MENU
klinika

Mare Nostrum

Pali, «ungjillori» i Ilirisë – Kristianizmi sipas Niçes

29.07.2019 - 12:48

      Jeta e Shën Palit  është një nga jetët më interesante të njerëzve të shenjtë, pasi ky njeri i cilësuar «i çmenduri pas Zotit» dhe dikur persekutor i tij, ky njeri i linçuar për vdekje dhe i burgosur disa herë, ishte nga bohemët më të mëdhenj që njeh historia e vjetër e Mare Nostrum. Ky shkronjës e dijetar, përshkoi me këmbë mijra e mijra kilometra për të përhapur dritën e një ungjilli, e një «lajmi të ri». Shën Pali është gjithashtu një nga figurat kristiane më të njohura ndër shqiptarët, meqë ai ishte ndër të parët kristianë që solli lajmin e misionit të Jezu Krishtit në brigjet e Ilirisë. Kjo dëshmohet jo vetëm pse shumë kulte të hershme kristiane mbanin dhe mbajnë ende emrin e Shën Palit, (madje dhe fshatra të tëra, të cilat në këtë mënyrë nderonin kujtimin e tij), por edhe pse një nga misionet më të mëdha dhe kryesori në jetën e këtij apostulli ishte përhapja e kristianizmit në Maqedoni, Greqi dhe në Iliri që në dekadat e para të erës sonë. Mungesa e sinagogave hebraike në vitet 50, në brigjet e Ilirisë (hebrenjtë u vendosën pak më vonë në Iliri, në brigjet e jugut), e bënë më të vështirë ndalesën e Palit në Iliri, pasi ai përgjithësisht predikonte në sinagogat dhe vëndet e populluara helenike ku jetonin dhe hebrenj dhe jo aq ndër paganët (malet shqiptare ishin ende pagane dhe jo helenike, në këtë kohë). Por udhëtimet e tij në Romë e anasjelltas, duke përdorur gjithnjë itinerarin e Via Egnatias, që ishte rruga e zakonshme e udhëtarëve që shkonin nga Lindja në Romë e anasjelltas, sollën kontaktin e Palit me Ilirinë edhe pse, në letrat e tij apostolike nuk flitet me emër për këto vende. Në fakt, duhet ditur se shumë letra apostolike të këtij autori të parë të Kristianizmit, nuk kanë arritur deri në ditët tona, meqë ai ishte një nga martirët e kishës kristiane që u përndoq më shumë: disa herë i linçuar nga turmat dhe i rrahur në sheshet publike; disa herë i burgosur, gjersa më së fundi, do të vritej nga romakët. E megjithatë, ky njeri nuk e humbi asnjëherë besimin në misionin e Jezusë./Konica.al

Emri e Palit (ndryshe nga apostuj të tjerë), u ngulit në kujtesën arbërore pasi pikërisht ai kishte vendosur një lidhje konkrete me këtë territor. Studiuesi Gjergj Gashi, në librin e tij Vatikani dhe Arbëria përmend shkurtimisht se në koncilin e Nikesë (viti 325), «kanë marrë pjesë dy peshkopë dardanë: Beni, peshkopi i Stobit dhe Dakusi, mitropoliti i Shkupit, atëherë kryeqytet i Dardanisë. Ndërsa në koncilin e Sardikës (Sofies) në vitin 343, – shton ai, – janë gjashtë emra peshkopësh të këtyre zonave që kanë hedhur firmat.» Kjo e dhënë është me shumë rëndësi për të përcaktuar qartë ngulimet e para kristiane në tokën e Arbrit. Biblioteka e Vatikanit ku janë regjistrat e koncileve të hershme, veç gjurmimeve arkeologjike të rrënojave të hershme, mund të dëshmojnë me saktësi për këtë, duke na njohur me ithtarët e parë që ndoqën Palin në misionin e tij të përhapjes së kristianizmit.

 

 

 

 

 

 

Por së pari, cili ishte në fakt ky apostull, të cilin gjatë shekujve kristianët e cilësuan «të Parin pas të Vetmit», d.m.th. pas Zotit Jezu Krisht dhe që do të hynte në tregimet e hershme biblike edhe të banorëve të Ilirisë? Cili ishte ky shkronjës i parë i historisë së Kristianizmit, duke paraprirë katër ungjillorët e mëdhenj, Markun, Mateun, Lukën dhe Gjonin?

