MENU
klinika

Deklarata

“Kosova shtet i pavarur”, Meta i prerë në Samitin e SEECP

09.07.2019 - 12:35

Presidenti i Republikës,. Ilir Meta mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të vendeve të Europës Juglindore.

Në fjalën e Tij, drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta, duke shprehur keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Republika e Kosovës, nuk është e pranishme në këtë Samit vuri në dukje se: “Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”, u shpreh Presidenti.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta:

“Të nderuar Bashkëkryetarë,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj!

Dëshiroj ta nis fjalën time duke falënderuar Bosnjen dhe Hercegovinën për organizimin dhe mikpritjen e këtij samiti si dhe për kontributin e saj në Procesin e Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), si Kryesuese e tij përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

Me këtë rast, më lejoni të përgëzoj Kosovën për marrjen e Kryesisë së saj dhe t’i suksese gjatë mandatit në këtë detyrë. Kam besim se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën e SEECP-së, do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, forcimit të dialogut politik si dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon.

Ballkani Perëndimor ka përshkuar një rrugë shumë të gjatë në ngritjen e institucioneve demokratike dhe shoqërive multietnike, të bazuara në parimet e sundimit të ligjit dhe të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Falë zgjerimit të NATO-s dhe integrimit në BE-së, rajoni mbetet i bashkëngjitur fort në arkitekturën më të suksesshme të sigurisë që ka njohur ndonjëherë Europa.

Mund të thuhet pa frikë se kurrë më parë rajoni nuk ishte ka qenë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt. Të marrin për shembull hyrjen në fuqi së fundmi të marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës. Duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë e të vështirë dypalëshe, kjo marrëveshje shënon një hap të madh përpara në përparimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ky është me të vërtetë një lajm i mirë.

Megjithatë, një numër sfidash dypalëshe dhe rajonale ende mbeten në rrugën drejt integrimit të vazhdueshëm rajonal dhe atij për në Bashkimin Europian. Në këtë këndvështrim dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këëtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.

Të dashur kolegë,

Thelbësor është përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues për në Bashkimin Europian. Ndonëse është e vërtetë që procesi i zgjerimit të BE-së është bërë shumë më sfidues për shkak të një numri arsyesh politike të njëkohshme, na duhet të pranojmë se qasja aktuale, e bazuar në kushtëzimin strikt, mbetet një qasje e drejtë. Ne duhet ta mirëpresim këtë qasje si një mundësi për të transformuar vendet tona edhe më tej si dhe për t’iu afruar akoma edhe më pranë Bashkimit Europian.

Shqipëria është e vetëdijshme se ka ende një punë të vështirë për të bërë që të përmbushë kriteret dhe standardet e nevojshme. Ne duhet të japim rezultate të prekshme, duke u përqendruar në reformat që forcojnë institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si dhe krimit të organizuar.

Mbetemi të përkushtuar dhe me shpresë se Këshilli i BE-së do të vendosë në tetor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë fqinje. I jemi mirënjohës vizionit të Kancelares Merkel, që u përsërit edhe në Samitin e fundit të Poznanit, që dhënia e mundësisë vendeve të Ballkanit për t’i bashkëngjitur BE-së është në interesin strategjik të të bllokut komunitar europian.

Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik midis pjesëmarrësve të SEECP, si dhe ndërmjet ekonomive të SEECP dhe BE-së është me rëndësi të madhe për rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe begatinë e qytetarëve të Europës Juglindore.

Procesi i Berlinit ka arritur të prodhojë një dinamikë pulsuese në procesin e integrimit evropian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar në axhendën e ndërlidhjes, bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve njerëzore. Jemi të bindur se këta përbërës, që u përforcuan edhe nga udhëheqësit e Bashkimit Europian në Poznan, qëndrojnë në thelbin e rrugës së pranimit në BE dhe do të shërbejnë gjithashtu si shtysë për një paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor miratuan në Samitin e Sofje Deklaratën për Axhendën Dixhitale të Ballkanit Perëndimor, i cili i dha formë axhendës rajonale në shumë fusha, veçanërisht në ato që lidhen me roaming-un, transformimin dixhital të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe Qeverisjes-elektronike. Shqipëria e mirëpriti nënshkrimin prillin e shkuar në Beograd të marrëveshjes rajonale të Roaming-ut në Samitin Dixhital si dhe hyrjen në fuqi të asaj marrëveshjeve gjatë këtij muaji, në korrik.

Eksodi i një numri të madh të rinjsh të arsimuar e të kualifikuar përbën një kërcënim të mundshëm për stabilitetin e vendeve tona. Kjo dukuri nuk perceptohet si diçka e përkohshme dhe duhet të adresohet nga çdo qeveri më vete, por edhe bashkarisht nga të gjithë aktorët relevantë në rajon.

Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe vënia e theksit te perspektiva europiane u siguron të rinjve një shtysë pozitive për të çliruar potencialin e tyre në nxitjen e pajtimit në rajon si dhe në ndërtimin e shoqërive të begata. Shqipëria, duke qenë vendi pritës i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, po i inkurajon këto nisma të reja që të shnëdërrohen në shembujt më të mirë të promovimit e bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes shkëmbimit të programeve dhe veprimtarive.

SEECP-i ka qenë e përfshirë me sukses dhe në mënyrë aktive në këto procese përmes instrumentit të saj operacional, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Ne duhet të njohim kontributin e rëndësishëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për ta mbështetur zhvillimin në hapësirën tonë, përpjekjet e tij për të sjellë ide si dhe për të zbatuar projekte në interes të një bashkëpunimi të zgjeruar rajonal.

Ne jemi të gëzuar and ndihemi krenarë për faktin që një shqiptare po kryeson me sukses Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, e frymëzuar nga qyteti i bukur i Sarajevës.”