Shtatëmbëdhjetë vjeçe, Geraldina tashmë është një vajzë e re, që të le pa mend. Me shtatin e derdhur, flokëverdhë, me karakter të fortë, tek ajo shkrihen eleganca hungareze me natyrshmërinë amerikane. Fytyrën me tipare të përsosura, ia ndriçojnë edhe më shumë sytë blu me qerpikë të kthyer dhe buzëqeshja që të bën për vete, për të cilën ajo është e ndërgjegjshme dhe që i jep jo pak siguri në vetvete. Prej shumë kohësh Geraldina i magjepste të gjithë, askush nuk e kundërshton dot për asgjë, por këto fitore të lehta nuk janë edhe aq interesante për vajzën, e cila tashmë ëndërron të hedhë hapat e parë në shoqëri. Veten e përfytyron në mënyrë romantike,”duke kërcyer me fustanin e gjatë në sallonet, luksoze e të zbukuruara të pallateve të Budapestit”.
Kjo mund të jetë e vërtetë, por sado që vajza e re të përplasë këmbët nga padurimi për të vënë në jetë këto ëndërra, xhaxhallarët dhe hallat e saj e marrin ca më shtruar. Mosha e re, bukuria verbuese dhe e parakohshme, përgjegjësitë që u bien personave që kanë nën kujdestari këtë vajzë të re, pa pasuri, por me një emër të ndritur, i shtyjnë Apponyi-të jenë tepër të kujdesshshëm. Veç kësaj, hyrja në shoqëri nuk bëhet e pamenduar. Ata përpunojnë një strategji të studiuar dhe të peshuar mirë. Veshjet e bukura nuk mjaftojnë. Kësaj fillestareje i duhen ngulitur mirë në kokë rregullat e sjelljes në shoqëri, i duhet caktuar një shoqërues, që duhet të këqyrë personat që ajo takon dhe së fundmi, të zgjidhet rasti i duhur.
Një ngjarje rastësore do t’i japë fund ngurrimeve të familjes Apponyi: atë vit stina hapet me një ballo të organizuar nga monarkistët hungarezë. “Disa pjesëtarë të familjes sime ishin thjesht patriotë, të lidhur me pavarësinë e Hungarisë. Të gjithë, mbanin marrëdhënie të mira me familjet e pasura të bankierëve hebrenj, dikur miq të të ndjerit babait tim, por, pjesa më e madhe e familjes sime ishin monarkistë ”, sqaron mbretëresha. Kështu, për xhaxhallarët dhe hallat, ishte më se logjike dhe u dukej lumturi e madhe që daljen e saj të parë zyrtare, Geraldina, mbesa e tyre, ta bënte me rastin e asaj balloje, ku rëndësia politike nuk i shpëtonte askujt dhe ku, pikërisht për këtë arsye, do të ishte edhe ana pozitive, sepse do të përziheshin brezat e rinj me ata të vjetër.
Hungaria, tashmë e pakësuar në territore, pas mbarimit të luftës, më 1918, përballet me vështirësi ekonomike dhe politike por, në Budapest jeta mondane është tepër e gjallë. Për këtë, pa dyshim ka kontribuar edhe mënjanimi i tuteles vieneze, me ceremonialin e me etiketën e rënduar. Ndoshta në kete ngazellim, përveç manifestimeve me karakter të spikatur kombëtar, duhet vënë në dukje edhe ndërgjegjësimi i hungarezëve se, për herë të parë pas shekujsh, vendi është krejtësisht i pavarur. Pallatet më të bukur të Budapestit hapin dyert për Vitin e Ri. Duke qënë se të rinjtë e shoqërisë së lartë shkojnë vetëm në ballo private, është e domosdoshme që, për atë rast, të merret me qira e gjithë taverna. Familjet që banojnë nëpër kështjella dhe në provinca, shpejtojnë për në kryeqytet, ku, për arsye ekonomike, marrin me vete ushqime dhe shërbyes. Janë në modë orkestrat që luajnë muzikë jazz dhe ndonëse polka dhe valset kërcehen ende, moda e tangos dhe e çarlestonit, ka arritur kulmin. Në mesnatë mbërrijnë ciganët, që i mbajnë vallezuesit deri në mëngjes, me këngë e me tinguj të harbuar. Me agjërimin e pashkës, mbyllet sezoni i Budapestit dhe pritet me padurim që të rihapet në pranverë sezoni farfuritës i Vjenës. Atje ka më pak vrull dhe as bëhet fjalë për ciganë. Kërcehen më shumë valse dhe më pak çarleston, por vajzat e reja bëjnë përpjekje të veçanta për veshjen; ngjyrimet e ndryshme të çdo mbrëmjeje i japin sezonit një origjinalitet të rrallë.
