MENU
klinika

Ku do të përshtatej më mirë?

Icardi fut në ‘luftë’ Juventusin dhe Napolin

15.07.2019 - 16:41

Aurelio De Laurentiis vetëm disa ditë më parë kishte përjashtuar kategorikisht një takim me Wanda Nara por, sipas “Il Corriere dello Sport”, Napoli po studion situatën e sulmuesit argjentinas, madje për të ka pasur një takim.

Në të njëjtën tavolinë me agjenten, gruan e ish-kapitenit të Interit, megjithatë, nuk ishte presidenti i Napolit, por drejtori sportiv, Giuntoli.

Qëllimi, në vend që të niste një negociatë reale, ishte njohja me situatën reale të Icardit në merkato. Napoli është i interesuar për hapësirën manovruese me të drejtat e imazhit të futbollistit, në rast të një kontratë të mundshme me të. Takimi midis Giuntoli dhe Wanda Nara ka ndodhur javën e kaluar në Milano, por nuk ka prodhuar lajme të rëndësishme. Kjo, për shkak se Icardi, në rastin e lamtumirës ndaj Interit, vazhdon të preferojë Juventusin.

Kalimi në Torino, nga ana tjetër, i siguron argjentinasit afërsi gjeografike me Milanin. Kjo do ta lejojë atë që të mos e lëvizë familjen. Një joshje potenciale, pa harruar mundësinë për të luajtur me Cristiano Ronaldon, të trajnohet nga Sarri, një trajner që e donte atë fort tashmë, tri vite më parë në Napoli. Pa harruar objektivin madhor, Champions.

Ndjenja është që, nëse Icardi e lë Interin, ai do ta bëjë këtë vetëm për të veshur fanellën e bardhezinjve në Serie A.

Fabio Paratici e di mire një gjë të tillë. Kjo është arsyeja pse, deri më sot, Juventusi ende nuk i ka ekspozuar publikisht, as nuk i ka formuluar ofertat zyrtare ndaj zikaltërve.

Qëllimi i Paratici, nga ana tjetër, është që së pari të sistemojë të paktën dy sulmues aktualë, midis Mandzukic, Higuain dhe Kean, pastaj të paraqitet te Marotta në ditët e fundit të merkatos me një ofertë të ulët prej rreth 35-40 milionë euro.

Një strategji e pritjes, bazuar qartë në vullnetin e lojtarit dhe në nevojën e Interit për ta shitur Icardin. Napoli, të paktën për momentin, mbetet në plan të dytë.

Argjentinasi, ndërkohë, pas largimit nga grumbullimi i Interit në Lugano, ku luajti dje një miqësore parasezonale, e kaloi pasditen me familjen në Liqenin e Comos, ndërsa duke filluar nga nesër, ai do ta rifillojë i vetëm trajnimin në Pinetina.

Duke pritur, ndoshta, për një telefonatë nga Torino.