Irani ka dënuar konfiskimin “e paligjshëm” të një cisterne të naftës nga Mbretëria e Bashkuar në Gjibraltar dhe kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm.
Një zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme iraniane “përshkroi masën në Mbretërinë e Bashkuar si të papranueshme” në një takim me ambasadorin britanik.
Ai “bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të cisternës së naftës, duke pasur parasysh se është konfiskuar me kërkesë të SHBA, bazuar në informacionin që aktualisht është në dispozicion”, thuhet në deklaratë.
Marinsat britanikë ndihmuan autoritetet në Gjibraltar, të kapnin anije transportuese, për shkak të provave, se ajo po shkonte në Siri, duke shkelur kështu sanksionet e BE-së.
Një zëdhënës i territorit britanik tha se anëtarët e ekuipazhit prej 28 anëtarësh, ishin kryesisht indianë me disa pakistanezë dhe ukrainas.
John Bolton, këshilltar i sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, përshëndeti ndalimin e cisternës.
“Lajmi i shkëlqyer: Britania e Madhe ka ndaluar cisternën Grace të ngarkuar me naftë iraniane të destinuar për në Siri në kundërshtim me sanksionet e BE,” tha Bolton në Twitter.
Dorsa Jabbari i Al Jazeera, duke raportuar nga Teherani, tha se Irani nuk mendonte se shkelte sanksionet ndërkombëtare. “Ata nuk i njohin sanksionet e BE për qeverinë siriane si legjitime, sepse nuk janë miratuar nga Kombet e Bashkuara,” tha ajo. “Ata thonë se ky akt i qeverisë britanike në emër të amerikanëve është i barabartë me piraterinë,” shtoi Jabbari.
“Kjo është hera e parë që BE-ja ka bërë diçka kaq publike dhe kaq agresive. Mendoj se ishte gjithashtu e koordinuar në një farë mënyre me SHBA-të, meqenëse forcat anëtare të NATO-s janë përfshirë”, tha Matthew Oresman, një partner me firmën ligjore Pillsbury Winthrop Shaw Pittman i cili këshillon firmat për sanksione.
Autoritetet në Gjibraltar thanë se kishin baza të arsyeshme për të besuar se anija po mbante dërgesën e naftës së papërpunuar në rafinerinë e Banyas në Siri.
“Kjo rafineri është pronë e një njësie ekonomike që i nënshtrohet sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Sirisë,” tha shefi i Gjibraltarit, Fabian Picardo.