Si për ters, vetëm disa javë përpara ngjarjes, kur Geraldina jetonte në pallatin Karolyi, operohet me urgjencë nga një apandesit akut. Rasti i ndërlikohet me një diabet, të cilin mjeku e trajton me injeksione insuline, kurse hallë Fanija me… një kuti me çokollata, të blera te Gerbedaud-i, pastiçieri i famshëm në sheshin Vorosmarty! Një mjekim tepër i çuditshëm, për të cilin mbretëresha vite më pas do të habitet: “As vetë nuk e di se si kam shpëtuar pa pasoja nga ajo periudhë. Do ketë qënë dëshira e Zotit…”
E vendosur në një dhomë të bukur të veshur me brokart blu, konvaleshenten, e llastojnë më tepër se zakonisht. “Hallë Fanija më tregonte të gjitha llojet e fustaneve, që mund të më pëlqenin dhe me shumë dhimbsuri, më shpjegonte rregullat e mirësjelljes. Për shembull, unë nuk duhet të dilja kurrë pa shoqërues, siç nuk duhej të përshëndesja persona, me të cilët nuk isha njohur në mënyrën dhe në formën e duhur. Atëherë, gjithçka më dukej e thjeshtë për shkak të rinisë dhe të haresë që provoja nga ideja që do të shkoja në atë ballo.”
Meqënëse, kontesha Apponyi nuk del më nëpër festa, zgjedhja e shoqëruesit i takon Adele Apponyi-së, një hallë tjetër të Geraldinës, e cila ka mbetur beqare. Kjo grua shtalartë dhe me karakter energjik, e shoqëron të mbesën kudo e me një entuziazëm rinor. “Ajo grua nuk lodhej kurrë dhe ne mezi e ndiqnim”, do të kujtojë me zbavitje Virginia, në vitet 1990.
Më në fund, vjen edhe dita e madhe! Balloja e monarkistëve nuk lëviz fare nga rregullat dhe fillon me një ritual të pandryshueshëm: “Ne kalonim nëpër sallonet e mëdha, përkuleshim para çdo dame të ulur dhe u puthnim dorën. Pas këtij parakalimi, dëgjova të pëshpëritej nga pas: “Është vajza e madhe e Gylai-t tonë të dashur”. Babai im dukej se kishte patur shumë sukses me ato zonja … »
Geraldina bën një hyre të paharrueshme, me një fustan me zhupon nga poshtë, prej museline në ngjyrë rozë të zbehtë, me korse poshtë jelekut, të mbushur me kopsa si trëndafila të bardhë, të zgjedhur enkas nga hallë Fanija, që të kishin lidhje me nofkën që i kishin vënë te Klubi i Lulediellit. Mbi flokët me dredha, si një fllad i butë, një kapëse me pupla, ndërsa rreth qafës së gjatë dhe nazike, një varëse e thjeshtë me perla të vogla. Ngazëllimi i vajzës së re, kur i vijnë puthjet e para të dorës është në kulm, jo pse e marrin për grua të martuar, siç pandeh ajo në fillim, por për nderim të mbiemrit që mban dhe për bukurinë e saj aristokrate. Duke qenë se s’ka kaluar shumë kohë që ka pasur probleme me shëndetin, u ka premtuar hallave se nuk do të lodhet shumë. Megjithatë, për shkak të kërkesave të shumta, do të qëndrojë në pistën e vallëzimit deri në agim dhe nuk do te humbasë asnjë kërcim.
