: Zoti Edwards, të mërkuren prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë morën në pyetje ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në cilësinë e të dyshuarit. Zoti Haradinaj të premten dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Kosovës, pasi mori një thirrje për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Si i shihni ju këto zhvillime?
Joseph: Kjo është një situatë e pazakonshme. Natyrisht, në rastin e ish kryeministrit Haradinaj, nuk është një rast i paprecedentë. Kjo tashmë ka ndodhur njëherë në të kaluarën në vitin 2005. Nga pikëpamja ime, kjo në fakt është një mundësi e rëndësishme për zotin Haradinaj dhe për Kosovën.
Krimet e së kaluarës, ato të sërbëve kundër shqiptarëve, ato të shqiptarëve kundër sërbëve dhe shqiptarëve të tjerë, ose krimi i pazgjidhur që mund të jetë kryer nga sërbët kundër Oliver Ivanoviçit, rëndojnë mbi Kosovën.
Në fakt, kjo është një mundësi e rëndësishme për zotin Haradinaj dhe për Kosovën për të ecur përpara, duke dalë para një gjykate të hapur dhe duke iu përgjigjur hapur dhe qartë pyetjeve mbi veprimet e së kaluarës dhe dyshimet për veprime kriminale në të kaluarën.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi mendoni do të ketë dorëheqja e zotit Haradinaj mbi zhvillimet në Kosovë?
Joseph: Ky është një zhvillim i madh për politikën e brendshme në Kosovë. Ish kryeministri Haradinaj kishte kundërshtime të thella me presidentin Thaçi mbi qasjen ndaj bisedimeve të rëndësishme me Serbinë dhe diskutimet për njohje të Kosovës nga Serbia, që është pjesë e rrugës së përgjithshme të Kosovës drejt anëtarësimit në OKB, operimit të saj si një vend normal dhe në fund anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, që është e rëndësishme për të dyja vendet.
Pra, ky zhvillim sjell një element të ri: largimin e zotit Haradinaj për momentin nga ekuacioni. Por nga ana tjetër në njoftimin e tij të dorëheqjes, ai këmbënguli që të vazhdojë të ruhet qëndrimi i tij i fortë kundër çdo ndarjeje territoriale të Kosovës, ose krijimit të një entiteti si Republika Serbe brenda Kosovës, që me sa duket ka mbështetje brenda partisë së tij dhe në Kosovë.