MENU
klinika

Gjuhë poetësh

Jevtushenko: Cvetajeva-faji dhe dashuria e përjetshme

18.07.2019 - 17:03

      Poeti i shquar rus, Jevgenji Jevtushenko lindi më 18 korrik 1933 në Zima (një qytet i vogël në jug-lindje të Siberisë, i ndërtuar në shekullin e 19-të rreth një stacioni në linjën hekurudhore Trans-Siberian), biri i një studenti të gjeologjisë nga Universiteti i Moskës dhe një këngëtareje të mirënjohur të operas me origjinë ukrainase, Zinaida Evtusenko, nga e cila mori mbiemrin e artit.

 

 

Ja si shkruna poeti për poeten: E. Jevtushenko për poeten, Marina Cvetajeva

 

“Marina Cvetajeva është faji ynë i papagueshëm, por dhe dashuria jonë e përjetshme. Poeti mund të jetë i pashtëpi, por kurrë vargjet e tij…”

Kur dalim prej barrës mëmësore, nis barrën me ne shtëpia. Ne ende nuk kemi lindur plotësisht, përderisa përplasim këmbë e duar në barkun e saj të drunjtë ose të gurtë, duke zgjatur doçkat tona ende të dobëta, por tashti të zëmëruara drejt daljes jashtë shtëpisë. Bashkë me ndjesinë e e strehës mbi kokë na lind dhe një forcë tërheqëse drejt derës. Ç’ka atje prapa? Gjersa mësojmë të ecim brenda shtëpisë, ne ende nuk jemi lindur. Kur na pengohen këmbët te gurët e avllisë, klithma jonë e parë është klithma e vërtetë e lindjes… Karakteri provohet kur muret atërorë nuk na mbrojnë dot më. Shtytja jashtë shtëpisë nuk do të thotë aspak se e urren shtëpinë. Kjo shtytje është dëshira për ta provuar veten në luftën me botën e madhe e të panjohur, por një dëshirë si kjo ngrihet më lartë se një kërshëri e thjeshtë, është themeli i shpirtit kryengritës të njeriut, sepse shpirtit i rinë ngushtë të gjitha muret. Teza “Shtëpia ime, kalaja ime” është simbol i pafuqisë së njeriut. Shpirti është vetë një kala, nëse nuk gardhohet me kurrfarë muresh. Pa respektin për shtëpinë nuk mund të quhesh njeri. Por s’quhesh njeri dhe as shkrimtar, pa shtytjen jashtë shtëpisë. Jeta na rezervon shtëpi të tjera, që shtiren, madje, ndonjëherë atërore. Shtëpi që të thithin brenda, si moçali, shtëpi të ngjashme si djepi, që të venë në gjumë ndërgjegjen. Po njeriu i vërtetë, shkrimtari i vërtetë përpiqet mundimshëm për një konfort të vetëm: për konfortin e ashpër e tepër të varfër të lirisë.
Vallë nuk e deshi Ljev Tolstoi, Jasnaja Polianën? Po kur ndjeu në shtëpinë e vet diçka mbërthyese, diçka pranguese, u vërsul nga dera, pas së cilës ishte e panjohura dhe liria, dhe sikur ta priste vdekja…

 

 

 

 

 

Xhek Londoni mundohej artistikisht të krijonte lirinë brenda “Shtëpisë së ujkut”, të ndërtuar prej tij në Luginën e Hënës, por a ka të ngjarë, ta ketë djegur vetë atë, duke ndjerë si e shtypnin muret e gurtë, i torturuar nga nostalgjia jo për shtëpinë, por për pashtëpisinë e rinisë?
Nostalgjia për jetë prej bohemi nuk e fyen shtëpinë atërore, në të rreh dëshira për t’u shkrirë me njerëzit përreth, ku aq njerëz janë pa shtëpi, ku pa shtëpi janë drejtësia, ndërgjegjia, vëllazërimi, liria…
Aleksandër Blloku i ndillte vetë grushtat e fatit: “Më lini të vdes nën gardh si një qen!” Majakovski, duke hedhur poshtë i zëmëruar “paqllëkun e turpshëm”, thoshte krenarisht:

Mua rublat kurrë s’më mbajtën me hatër,
mjeshtrat e drurit mobilje s’më nisën asnjë.
Dhe përveç një këmishe të pastër,
jua them sinqerisht,
nuk dua asgjë!

