MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 1 korrik?

01.07.2019 - 07:10

552 – Beteja e Taginaes: forcat bizantine nën gjeneralin Narses mundin ostrogotët në Itali. Gjatë betejës, mbreti Totila plagoset për vdekje. Totila, emri origjinal Baduila, ishte mbreti i parafundit i Ostrogotëve, nga viti 541-552. Ai cilësohet udhëheqës i aftë ushtarak dhe politik, i cili nga viti 543 pushtoi pothuajse të gjitha territoret në Itali që Perandoria Romake Lindore ia kishte marrë më 540. Shumica e provave historike për Totilën vijnë nga kronikat bizantine të historianit Prokopi, i cili shoqëroi gjeneralin bizantin Belisarius gjatë luftës gotike.

1097 – Beteja e Dorylaeum: kryqtarët e udhëhequr nga princi Bohemond i Tarantos fitojnë ndaj një ushtrie të selxhukëve. Bohemond ishte një nga udhëheqësit e Kryqëzatës së Parë. Kryqëzatat nuk kishin udhëheqës të përgjithshëm ushtarak, por drejtoheshin nga një këshill princash. Bohemond kishte lindur në San Marco Argentano, Kalabri. Ai ishte djali i madh i fisnikut norman Robert Guiskard, Duka i Pulias dhe Kalabrisë. Kur Robert Guiscard vdiq më 1085, Bohemond trashëgoi zotërimet përtej Adriatikut, Iliri. Gjatë kryqëzatës, me ushtrinë e tij ai kapërceu detin, dhe kaloi nëpër Konstandinopojë. Por Bohemond u tregua i kujdesshëm për të mbajtur qëndrimin ‘korrekt’ ndaj perandorit Aleks, dhe kur mbërriti në Konstandinopojë në prill 1097 i bëri homazhe perandorit. Vajza e perandorit, Anna Comnena, ka lënë përshkrim të qartë e pozitiv mbi Bohemondin në Alexiadën e saj.

1586 – Në Siena të Italisë, në një familje fisnike, lindi Claudio Saracini, instrumentist i njohur lute (lahutë), dhe kompozitor italian (vdiq më 1630). Pak dihet lidhur me arsimin e tij muzikor. Një veçori unike e kompozimeve të Saraçinit është ndikimi i muzikës popullore, veçanërisht muzikës ballkanike; kjo është cilësuar si diçka jashtëzakonisht e rrallë në fillimet e muzikës italiane të stilit ‘barok’. Muzikologët supozojnë se Saraçini udhëtoi gjërësisht në Balkan kur ishte i ri dhe aty u njoh me muzikën dhe instrumentet vendase, përfshi lahutën (deri tani askush nuk ka hedhur ndonjë hipotezë se Saraçini ose të parët e tij, mund të kishin emigruar në Itali gjatë ikjes masive nga Ballkani, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbej, kur rajoni ra përfundimisht nën sundimin osman në fund të shekullit XV). Veprat e Klaudio Saraçinit sikur pësuan rigjallërim në shekullin e 20-të, kur tërhoqën vemendjen e studiuesve të muzikës, pas një periudhe të gjatë harrese. Një bust i tij ndodhet në Garden of Villa Chigi Saracini, Castelnuovo Berardenga, Itali.

1646 – Lindi Gottfried Wilhelm Leibniz, matematikan dhe filozof gjerman, gjuhëtar, albanolog (vdiq më 1716). Leibniz, ndonjëherë i quajtur gjeniu i fundit universal, shpiku të paktën dy gjëra që janë thelbësore për botën moderne: kalkuluset dhe arithmetikën binare, duke hedhur bazat e matematikës moderne dhe shkencës kompjuterike (arithmetika binare është bazë për thuajse të gjithë komjuterat e sotëm). Gottfried Wilhelm Leibniz, gjuhëtar, ishte i pari që përcaktoi se gjuhët semite si hebraishtja dhe arabishtja dhe gjuhët Finno-Ugric si finlandishtja dhe hungarishtja, nuk i përkisnin të njëjtës familje gjuhësore, si shumica e gjuhëve të Evropës. Në 10 vitet e fundit të jetës, një nga përkushtimet e tij u bë gjuha shqipe, duke hapur shtegun për studimet albanologjike; fillimisht, Leibnizi spastroi mendimet e turbullta, duke rrëzuar mitin se shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, bënte medoemos pjesë në grupin e gjuhëve sllave, apo se rridhte nga greqishtja ose latinishtja. Ai shprehu bindjen se shqipja ishte ilirishte, dhe kishte lidhje me gjermanishten, dhe këtë ngjashmëri e kërkoi në keltishten e lashtë. (Për më shumë vizito: http://blogs.voanews.com/albanian/astritlulushi/2013/11/11/leibniz-matematika-ilirishtja-dhe-shqipja/)

1766 – Jean-François Lefebvre de la Barre, një nëpunës i mbretit francez, torturohet, koka i pritet, trupi i hidhje në turrën e druve dhe digjet; në trup ishte gozhduar një kopje e ‘Fjalorit Filoziofik” të Volterit – Jean-François Lefebre de la Barre ishte dënuar për ‘krimin’ se nuk kishte përshëndetur një procesion fetar katolik në Abbeville, Francë.