Kjo mahnitje e mbrëmjes së parë, nuk i shuhet gjatë gjithë stinës dhe as përgjatë viteve. “Ajo periudhë e jetës sime ishte një ëndërr e vërtetë,” do të pohojë më pas mbretëresha. Nuk mungonin shqetësimet financiare, për të cilat Geraldina është krejtësisht e ndërgjegjshme: “Për fat, shumë shoqe të sime mëje kishin vajza të moshës sime, kështu që unë ftohesha në të gjitha mbrëmjet. Shumë rroba balloje m’i jepnin kushërirat dhe unë mundesha të ndërroja veshje për çdo ftesë. Më kujtohet se kisha ëndërr një fustan kadifeje rubin, e cila m’u realizua vetëm pasi u martova.”
Jetë ëndrrash për një fillestare në jetën mondane, por ndonjëherë edhe ankthesh për shoqëruesit! Gjatë një sezoni në Vienë, Geraldina i punon një rreng motrës së vogël, e cila sapo është martuar dhe i ka zënë vendin hallë Adeles, në rolin e shoqërueses. Një mbrëmje, ajo zhduket bashkë me pesë të rinj të tjerë, tre djem dhe dy vajza. Njëra prej këtyre, më e gatshmja për t’ia hedhur vigjilencës së familjeve, është njëfarë Liliane Baels, gruaja e ardhshme e Leopoldit III të Belgjikës! Herët në agim, të arratisurit u gjetën duke u endur nëpër Prater, pasi kishin ngrënë dhe kishin kërcyer në një restorant të modës. Dukej hapur që i vetmi qëllim i tyre kishte qënë të bisedonin dhe nuk e kishin kuptuar sa e rëndë ishte ajo pakujdesi! Sigurisht, veprimi ishte i pafajshëm, por ato u qortuan rëndë për atë mendjelehtësi. Ishin kohë kur me virtytin nuk bëhej shaka. Geraldinën e ndalojnë të takohet me Lilianën e shpenguar, hijeshia magnetike e së cilës nuk shikohet si cilësi e mirë.
Për magjepsjen e konteshës Geraldinë Apponyi, flasin shumë gazetat e kohës, sidomos Szinhazi Elet-i, një ndër më të njohurat. Së bashku me kavalierin e saj, kontin Ëilczek, kërcimtar me përvojë dhe babai i Emës, shoqes së saj të Pressbaum-it, fitojnë çmimin prestigjoz të konkursit të valsit në Vienë. Konkursi zhvillohet gjatë ballos që quhet “Valset”, gjatë të cilit vajzat e reja veshin fustane të lehta pupël. Geraldina dhe konti, kërcejnë ndonja pesëdhjetë minuta me një virtuozitet të tillë, sa të gjithë verbohen duke parë pistën ku kanë mbetur vetëm ata të dy.
«Gerry”, siç e thërrisnin atëherë, do të ishte shumë e lumtur, se nuk do t’i duhej të përballej me qortimet e pambarimta të familjes, që ia nxinin jetën. Kësaj radhe, nuk bëhej më fjalë për të ditur se kush do të merrej me mbesat jetime nga i ati, por për t’i bindur që të vendosnin për ndonjë nga pretendentët. Këto skena të padurueshme për të dyja motrat, sjellin pasoja të kundërta nga ato që presin Apponyi-të. Virginia është vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç e gjysmë dhe fejohet “si pa e kuptuar” me një djalë të ri, oficer marine, të cilin nuk e do. Geraldina, në kulm të revoltës, i kthen mbrapsht vazhdimisht të gjithë mtonjësit që i paraqiten dhe në fund të stinës së ballove, sëmuret nga një ethe encefalike, që e mbërthen tre muaj në shtrat.
Pasi e merr veten, vajza e re fillon vitin e dytë të daljes, me një entuziazëm të pacënuar. Më të përhapurat në kryeqytet janë ballot kotijon dhe ato me kostume. Pas pak kohësh, përhapet një lajm i bujshëm: Franc Lehár-i do të vizitojë Budapestin. Autori i operetës Vejusha gazmore, është hungarez, por jeton në Austri, ku ia vlerësojnë shumë veprat. Ai, njëlloj si edhe Listi, nuk e kishte aspak gabim kur pohonte që muzika e vërtetë e vendit të tij ishte ajo e ciganëve82. I nderuar, veçanërisht nga kjo vizitë, drejtori i Operas së Budapestit, duke patur parasysh numrin e madh të personave, vendosi të organizonte diçka origjinale e ta konceptonte ngjarjen si një galà bamirësie. Mbrëmja nisi me një koncert me nje veper te Lehár-it, drejtuar nga vetë kompozitori dhe ku ylli i skenes ishte sopranoja Maria Jeritza. Mbrëmja u mbyll me nje ballo te madhe. Midis koncertit dhe ballos programi parashikonte një sërë tablosh muzikore me pantomima, nga rreth dhjetë opera të njohura. Ata që do të intepretonin figurat e personazheve ishin zgjedhur mes të rinjve më në zë të Budapestit. Geraldina ishte caktuar për Miminë, te La Bohème. Këtë detyrë artistike ajo e pranon menjëherë, pasi nuk ishte aspak e drojtur si natyrë dhe ideja e se do të ngjitej në skenën e operas, të cilën zakonisht e shihte vetëm si spektatore, e zbavit pa masë.