Pastrehia superiore e shpirtit, që ngrihet kundër pashpirtësisë të mobiluar bukur, a nuk është kjo shtëpia atërore e artit? Pastrehia është një fatkeqësi njerëzore, por vetëm për sytë e enjtur nga dhjami, fatkeqësia është turp. Për këtë, me një pendim të dëlirë, ka thenë kështu Pastërnaku:

Dhe unë u prisha qyshkur koha të prishur mori
dhe fatkeqësinë e quajtën turp,
filistinët e ngërdheshur nga zori…

Një grua e madhe, ka të ngjarë, më e madhja e krejt grave që jetuan ndonjëherë në këtë botë, me një zëmërim të dëshpëruar, dëneste: “Çdo shtëpi m’është e kuaj, çdo tempull-bosh!…” Zëri i kësaj gruaje është Marina Cvetajeva.
Më vonë, në mërgim, duke fërgëlluar nga malli për atdheun, e madje, duke u përpjekur të përqeshte këtë mall, Cvetajeva gulçon si “shtazë e plagosur”:

Mall për vendin?
Pallavër qyshkur e demaskuar!
Unë krejt njëlloj e kam,
si afër, si larg të jem, mjaft që e vetmuar…

Ajo, madje i kërcëllon dhëmbët hungërueshëm gjuhës së vet amtare, të cilën aq shumë e adhuronte, të cilën aq mirë dinte ta mbrunte dhembshurisht e tërbimshëm me duart e veta punëtore, me duart e poçarit të fjalës:

S’më mashtron dhe gjuha amtare,
kushtrimi i saj kumtëror…
se kë takoj, s’më intereson fare
dhe a kupton a nuk kupton…

Më tej ndeshim sërish fjalët tashmë të cituara “shtëpiurryese”: “Çdo shtëpi m’është e huaj, çdo tempull-bosh!”…
Pastaj vijon: “Me to, pa to s’më dhemb kaptina!”
Dhe befas, trilli tallës për mallin e atdheut këputet i pafuqishëm duke përfunduar me një psherëtimë gjeniale për nga thellësia, që përmbys krejt mesazhin e vjershës, në tragjedinë shpirtcopëtuese të dashurisë për atdheun:

Po nëse rrugës një kaçube’
fanitet, sidomos rjabina…

Pastaj e vazhdon me tre pika, ku ndjehet një pohim memec i fuqishëm dhe i pandërprerë në kohë dhe me një forcë dashurie për të cilën janë të paaftë njëmijë vjershëtorë të marrë së bashku, që shkruajnë jo me këto pika të mëdha. Çdonjëra prej tyre është si një pikë gjaku, por me fjalë të panumërta që thurin vargëzime pseudopatriotike. Mos vallë dhe patriotizmi i flaktë është pikërisht gjithmonë i tillë: me pika dhe jo me fjalë boshe? Dhe, megjithatë, ja ku del dashuria për shtëpinë, po përmes heroizmit të bohemit. Një heroizëm i tillë është krejt jeta e Cvetajevës. Ajo edhe në shtëpinë e poezisë ruse, të ndarë në dhoma pritjeje, sallone, korridorë dhe kuzhina letrare, s’para përshatej mirë… Libërthin e saj të parë “Album mbretëror” e lëvduan bardë të tillë si Brjusov, Gumiljev që mbaheshin atëhere, si ligjvënës të modeleve. Nga kjo Cvetajevë ende krejt e re, delte një erëmim alarmant prej zjarri që kërcënonte komoditetin e kësaj shtëpie, muret e saj të hollë, që mund të shpërthenin menjëherë në flakë.
Kurse poezia e Cvetajevës nuk mund të ishte as send i kësaj shtëpie dhe as dhomë e saj. Ajo ishte tufan që shpërthente brenda shtëpisë dhe ngatërronte krejt fletët e vjershave estetizante të kopjuara me shkrim kaligrafik…

 

 

 

 

