MENU
klinika

Identitet

Në Çajë të Kukësit, ku gjuha është pasuri

21.07.2019 - 12:36

 

      “Gjuha është tepër e rëndësishme, për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”

                                                                                                                                                     Heidegger

 

 

Gryka e Çajës  është  një  trevë e njohur si nëpërmjet shkrimeve, ashtu edhe në përmjet udhëtarëve të ndryshëm. Pra, një trevë me histori deri diku të pasqyruar. Në formën e gojëdhënave episodeve, tregimeve apo shkrimeve janë  pasqyruar veprimtaritë e ndryshme  historike dhe kulturore. Në përfundim të studimeve filologjike kam menduar të bëj një trajtesë të shkurtër  për të folmen e krahinës time që do ta quaja si një dhuratë për të sepse në  këto rrethana unë e ndjeja si detyrim e mall për të bërë diçka sado të vogël lidhur me të folmen e kësaj krahine. Si për çdo njeri edhe për mua, vendi ku kam lindur, aty ku kam kaluar fëmijërinë, lë mbresa më   shumë se çdo gjë tjetër. Qëllimi i këtij studimi është që të japim një pasqyrë të dallimeve dhe tipareve më të rendësishme që ka e folmja e Kukësit, jo vetëm brenda dialektit gegë, por edhe në gjirin e grup të folmeve ku ne bëjmë pjesë, si edhe në disa rrafshe të gjuhës. Mbledhja e materialeve gjuhësore dhe hulumtimet në terren janë me rëndësi për formimin shkencor dhe profesional të specialistëve të gjuhës dhe për formimin gjuhësor të atyre që do të merren me gjuhën shqipe. Raporti i gjuhës standarde me dialektet sot shihet në dritën e një lidhjeje të pashkëputshme si pjesa me të tërën.Top of Form

BE folmja e Çajës,  në raport me fshatrat e tjerë shqipfolës përreth, përfaqëson gjuhësisht në vija të përgjitheshme dhe veçori, në nëndialektin e gegërishtes së mesme dhe në këtë kuadër e kemi përcaktuar në grupin e të folmeve të gegërishtes së mesme qendrore.
Ky grup shtrihet në një brez të gjerë gjeografik dhe kap trevën e Kumanovës, Fushëgropën e Shkupit, Pollogun (Tetovë e Gostivar), Kërçovën, fshatrat gegë të Strugës, Dibrën, Lumën, Matin, prek lehtas në Mirditë, Shkodër dhe zbret deri në Milot./Konica.al
Në këtë grup e folmja jonë zë një vend të veçantë në dialektologjinë shqiptare dhe është një shëmbëllesë më vete e gërshetuar me tipare të së folmes të gegërishtes së mesme qeendrore dhe asaj së mesme lindore.Në këtë vështrim të shkurtër dhe të përgjithshëm dialektologjik, përshkruajmë veçoritë më të rëndësishme, ne radhë të parë, ato fonetike e më pak ato morfologjike, sintaksore, fjalëformuese dhe leksikore.

 

 

 

 

 

Veçori fonetike;

-Theksi:
Fjalët orientale, që në gjenezë mbarojnë me zanore të theksuar, në Çajë dalin me theks parafundor; baba, nana, teneçe, kalli, njeri, veri, pasha, etj.

-Hundorësia:
Zanoret me nuancë hundore në të folmen  tonë, qoftë kur ndodhen në rrokje të hapur, apo dhe para bashtingëlloreve hundore m, n, vërehen shumë pak. Kjo na dikton që të marrim një qëndrim të përgjithshëm se tipari dallues, kundërvënës, zanore gojore (zanore hundore në Çajë) është defonologjizuar plotësisht dhe nuk bie fare në sy, por dhe nëse ndihet tek ndonjë subjekt folës i shkuar në moshë, është i pahetueshëm dhe duket se gjendet në ditët e fundit të ekzistencës.

-Sistemi vokalik;
Sistemi vokalik i kësaj të folme karakterizohet me këtë inventor të zanoreve; të gjata, të shkurtra, të mesme dhe zanoreve të patheksuara.

