MENU
klinika

Me ritme të ngadalëta

Kapacitetet prodhuese në rritje?

25.07.2019 - 13:29

Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese nga bizneset shqiptare është në përmirësim, megjithatë rritja ende nuk ka një ritëm të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, ky tregues shfaqi një tablo mikse edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019.

Bizneset në sektorët e ndërtimit dhe të tregtisë i shfrytëzuan më shumë potencialet e tyre të biznesit, ndërsa në industri dhe shërbime u vërejt një rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit për tremujorin e dytë rezultoi në rreth 66.8%.

Kjo normë është më e lartë, si krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, me 6.8 pikë përqindje, ashtu edhe kundrejt mesatares historike të saj, me 3 pikë përqindje.

Në sektorin e tregtisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi gjithashtu rritje, si në terma tremujorë, me 2.1 pikë përqindje, ashtu edhe në terma vjetorë, me 0.7 pikë përqindje.

Megjithatë, kjo normë qëndron në nivelin 73.3% dhe është rreth dy pikë e gjysmë poshtë mesatares historike, shkruan scan.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e industrisë rezultoi 76.7%, 0.3 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë.

Por, kjo normë është më e lartë krahasuar me një vit më parë dhe rreth 4 pikë sipër mesatares historike.

Krahasuar me tremujorin e parë, edhe bizneset e shërbimeve raportuan një rënie të lehtë të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese.

Megjithatë, bizneset e shërbimeve rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë mesatare 78.3%, e cila qëndron 2.9 pikë përqindje mbi normën e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë dhe 2.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.