1862 – Rusi; Themelohet Biblioteka e Shtetit. In 1925 kompleksi u ri-emërua Biblioteka e Bashkimit Sovjetik V.I. Lenini. Në vitin 1992, ajo u quajt përsëri “Biblioteka e Shtetit”, me anë të një dekreti nga presidenti rus Boris Jelcin.

1921 – Themelohet Partia Komuniste e Kinës nga Chen Duxiu and Li Dazhao, në koncesionin francez të Shangait. Më 1927, Mao Ce Dun, krijoi Republikën sovjetike të Kinës në disa zona të thella të përfshira nga trazirat fshatare. Territorret nën kontrollin e tij u zgjeruan dhe më 1935, Mao Ce Duni arriti të merrte kontrollin e Partisë Komuniste.

1923 – Parlamenti kanadez pezullon emigracionin nga Kina.

1963 – SHBA: Vendoset kodi ZIP në adresë për të ndihmuar shërbimin postar. ZIP është akronim për Zone Improvement Plan. Nëpërmjet kodit ZIP, që përbëhet nga 5 numra, gjithë territori i SHBA-së ndahet në zona, secila me një kod 5-shifror të veçantë, duke e bërë shërbimin postar më efikas. Për shembull
VOA
330 Independence Avenue, SW
Washington, DC – ZIP 20237

1963 – Qeveria britanike pranon se ish-diplomati i saj, Harold Adrian Russell “Kim” Philby, kishte vepruar si agjent sovjetik. Dezertim i tij në Bashkimin Sovjetik në janar 1963 ishte një prej momenteve më dramatike të Luftës së Ftohtë. Filbi ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 – ai dyshohej si spiun e tradhtar. Në rrezik për t’u arrestuar, Filbi kërkoi ndihmën e qendrës në Moskë. Në janar 1963, ndërsa punonte si gazetar për Observer dhe Economist dhe ndodhej në Bejrut, Liban, Filbi i hipi një anije ruse me destinacion Odesën. Larg nga të priturit si hero, Filbi u mënjanua nga KGB-ja sovjetike, e cila frikësohej se ai mund të ishte agjent afatgjatë i dyfishtë i perëndimit. I vetmuar, Filbi gjeti shishen si ngushëllim duke u dhënë pas pijes. Por në aspekte të tjera, ai u trajtua mjaft mirë, thonë biografët, më mirë sesa qeveria sovjetike trajtonte popullin e vet; atij iu dha një makinë, një vilë e mobiluar, furnizime rregullisht me ushqime të përzgjedhura, edhe nga jashtë shtetit, me të gjitha ato që nuk i kishin munguar në Londër, madje edhe grua, Philby u martua, me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova, e cila në kujtimet e saj shkruan se Filbi kurrë nuk shprehu keqardhje që u arratis, por mbeti i zhgënjyer, i tronditur kur pa njerëz të varfër të rreckosut dhe kuptoi se “ne po ndërtojmë komunizmin” nuk kishte ndodhur. Ai gjithashtu tentoi vetëvrasje, por kurrë nuk foli për t’u kthyer në Angli. Harold Adrian Russell “Kim” Philby vdiq në Moskë në vitin 1988, në moshën 76 vjeçare; ai është cilësuar si një prej spiunëve më dinakë të shekullit XX. Në Britani, kohët e fundit janë hedhur fjalë për rehabilimin e tij; disa thonë se Filbi nuk ka vrarë njeri; të tjerë këmbëngulin se është shumë vonë për falje, sidomos për ata që u hodhën me parashutë natën në vendet komuniste, dhe u kapën a u vranë të spiunuar nga Kim Filbi gjatë Luftës së Ftohtë.

1967 – Krijohet Komuniteti Evropian nga një integrim i Tregut të Përbashkët Evropian, Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, dhe Komisionit Evropian të Energjisë Atomike.

1967 – Kanadezët festuan 100 vjetorin e Aktit britanik të Amerikës së Veriut, i cili e shpalli Kanadanë zyrtarisht shtet federal.

1968 – Programi Phoenix i CIA-s krijohet zyrtarisht për t’iu përgjigjur gjendjes në Vietnam. Ishte një program mbështetës zbulimi amerikan në terren mes viteve 1965 dhe 1972, për të ‘neutralizuar’ operativë të dyshuar vietnamezo veriorë (vietkong komunistë) që vepronin fshehurazi në Vietnamin e jugut. Gjatë operacionit Feniks u kapën rreth 81.740 informatorë dhe mbështetës të tyre, nga të cilët 41.000 u vranë.

1991 – Pakti i Varshavës shpërbëhet zyrtarisht gjatë një takim në Pragë mbajtur këtë ditë.

1997 – Kina ri-merr sovranitetin mbi qytetin-shtet Hong Kong, duke i dhënë fund sundimit kolonial britanik 156 vjeçar.

2002 – Krijohet Gjykata Ndërkombëtare Penale për të ndjekur individë nën akuza për genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime agresioni.

2007 – Pirja e duhanit në Angli ndalohet në të gjitha hapësirat e brendshme publike.

2013 – Kroacia bëhet vendi i 28-të i Bashkimit Evropian.