Zanorja y:
Në pjesën dërmuese të grupit të gegërishtes së mesme qëndrore, zanorja y në të folur ka rënë nga sistemi vokalik. Fenomeni ka ndodhur nën ndikimin e faktorit të brendshëm gjuhësor, që quhet defonoligjizëm.
Në të vërtetë y-ja ka humbur tiparin dallues të buzorisë dhe automatikisht është njëjtëzuar me i-në, d.m.th. është zhdukur opozicioni y/i dhe në rastin krahasues y-ja, nuk na del në asnjë pozicion të fjalës, p.sh. bilik/bylyk, brimë/brymë, çiçe/qyqe, de- tirë/detyrë,Kriesor /kryesor, dill/dyll, gjrikë/grykë, ki/ky, til/tyl, etj. Te një grup fjalësh y-ja e theksuar përveç që ka kaluar në i, ka evoluar dhe më tej dhe sipas rrethanave fonetike është shëndrruar në aj; brrajl/bërril/ bërryl, fajt/fit/fyt, frajm/frimë/frymë, ftajr/ftirë/fytyrë, krajm/krim/krymb, tajm/tim/tym,tlin /tlyn/tlien, etj.
Siç do të shihet në shembujt e mëposhtëm y-ja, kur nuk ka kushte të favorshme fonetike që të kalojë në i, atëherë ajo humb vetëm një pjesë të tiparit të buzorisë, pra humb vetëm buzorinë ekstreme dhe shkrihet në fqinjen e saj të radhës së prapme, pra kalon në u; dunja/dynja, gjunah/gjynah, musafir/mysafir, unajr/yndyrë, Sulejman/Sylejman, Sulbie/Sylbie, Mevlude/Mevlyde, etj.
-Zanorja i:
Si në gjuhën letrare, ashtu dhe në trevën tonë gjuhësore, zanorja i e theksuar përkah tiparet akustike dhe artikulative, është zanore e ngritjes së lartë, e radhës së përparme jobuzore dhe e timorit kryesisht gojor.
Si e tillë ajo na paraqitet në tre pozicionet e fjalëve, pra në atë nistor, mesor dhe fundor, p.sh. imër/ymër, izën, bilbil, bimë, bisht, dimër, dritë, filiz, kandil, dakikë, atkinë, burrni, dorzi, liri, fëshki, mërzi, pupil, terzi, etj.i-ja e theksuar në të folmen tonë zbërthehet në variantin aj (me timbrin bashkëtingëllor të j-së), p.sh. çatajë/çati, kërthajzë/kërthizë, karshajë/karshi, kutajë/kuti, majr/mirë, mllajë/mulli, shtajzë/shtizë, shamajë/shami, shpajn/shpinë, xhamajë/xhami, kmajshë/këmishë, prajshi/prishi, majk/mik, trajm/ trim, etj.

-Zanorja u:
Zanorja u e theksuar si në mbarë shqipen, ashtu dhe në të folmen tonë del zanore e mbyllur buzore, e ngritjes së lartë, e radhës së prapme dhe kryesisht ka timbër gojor. Përkundër kësaj të folmen tonë e veçon fakti se u-ja e theksuar në pjesën dërmuese të rasteve është zbërthyer në variante diftogjesh.
Diftongimi vërehet në variantin au dhe ou, por si duket dominon variant au. Ky variant ka fushë të gjërë përdorimi sidomos te foljet dhe te emrat, por dukshëm vërehet edhe te mbiemrat e ndajfoljet.
Si duket fenomeni ka zënë fill në praninë fqinjësore të bashkëtingëlloreve buzore f, v, p, e pastaj për anologji apo për favorizime të tjera artikulative është përhapur edhe në rrethana të tjera fonetike.
Pavarësisht nga gjatësia e saj, zanorja u e theksuar diftongohet në pozicionin mesor dhe atë fundor, ndërsa diftongimi nuk ndodh asnjëherë në pozicionin nistor.Në pozicionin fundor; ftaue/ftue, shtaue/shtue, vazhdaue/vazhdue, trazaue/trazue, fitaue/fitue, martaue/martue, etj.Në pozicionin mesor; caucë/cucë, nasja/nuse, taufë/tufë, pllaumb/pëllumb, kraushka/krushka, praush/prush, traup/trup, etj.