Cvetajeva, pavarësisht nga jaka me dantella e gjimnazistes së parakohshme, u shfaq në Shtëpinë e Poezisë si cigankë, si Mariullë e Pushkinit, me të cilën donte të krahasonte veten. Dhe ciganët përfaqësojnë jetën bohemiane që triumfon mbi atë shtëpiake. Qysh në vargjet e para të Cvetajevës, ndihej një ashpërsi e një egërsi e panjohur gjer atëherë, në poezinë femërore ruse dhe për më tepër, e rrallë edhe për poetët burra.
Poezia e Ahmatovës ishte më femërore, me linja më të buta. Karakteri i Cvetajevës ishte një arrë e fortë, kishte një shpirt luftarak që të trembte, një agrisivitet ngacmues, shermadh. Me këtë shpirt luftarak Cvetajeva sikur donte të lante jargavitjen sentimentale të shumicës së poeziprodhesve të molisur, që mbushnin në atë kohë, me prodhimet e tyre të sheqerosura, faqet e revistave, duke rehabilituar vetë thelbin e karakterit të grave…
Nuk di asnjë poet tjetër në botë që do të shkruante aq shumë për ndarjen, si Cvetajeva. Ajo kërkonte dinjitet në dashuri, ndërsa do të thoshte “lamtumirë” duke e mbytur me krenari klithmën e saj femërore brenda vetes dhe vetëm rrallë nuk e përmbante dot. Me krenarinë e saj të madhe, Cvetajeva u hakmor për gjithë “pakrenaritë” e grave, që e kishin humbur portretin e tyre para burrave. Për këtë, asaj duhet t’i jenë mirënjohëse gratë e gjithë botës. Me forcën e saj krijuese, Cvetajeva tregoi se çdo shpirt gruaje nuk është vetëm një qiri, një rrëke e kthjellët, e krijuar me qëllim që të pasqyrohet burri, por edhe zjarr që flakëron nga njëra shtëpi në tjetrën.

 

 

 

 

Tek Cvetajeva ka ngjyrime të spikatura filozofike, si psh. “Është gjenial ai tren tek i cili të gjithë vonojnë”…. Zemra e poetit të vërtetë është shtëpia e pashtëpisisë. Poeti nuk ka frikë të futë brenda vetes vetëvetishmërinë dhe nuk ka frikë të bëhet copë-copë prej saj. Kështu ndodhi me Bllokun, kur ai la të hyjë brenda tij revolucionin dhe shkroi poemën gjeniale: “Të dymbëdhjetët”. Kështu ndodhte dhe me Cvetajevën, që futi brenda vetes vetëvetishmërinë e ndjenjave të saj personale dhe qytetare dhe që iu nënështrua vetëm spontanitetit. Por që vetvetishmëria e jetës të bëhet e tillë dhe në art nevojitet një disiplinë e rreptë profesionale. Vetvetishm,ërisë së Cvetajevës nuk i lejohet të urdhërojë në zanatin e saj, këtu zonjë është vetëm ajo. Marina Ivanova Cvetajeva është poetja profesioniste e shquar, që së bashku me Pastërnakun dhe Majakovskin, reformoi vjershërimin rus për shumë vjet të mëvonshëm. Një poete e mrekullueshme si Ahmatova që e admironte aq shumë Cvetajevën, ishte vetëm një bartëse e traditave, por jo përsëritëse e tyre dhe në këtë kuptim Cvetajeva qëndron më lart se Ahmatova. “Mua s’do më mjaftonin as 150 milion jetë” thoshte Cvetajeva. Fatëkeqësish edhe vetëm jeta e saj nuk i mjaftoi.
Sipas Pushkinit: Gjenia dhe keqbërja janë dy gjëra të papajtueshme”. Cvetajeva nuk ra asnjëherë në mëri politike. Ajo ishte poete tepër e madhe për të rënë aty. Kuptimi i saj për Revolucionin ishte i ndërlikuar, kontraditor. Këto kontradita pasqyronin synimet e pjesës së rëndësishme të inteligjencës ruse, që përshëndeti fillimisht rënien e regjimit carist, por pastaj iu largua Revolucionit për shkak të gjakut të derdhur në luftën civile.