Provat janë të shumta dhe në platé jepen urdhra kontradiktore e me të britma të forta. Nga dhjetë tablotë, ajo e La Bohème-ës është më e vështira për t’u realizuar. Vënia në skenë duhet të jetë e përkorë, por tërheqëse, thotë regjisori. Edhe provat me kostumet janë të gjata dhe kërkojnë realizimin e shumë imtësive. Më në fund, meqenëse bëhet fjalë për pantomima, fytyrat dhe gjestet e figurantëve duhet të jenë sa më shprehës që të jetë e mundur.
Geraldina, të cilën xhaxhallarët e kanë shoqëruar shumë herë në opera – asaj i pëlqen Moxarti, Gunoja, Verdi, Puçini dhe Vagneri -, e njeh përmendësh sallën madhështore, në formë patkoi. Megjithatë, në këto rrethana të jashtëzakonshme, ky vend i duket sikur ka një tjetër dritë. Brenda një nate të vetme, ajo do të provojë vetë se sa të forta janë emocionet që përjetojnë aktorët. Ajo sheh se si nga të gjitha anët e qytetit vërshojnë turma elegante dhe e di se për ku po drejtohen. Duke zhbiruar publikun që rri në gjysmëhije, ajo përfytyron se si edhe defekti më i vogël, shtohet një mijë herë nga ato dylbitë e pamëshirshme që ata mbajnë në duar. Shumë kohë para Gulimit mbrëmjes, në hollin e madh, ecet me vështirësi dhe atv-këtu ka njerëz që grinden për poltronat e fundit të mbetura bosh me mirësjellje por edhe me vendosmëri.
Tabloja e La Bohèm-ës, e cila u kishte dhënë kaq dhimbje koke organizatorëve, sipas opinionit të njëzëshëm, është më e arrira. Rindërtimi i Lagjes Latine në Paris, i kafe Momus-it, e mahnit Budapestin dhe dalja e çirakeve rrobaqepëse, e zeshkanes Musetta dhe bjondes Mimi, në sfondin e muzikës me theks tejet lirik, befasoi edhe spektatorët më të përhershëm. Aktoret dilettante, i interpretojnë personazhet e tyre me natyrshmëri dhe pa u sforcuar. Veshjet tepër të thjeshta të Mimi-së së pafat, e nxjerrin edhe më mirë në pah, se sa veshjet e sofistikuara, bukurinë e Geraldinës dhe bëjnë që të shpërthejnë duartrokitjet. “Kostumi im ishte tepër modest. Halla ime e kishte qepur me copë kadifeje në ngjyrë të errët, me një jakë të shkurtër dhe me dantellë, ndërsa flokët m’i kishte lidhur si në epokën për të cilën bënte fjalë Opera”, do të kujtojë mbretëresha. Mund të thuhet me plot gojën se atë mbrëmje, shumëkush u ndie në shpirt si Rudolfi!
Geraldina – Mimi u pa, u admirua, u fotografua. Asaj as që i shkonte ndërmend se një prej fotove me atë veshje të qepur për spektaklin e pantomimës, do t’i paraqitet në mënyrën më të çuditshme një mbreti të vërtetë. Deri më atë çast askush nuk ia ka ndezur zemrën dhe, nëse i kanë mbetur në kujtesë rrezet e diellit të verës në Cobenzl, ku mori kërkesën e parë për martesë, ishte vetë ngjarja ajo që e drithëronte, por jo kandidati, siç e idealizonte ajo në mendjen e saj./Konica.al
Marrë nga “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”, Josephine Dedet