 

 

 

-Zanoret e theksuara a, e, o;
Në të folmen tonë nuk dallojnë fort nga të folmet e tjera dhe tiparet e tyre themelore dalluese, përkojnë plotësisht me gjuhën e sotme letrare shqipe.
Zanoret e patheksuara;
-Zanorja ë:
Në trevën tonë dialektore zanorja ë, del në pozitë të dobët fonologjike, kryesisht me dominim para sonariteve dhe me tendencë të fuqishme drejt reduktimit në rrokje mesore dhe fundore të fjalës. Fakti historik dhe evolutiv , ka bërë që zanorja ë të mbetet fonema më e reduktuar dhe më e dëmtuar e shqipes. Sidomos në të folmen tonë me kohë ka humbur mbrojtjen nga theksi, e jo vetëm ka mbetur e patheksuar, por ne masë të madhe ka humbur dendurinë e përdorimit të saj.

-Zanorja u e patheksuar:
Kjo zanore ruhet rregullisht në segmentin nistor të fjalës, si në shqipen letrare; ushtri, ujdi, urdi, ushtajmë, ulurajmë, etj. Ndërsa kur rrokja fundore mbyllet me bashkëtinglloret ll, r, nuk dëgjohet fare dhe kalon në ë; oakëll/akull, kumbëll/ kumbull, kungëll/kungull, vetëll/vetull, lepër/lepur, hekër/hekur, etj.
Në prerjet fonologjike kur u-ja e patheksuar përdoret si trajtë e shkurtër e në lidhje me ua, atëherë dëgjohet v; va mora/ua mora, va dhashë/ ua dhashë, va lashë/ua lashë, etj.

 

 

 

 

-Togjet e zanoreve;
Në shumicën e të folmeve të dialektit gegë, hetohet prirja e hereshme për t’a vendosur theksin në elementin e parë u, ndërsa përbërësi i dytë e, reduktohet plotësisht ose pjesërisht. Në Grykë Cajë tendenca e rrudhjes së diftongut, si kompensim të reduktimit dha zgjatjen e zanores u, më tej zbërthimin e saj në au. Kjo ndodh në këto raste:a.Tek emrat foljorë; raujtja/rujtja/ruejtja, praumja/ prumja/pruemja, kraumja/krumja/kruemja, rraumja/rrumja/rruemja, etj.b.Te mbiemrat foljorë; i martaum/i martumë/i martuem, i punaum/i punumë/i punuem, i dorzaum/i dorzumë/i dorzuem, etj.Në disa raste diftongu au i dalë nga u-ja e gjatë shoqërohet edhe me elementin e dytë të togut mirë- fillës. Kjo ndodh tek emrat e tipit; kraue/kru/krue, ftaue/ftu/ftue, thaue/thu/thue, prraue/prru/pëllue, etj.

-Togu ye, ie:
Në sistemin vokalik të Cajës, zanorja y nuk bën pjesë, ajo ka kaluar në i dhe në vijim të vështrimit tonë, mbetet të ndalemi vetëm në togun ie. Përafërsisht mund të themi, se ky tog ka ndjekur rrugën evolutive që ka bërë edhe togu ue. Në raste më të shpeshta që na kanë rënë t’i dëgjojmë proçesi vazhdon si vijon; i-ja e dalë nga togu ie njejtësohet me aj, p.sh. majllë/mill/miell, fajllë/fiell/fyell, kraje/krie/ krye, pajt/piet/pyet, etj.

Sistemi konsonatik;