“I bardhë ishte, i kuq u bë:
e skuqi gjaku…
I kuq ishte, i bardhë u bë:
e zbardhi vdekja…

Jo rastësisht Cvetaeva e pati aq të vështirë në emigracion sepse ajo nuk mori pjesë kurrë në mëritë politike dhe qëndroi mbi të gjith grupet dhe e gricnin ligjvënësit e atëhershëm të modave. Ata i nervozonte pavarsia e saj, jo vetëm politike por dhe artistike. Ata kapeshin pas së shkuarës, vargu i saj hidhej me zjarr në të ardhmen… Ndaj ai dukej i pashtëpi në botën e së shkuarës. Cvetajeva nuk mund të mos kthehej në Rusi. U kthye, jo vetëm se jashtë jetonte në një varfëri të tmerrshme, jo vetëm se çdo mjeshtër i madh i gjuhës nuk mund të jetojë jashtë gjuhës; jo vetëm se përbuzte botën mikroborgjeze që e rrethonte të damkosur prej saj në “Lexuesit e gazetave” apo “Në çarkun e minjve”, jo vetëm se e urrente fashizmin, kundër të cilit ajo shkruante aq mërishëm në çekisht. Si zor që Cvetajeva të shpresonte t’i gjente vetes “komoditetin shtëpiak”, ajo shtëpinë e kërkonte jo për vete, por për të birin dhe sidomos për fëmijët-vargje, nënë e së cilëve ishte vetë poetja. E dinte se shtëpia e vargjeve të saj ishte vetëm Rusia. Kthimi i Cvetajevës ishte akt prej mëme për vargjet e saj.

 

 

 

 

U kthye në Moskë më 18 qershor 1939, pas netëve të Shën Bartolemeut dhe vetëm në stacionin e trenit mësoi për arrestimin e së motrës Asi. Burri i saj Sergei Efron, të cilin qe betuar të mos e braktiste, qe i sëmurë nga dëshpërimi. Cvetajevën nuk e arrestuan, por e dënuan me indiferencë, me mosbotime, me varfëri… Në ditarin e vet, ajo ka shkruar:
“Rroj pa i treguar askujt… Së pari, ndjesia e kuzhinës së huaj. Një vapë e çmendur, që nuk mbaj mend të tillë:çurgu i djersës dhe i lotëve në tas…” Takimi me Ana Ahmatovën, i arritur më në fund, e emocionoi, por sepse i zhgënjeu që të dyja: ishin tejet të ndryshme. Pasternaku përpiqej t’i ndihte Cvetajevës, por mardhëniet e tyre, dikur të afërta, nuk u përtërinë dot. Cvetajeva e ka pranuar në ditarin e vet: “S’kam te kush të mbështetem…” Më pas arrestuan vajzën e saj, Aljen dhe më në fund të shoqin. Ja nga se u thur ajo nyjë, që ajo e përdori për të varur veten më vonë. Cvetajevën e vendosën në qytetin e gurtë Ellabuga, ku edhe u var.
Cvetajeva shkroi një lutje me kërkesën që ta ta punësonin pjatalarëse në mensën e shkrimtarëve në Çistopolje (vetë ajo, nuk ishte anëtare e bashkimit të shkrimtarëve). Punë në Ellabuga, nuk mundi të gjente. Në arkivën e shkrimtarëve të Tetarisë gjendet letra e saj e dëshëpëruar, ku ajo afronte shërbimet e saj për përkthime nga gjuha amtare në këmbim të sapunit dhe të disa kaushëve me duhan. Por nuk mori përgjigje nga Bashkimi i Shkrimtarëve të tetarisë, që gati ishin të gjithë të arrestuar dhe atë e drejtonte një funksionar ekonomist. Sipas dëshisë së të zotërve të shtëpisë, ku Cvetajeva u strehua me të birin, atë e mbante mirë me ushqime një milice vendase, të cilën poetja e ndihmonte për larje rrobash.
Pasi humbi çdo shpresë, nuk e duroi dot më “detin e poshtërimeve” dhe u var në hajat (me litarin e Pastërnakut)…
Kam qenë në vitin 1970 në Ellabuga, ku Cvetajeva, ende nuk kishte gur-varri, por vetëm një dru me mbishkrimin: “Në këtë anë të varrit është e varrosur Marina Cvetajeva”. Unë shkrova atëherë, poezinë: “Gozhda e Ellabugës”

Elbarozja Ellabuge, ti mend e mban
pas në amshim, atë qytetare,
teksa qante, pinte dhe pinte duhan
nga ai kaushi yt që të mbyt fare…
Zotit i lutej shpirtvrarë e molisur
që rroba për të larë t’i jepnin asaj,
ju lejomni Marina Ivanovna,
të rri pak aty ku ju jetuat pa faj…
Marina Cvetajeva është faji ynë i papagueshëm, por dhe dashuria jonë e përjetshme. Poeti mund të jetë i pashtëpi, por kurrë vargjet e tij…

E. Jevtushenko, 1990