Miqësia i ngjan librave të vjetër, që koha u jep atyre më shumë vlerë.
Dita Botërore e Miqësisë, është dita ku më së shumti duhet të falënderojmë miqtë që kemi pranë, t’i vlerësojmë ata dhe të shprehemi se sa me fat jemi që i kemi. Dita e sotme përkon me kremtimin e një prej lidhjeve më të rëndësishme në jetën e njerëzve: Dita Botërore e Miqësisë. Themeluar nga OKB-ja në vitin 2011 për të promovuar miqësinë midis popujve dhe njerëzve, kulturave dhe vendeve, me qëllim mbështetjen gjithnjë e më shumë të paqes dhe ndërtimin e urave që lejojnë njohjen reciproke të njëri-tjetrit, kjo ditë i dedikohet veçanërisht të rinjve, të cilët do të jenë udhëheqësit e të nesërmes dhe përgjegjësit kryesorë për mirëpritjen e kulturave të ndryshme dhe respektin e ndërsjellë./Konica.al
Në të kaluarën, orvatjet e para të ditës për të festuar miqësinë datojnë në vitin 1930, në Amerikë, ku ishte caktuar 2 gushti si dita e miqësisë, por nuk fitoi popullaritet pasi nga publiku u konsiderua më së shumti si një “propagandë marketingu” për të shitur kartolina. Në vitin 1958, në Paraguaj, Dr. Ramon Artemio propozoi të festonte miqësinë, duke ngrënë darkë me miqtë në Porto Penasco. Ky takim i thjeshtë ishte gurthemeli për krijimin e një dite të tillë, e cila mori jetë në vitin 2011, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 30 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë.
Miqësia është marrëdhënia më kritike pas familjes, madje në disa raste i tejkalon edhe këto caqe. Gjithsecili ka nevojë për një mik krah tij, që në fëmijëri. Miqësia rritet ndërsa njerëzit moshohen dhe, sa më shumë kohë kalojnë së bashku, aq më të forta bëhen lidhjet që bashkojnë miqësinë. Sfidat me të cilat përballemi çdo ditë, bëhen më të lehta kur përballohen me një shok, për më tepë kjo ndjenjë solidariteti luan një rol të rëndësishëm për të ndihmuar shumicën e njerëzve përmes situatave më të vështira. Është fuqia e miqësisë dhe kjo është arsyeja pse Dita Ndërkombëtare e Miqësisë u la mënjanë për t’i kujtuar njerëzit për rëndësinë e miqve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë për t’u ulur dhe për të shijuar vlerat e miqve të tyre.
Dita Ndërkombëtare e Miqësisë festohet në mënyra të ndryshme, në varësi të vendit dhe kulturës. Disa zgjedhin të takohen me miqtë dhe të ndajnë një vakt, ndërsa sjellin ndërmend kujtimet e tyre. Të tjerë paraqesin dhurata, që shpesh përcjellin mirënjohjen e tyre përmes simbolizmit. Në disa vende, mbahen parada në hapësira publike, duke kaluar në shoqërinë e miqve, të cilët marrin pjesë në ngjarje, lojëra dhe koncerte publike falas.
Mënyra më e mirë për të festuar këtë ditë është t’i japim vlerë kësaj ndjenje, duke parë pikërisht ato miqësi që na kanë mbushur më shumë zemrat, ato që na kanë dhënë shpresë dhe, mbi të gjitha, na kanë mësuar më shumë për jetën./Konica.al
Çegevara dhe Alberto Granado
Nëse do të lexoni librin “Latinoamerikana”, do përjetoni faqe pas faqeje aventurën e dy studentëve të mjekësisë dhe, mbi të gjitha miq, Ernesto “Che” Guevarës dhe Alberto Granados. Në vitet pesëdhjetë ata vendosën të përshkojnë së bashku Amerikën Latine me një motor të vjetër “Poderosa”. Gjatë udhëtimit, dy miqtë ndajnë një eksperiencë të paharruar, që do t’i shndërrojë ata nga djem në burra të pjekur. Çdo ditë ata do përballen me situata, rrethana njerëzore dhe padrejtësi, që do t’i ndryshojnë thellësisht.
Princeshë Diana dhe Nënë Tereza
Në vitet 1989-1992, Princeshë Diana po përjetonte momente të vështira në jetën e saj, martesa po prishej dhe nevoja për të gjetur rehati dhe ngushëllim jashtë familjes mbretërore ishte gjithmonë e më e fortë. Ishte Nënë Tereza që shprehu dëshirën ta takonte, ndoshta ngaqë tashmë i kuptonte vuajtjet e princeshës dhe shqetësohej për bashkimin e Dianës dhe Çarlit, si dhe pasojat që do të kishte divorci mbi Uilljamin dhe Herin.