-Bashkëtingllorja g:
Kjo fonemë në të folmen tonë, ka tendencë të theksuar që të kalojë në okluzivin e qiellzës së mesme gj dhe në radhën folsore një paraqitje e tillë gjuhësore del në të gjitha pozicionet. Kështu na del në fillim të fjalës, qoftë kur ndodhet përpara zanoreve, apo bashkëtinglloreve; gjacë/gacë, gjejtan/gajtan, gjardh/gardh, gjushë/gushë, gjrosh/ grosh, gjrusht/grusht, gjrumbëll/grumbull, etj.
Fenomeni vepron edhe në mes të fjalës, e sidomos kur ndodhet edhe në mes të dy zanoreve; argjat/argat, egjërsajë/egërsi, lugjat/lugat, legjen/legen, magjar/ magar/gomar, zagjar/zagar, etj.
Në kushte të caktuara fonetike g-ja, kalon në gj edhe në fund të fjalës; begj/beg, largj/larg, i ligj/i lig, zogj/zog, etj. Fonema g në fillim të fjalës, por dhe në fund të saj ruhet e pa- prekur te shembujt e tipit; gajle, gajret, gërdi, gram, granit, shteg, fang, vang, etj.Bashkëtinglloret q e gj: Në sistemin bashkëtingllor të të folmes tonë, ky çift i fonemave vende-vende është në funksion të bashkëbisedimit, por jo në atë masë sa të përputhet plotësisht me tipin e përbashkët të gjuhës letrare.
Themi kështu sepse ato në pjesën më të madhe të fjalëve kalojnë në afrikatet paragjuhësor ç e xh dhe afrikatizmi prek të tria pozicionet e fjalës.a.Në fillim të fjalës; çafë/qafë, çark/qark, çen/qen, çerpajk/qerpik, çëndajs/qendis, çiçe/qyqe, xhak/ gjak, xhallë/gjallë, xhellë/gjellë, xheth/gjeth xhizë/ gjizë, xhetë/gjetë etj.b.Në mes të fjalës; face/faqe, leçe/leqe, mëstieçe/ mustaqe, shoçe/shoqe, teneçe/teneqe, maxhe/ magje, taxhi/tagji, etj.c.Në fund të fjalës; fiç/fiq, hiç/hiq, miç/miq, i keç/i keq, i kuç/i kuq, doxh/dogj, rexhë/regjë, etj.Te një numër i konsiderueshëm fjalësh çifti i këtyre bashkëtinglloreve është ruajtur, p.sh. qatip, qafir, qebap, qeder, qel, qefil, qibrit, gjeneral, gjel, gjerdan, argjend, etj.Bashkëtinglloret e tjera shqiptohen besnikërisht në të gjitha pozicionet dhe nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë vështrimi. Ato pa ndryshime të theksuara i kryejnë të gjitha funksionet përkatëse ashtu siç ndodh në mbarë shqipen letrare.

Ne këte fjalorth siç mund ta quajmë po  paraqes disa fjalë  dhe shprehje krahinore të  zonës nga vij unë.  Ateherë  po  flasim për një krahinë  të zonës së Kukësit  përkatësisht Gryka e Çajës e cila është një zonë kufitare. Banoret e kesaj zone flasin gjuhen shqipe , gegerishten  , me një theks të veçantë , gegërishte teskajshme verilindore , me zanore të zgjatura dhe të theksuara ne trup te fjalës.  Me zhvillimet e ndryshme  si  të arsimimit , futjes së gjuhës letrare nëpër shkolla , këmbimit te eksperiencave  midis krahinave te vendit në periudha te ndryshme kohore gjuha e banorëve te kesaj zone ka pesuar ndryshime.  Pra , e folmja e Grykes së Çajes  hyn në dialektin gegë, në  nëndialektin verilindor , e folme krahinore. Sigurisht si kudo edhe në të folmen e kësaj treve  kane depërtuar fjalë të huaja kryesisht turqizma  për vetë  kohen e  gjatë të sundimit turk , si dhe shkollimit te  figurave të ndryshme në mejtepe dhe shkolla turke , apo komunikimit administrativ te kohës . Gjithashtu  ka dhe shumë fjalë  të burimit sllav , sigurisht edhe këto nga ndikimet sllave  gjate kohërave  dhe duke pasur parasysh se është nje zonë kufitare , por sllavizmat nuk kanë ndonjë  ngarkesë të  madhe ne ketë drejtim./Konica.al

 

 

 

 

 

A

Abllang(emer) – dërrasa e parme dhe e pasme e samarit të kalit , në  të cilin mbërthehen dërrasa të tjera.

Arsejt(emer)– përdoret në kuptimin e edukatës dhe miresjelljes: ‘’ Ke dale arsejt” , themi kryesisht per ata  tërinj që nuk sillen mirë, I ka dale boja.

