MENU
klinika

Lëvizje të bujshme në merkato

Lukaku pranë Juves/ Interi hidhet në sulm për alternativën B

31.07.2019 - 12:53

Romelu Lukaku pritet të mbetet “ëndrra e një nate vere” për Interin, pasi belgu është tashmë shumë pranë kalimit te Juventusit, duke qenë se bardhezinjtë dhe “djajtë e kuq” kanë rënë dakord për një shkëmbim kokë më kokë me Dybala!

Aktualisht Juventusi ka arritur marrëveshjen me Lukakun, ndërsa menaxheri i Dybalës ka udhëtuar drejt Manchesterit për të negociuar kontratën e re të klientit të tij dhe sapo të ketë një akord mes palëve, pritet të zyrtarizohet edhe shkëmbimi.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Interit pritet të bëjnë një sulm final për Edin Dzekon, duke rritur në 18 milionë euro ofertën ndaj Romës, me qëllim që ta sjellin sa më parë boshnjakun nën urdhrat e Contes.

Por nuk mbetet me kaq, sepse më pas drejtuesit zikaltër do të tentojnë të sjellin në skuadër edhe sulmuesin uruguaian të PSG-së, Edison Cavani.

Ky i fundit, nëpërmjet menaxherëve të tij, ka dhënë miratimin për një kalim në Milano, ndërsa po punohet për sistemimin e detajeve. Cavani ka një kontratë deri verën e ardhshme me PSG-në, kështu që francezët do të ishin të lumtur po të përfitonin rreth 30 milionë euro për kartonin e tij, por problem mbetet paga e sulmuesit, që aktualisht përfiton rreth 12 milionë euro në vit.

Drejtuesit e Interit po mendojnë t’i ofrojnë një pagë të reduktuar, ose rreth 9 milionë euro në sezon, por me ndryshimin që kontrata me zikaltrit do të zgjasë për 3 sezone dhe jo një sa në Paris, ndërsa më pas Cavani mund të transferohet në Kinë te Jiangsu.