Gjatë takimeve Nënë Tereza e inkurajoi Dianën ta kultivonte dashurinë për të vobektët dhe fëmijët e saj. Pas vizitës në Kalkutë, në ’92-in, Diana shkroi: “Sot diçka shumë e thellë ka prekur jetën time. Shkova në shtëpinë e Nënë Terezës dhe gjeta drejtimin që kam kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve”.
Elioti dhe ET
Kush nuk është përlotur, kur në skenën e fundit të filmit “ET, jashtëtokësori”, Elioti e gjen veten duke i dhënë lamtumirën mikut të tij të huaj? Dy miqtë, jo vetëm që lidhen me një miqësi të thellë, por gjatë afrimit ata madje përjetojnë edhe një lidhje psikike, kur shohim se ET dehet në shtëpi duke pirë birrë, ndërsa Elioti vuan efektet teksa është në klasë. Fluturimi me biçikletë i ET-së dhe Eliotit do të mbetet në histori, sepse është skalitur jo vetëm në zemrën e fëmijëve, por edhe të gjithë atyre që e kanë parë këtë kryevepër kinematografike. Një miqësi që i mësoi një fëmije, që ta duash një mik, do të thotë para së gjithash ta lësh të lirë.
Roza Parks dhe Martin Luter King
Në kohën kur Martin Luther Kingu luftonte për të drejtat e zezakëve, Roza u arrestua sepse nuk pranoi t’i lironte vendin një të bardhi, që kishte hipur pas saj në autobus (në ato vite radhët e para të sediljeve të autobusëve rezervoheshin vetëm për të bardhët).
Po atë natë, Martin Luter Kingu u bashkua me udhëheqësit e tjerë të komunitetit afrikano-amerikan për të bojkotuar të nesërmen transportin publik Montgomery, një protestë që zgjati 381 ditë, por përfundimisht legalizoi ndarjen. Martin Luter Kingu e përshkroi episodin, si “shprehjen individuale të një dëshire të pafundme për dinjitetin dhe lirinë njerëzore”, duke shtuar se “Roza qëndroi ulur në atë vend në emër të abuzimeve të grumbulluara ditë pas dite dhe aspiratës së pafund të brezave të ardhshëm”.
Viktoria dhe Abduli
Së fundmi është publikuar filmi “Viktoria & Abduli”, ku tregohet historia e vërtetë e miqësisë midis Mbretëreshës Viktoria dhe sekretarit të saj, indianit Abdul Karim. I riu Abdul fitoi besimin e mbretëreshës, e cila shpejt krijoi një miqësi të atillë, sa i hap zemrën dhe i beson edhe sekretet më intime. Ai i është absolutisht besnik, madje i mëson Kuranin dhe gjuhën urdu. Përpos seancave gjyqësore, miqësia midis Viktorias dhe Abdulit mbetet e pandryshuar deri në vdekjen e saj. Historia e kësaj miqësie bazohet në ditarët e Abdul Karimit, të zbuluar vetëm në vitin 2010./Konica.al
Aforizma për miqësinë:
Miqtë janë ilaçi për një zemër të lënduar dhe vitamina për një shpirt të pashpresë.
Miqtë e vërtetë janë të vështirë për t’u gjetur, shumë të vështirë për t’i lënë të shkojnë dhe e pamundur të harrohen.
Miqtë tregojnë dashurinë e tyre në momente telashi, jo lumturie.
Miqtë e vërtetë nuk janë asnjëherë të ndarë. Ndoshta të ndarë nga distanca, por jo nga zemra.
Shoqëria nuk është një gjë e madhe, është bashkimi i miliona gjërave të vogla.
Miqësia ka të bëjë me besimin ndaj njëri-tjetrit, ndihmën ndaj njëri-tjetrit, dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe çmenduritë që kaloni së bashku.
Janë miqtë që takojmë përgjatë rrugës, që na bëjnë ta vlerësojmë rrugëtimin tonë.
Miqtë e mirë janë si yjet. Nuk i shohim përherë, por ne e dimë se ata janë gjithmonë në qiell.
Një mik i vërtetë të pranon për atë që je dhe të ndihmon për t’u bërë ai/ajo që do të bëhesh.
Ndërpreva miqësinë time me dy persona. Me njërin, sepse kurrë nuk më foli për veten e tij dhe me tjetrin, sepse kurrë nuk më foli për veten time.
Pak njerëz e kanë në natyrë të nderojnë pa zili mikun e tyre të lumtur.
Për të gjetur një mik, duhet të mbyllësh njërin sy. Për ta mbajtur atë, duhet të mbyllësh të dy sytë./Konica.al