Almasje( emer) – Parmenda me pajisjet e tjera me tëcilat punohej toka.

Argjaç(emer)–  Vend ku ndalin bagetitë për të  fjetur natën , në  bjeshkë  , kullotë  , apo gjatë shtegëtimit.

B

Ballshar(emër)- Pjesa e catisë  mbi anën e ngushtë të  ndërtesës.

Baravajtë(folje)- Bisedë me ze te ulët , me baravajte gjatë bisedës , kush baravajtet ne oborr ? etj.

Berkallë(emër) – dërrasa që perziejmë  miellin e hallvës  , ose diçka tjetër ne kusi gjatëkaverdisjes  ose zierjes psh. ( qumësht , gjizë).

Bridhët (mbiemër) – I shkrifët , p.sh. patate e bridhët , tokë e bridhët etj.

Bushkatë(folje)–buluritë ( për qetë) ,  jane duke u bushkatë qetë.

Buzhdare(emër)- lëvorja qe mbeshtjell kokrrën e fasules.

C

Capël(emër) – guralec të vegjël me te cilët loznin fëmijët.

Ce(emër)- mjet tezgjahu që vihet ne drugës e mbështjellur me pej.

Caucë(emër)–  vajzë.

 

 

Ç

Çajç(emër) –  maja e opingës llastikut

Çiftele(emër) – Kalë ters , I prapë gjatë  përdorimit

Çirthi(emër) – thuhet për dy ose më shumë  veta kur rrinë ne këmbë , duke lëvizur sa andej  kendej , gati per tu zënë me njëri tjetrin.

Çufaleke(emër)- hark me thupër e llastik , lojë për femijë

Çupë ,Çapë(emër) – dele me vesh te shkurtë.

D

Demë(emër)– kati I parë kur shtëpia ështëdykatëshe.

E

Erbap(mbiemër)– themi per  dikë qëështë  I shkathët , që nuk përton.

F

Fugjaj(emër)– hi I nxehtë

Fulç(emër)i– jane dy dërrasa qëmbajne shpaten ne rasboj , tezgjah.

Ftorrë(folje)- me ftorrë thuhet për kalin kur bën zhurme me hundë  , ose njeriu qe nuk I pelqen diçka dhe shfryn me hundë.

 

G

Galimere(emër)- diçka e bërë grumbull  me kulm.

Gallajtë(folje)-  nxit , me e nxit diçka.

Gërfelle(emër) – zgavër  , gollë.

Grashd(emër)- vend qe lidhen  bagetitë  për të ngrënë ushqimin .

Gj

Gjelas(emër)–  fytas , barazim , kur nuk e mund asnjëri- tjetrin

Gjilze(emër)-  vendi ku ngjitet kofsha me trupin tek kali dhe kafshët e tjera.

Gjojë(emër)– goja.

H

Halabak(mbiemër)-  themi për dikë që është I ngathët

Haliç(emër)-  gur të vegjël në madhesinë e një molle.

Hergjele(emër)-pelë e pashiluar.

Hor(emër) – themi për një njeri që nuk është I besës.

 

J

Jarmë(emër)- misër I bluar trashë që përdoret si ushqim për bagëtitë.

 

K

Kadal (ndajfolje)–ngadalë

Kërmajtë(folje)-  me e djegë bukën gjatë pjekjes ose diçka tjeter.

Kllaje(emer)–  gjella që përgatisim për qentë , për lopët kur pjellin etj

Kllajë(folje)- themi kur na lag shiu psh.

Kolir(emër)- vatër.

Korbëll(emer)- shekë e madhe për turshi

Koritë(emër)- eshtë nje enë qe përdoret për tëlarë rrobat por edhe për t’ju dhënë ujë bagëtive .

L

Lirek(emër) – foshnja , rroba me te cilin lidhim fëmijen ne djep.

 

M

Mahi-a(emër)  – trarë te hollë me tëcilët ngrehet çatia e shtepisë.

Mezder(emër) – pjesë mishi që mbetet nën lekurë gjatë rjepjes së berrit.

Mleshtër(emër)– sëmundje lëkure te kafshët.

Mtaj(emër)–  mjet që përdoret për të tundur kosin.

Mtoj(folje)– dalloj një send , kuptoj diçka , e mtova kur hyra  brenda

 

 

N

Nakadër(emër) – themi për dikë që është I ngathët ( psh. Pse rri si nakader).

Nanarecem(emër) – themi për fëmijet që nuk flasin qartë , pa kuptuar ose kur qajnë kot , psh. Pse nanrecesh.

Nej(folje) – shtrij , neva drithin , neva rrobat etj.

Netëll(emër)– fshesë

Noksan(emër)– themi për një njeri që është me tëmeta fizike dhe mendore.

Nervlit(folje)- zhubros diçka

Nërdorëse(emër)– shekë e vogël me dorezë që merret me bylmet me vete gjatë ditës.

Nrajskëll – gershetë , që  përdoret në punë të ndryshme.

O

Ofshe(pasthirrmë)– themi kur na vjen keq për dikë ose për diçka , psh . Ofshe si paska vdekë

Oshe(folje) – fik dritën , zjarrin.

P

Përhale(emër) – shtrese e hollë dëbore në dimer.

Përllag(emër) – bëj pis diçka.

Përthajas (folje)–duke dalë drita në  mëngjes herët.

Picirroke(emër) – stol I vogël për tu ulur.

Pllavajtë(folje)– ujis bimët me pleh organik , I pllavajtë.

Polare(emer)– dërrasë e rrumbullakët për të përgatitur byrekun.

Potere(emër)- zhurmë ( mos bëj potere).

Pushterkë(emër) – përparëse leshi.

Q

Qoshnar(emër) – mahia e qoshit për ngrehje shtëpie.

 R

Reka(emër)– I themi lumit( fjalë me origjinë sllave)

Reze (emër)–  pafte dyersh apo dritaresh , doreze  për të  mbyllur   derën nga e para.

Rogushe(emër) – dele me brirë.

Rucoj(folje) – futem aty këtu për të gjetur diçka.

Rr

Rrajthe(emër) – opinga të arrnuara.

Rreshte(emër) –  dy fije lëkure qëu varen dhive nën fyt si gishta.

Rrugzina(emër) –  pece të gjata prej leshi qëmbathen me opinga .

Rraskille(emër) – rrasë e holle guri.

S

Shoë(emër) – dru me dy vesha për të mbajtur  anën e kalit gjatë ngarkeses.

Somke(emër)– toje , litar I holle më tëcilin lidhen këmbet e deles kur qethen.

Sporkë(emër)– lëkura e nje qingji te ngordhur që I vihet sipër nje qingji tjetër  që ta pranojë delja  për te pirë qumesht.

Stelarak(mbiemër) – Leckaman

SH

Shagalitë(folje)– e lëkund , e tund për krahu.

Shervete(emër) – shami.

Shkeze(emër)– fije druri e hollë.

T

Tajshka(emër)– themi për drurët e holla tëzjarrit.

Topan(emër) – gur me një plis sipër , që përdorej për ndarje kufijsh.

U

Urrelë(emër)– lere gurësh në pjerrtesi gati  për të rrëshqitur.

V

Vaçkë(emër)– vrimë , birë .

Vështajk(emër) – një  pjesë e ngushte cohe leshi kur e endim.

Vështajne – mbeturinat e hojeve të mjaltit.

Vizllojnë(folje)– bejnë xixa.

XH

Xhejbe(mbiemër) – barse , për lopën , delen , etj.

Xhollë(emër)– rrasa guri ku u hidhet bagëtive kripë.

Z

Zastoje(emër) – trina te bëra me ristela për ndarje të vathit deleve e bagëtive.

Zalloshkë(emër) – copë  lëkure që vihet në opingën e grisur.

Zda(emër) – hapsira në cati mes murit dhe mahive.

Zhurrelë(emër) –  shif ( urrele) I njëjti kuptim.

Zharrajti(folje)– djeg furra , djeg dielli etj.

 

 

Nga: Unaz Ivani

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqiptarët, një racë e rrallë; miq e armiq të turqve!”

‘Shqiptarët më 1904-ën’, si i përshkruante gazeta amerikane

Çamët Lidhjes së Kombeve

“Nuk jemi turq, mos na shkëmbeni”