Sipas André-Marie Gerard, në librin e tij Dictionnaire de la Bible, ai e vendos lindjen e Shën Palit në vitet 5-15 të erës sonë, ndërkohë që biografë të tjerë nuk arrijnë ta fiksojnë me saktësi datëlindjen e tij. Studiuesja Marie-Françoise Baslez, në biografinë e saj e ka përcaktuar këtë në vitin 10 të erës sonë.

Shën Pali rridhte nga një tribu e vjetër hebrenjsh, ajo e Benjaminëve. Ai lindi në Tarse të Cilicie-s (në Turqinë e sotme), në një familje farisejsh. Atëherë, Tarse ishte një qytet i helenizuar dhe flitej greqisht, që kishte një universitet dhe një teatër shumë të njohur. Kur u lind, ai u quajt Saul, (emri Paul – Paulus – Pal do t’i vihej kur ai do të bëhej romak, meqë familja e tij ishte një familje tashmë romane e vendosur në pllajat e Anatolisë). Pa dyshim që ai ka qënë i pranishëm kur në këtë qytet u martirizua vazhduesi i veprës së Jezusë, Etienne, i cili më pas do të shpallej shenjt. Që i ri, Pali punoi në tezgjah, meqë ky qytet kishte traditë në prodhimin e pëlhurave me leshin e dhive. Familja e tij merrej me tregtinë e tekstilit, çka shpjegon dhe vendosjen e familjes së tij në Romë. Sipas një burimi historik, në vitin 55, ai kishte një vëlla që jetonte në Romë, i cili quhej Rufus, por që në fakt emri i tij hebre ishte Ruben. Me të jetonte dhe nëna e tij. Më pas, sipas traditës së familjeve çifute të diasporës, Pali shkoi të studjonte në Jeruzalem.

 

 

Persekutori i kristianëve

 

 

Kur ishte i ri, Pali nuk i donte kristianët, pasi për hebrenjtë, Jezuja ishte një «tradhtar» i fesë së tyre dhe kristianët shiheshin vëngër nga hebrenjtë. Madje kur shkruan, Pali e thotë hapur: «Shumë herë i kam përndjekur kristianët dhe i kam futur ata në burgje. Si i çmendur i detyroja të blasfemonin dhe i ndiqja deri në qytetet e huaja.” Në atë kohë, shumë kristianë të persekutuar në Jude, Galile apo në qytetet rrotull Detit Mesdhe, kishin ikur në qytetin bregdetar të Antioche-s si dhe në Damask të Sirisë, meqë atje ndjeheshin më të mbrojtur. Madje, Siria i ishte shkëputur tashmë pushtetit romak. Por rrugës për në Damask, Palit i kishte ndodhur mrekullia. Siç shkruan ai në Letër galatasve (Epitre aux Galates), rrugës atij i ishte shfaqur Jezuja me dymbëdhjetë apostujt. Papritmas ai kishte dëgjuar një zë: – “Saul, Saul, përse më persekuton?” Dhe ai i ishte përgjigjur: “Kush je ti Zotëri?” – “Unë jam Jezuja. Ndërsa ti je ai që më persekuton!» Ai kishte mbyllur sytë një çast dhe kur i kishte hapur, gati ishte verbuar nga drita e madhe. Ky ishte çasti kur dhe ai u konvertua në kristianizëm. Në Aktet IX, Luka e përshkruan vazhdimin e këtij episodi: «Ç’duhet të bëj o Zot? – e kishte pyetur ai Jezunë. – Ngrihu dhe shko në Damask dhe atje do të ta them se ç’duhet të bësh!»… Dhe kështu Pali, vazhdoi rrugën në këmbë gjer në Damask. Ai ishte i tronditur. Tri ditë e net, kishte mbetur pa ngrënë. Dhe kur mbërriti atje, ai filloi të predikonte se «premtimi i Zotit ndaj Abrahamit ishte përmbushur te Jezuja që ishte Mesia i Historisë, Bir i Zotit». Ai filloi të predikonte në turmat e popullit dhe në sinagoga. Kur e dëgjuan, hebrenjtë u habitën nga fjalët e hebreut dhe pastaj të revoltuar iu drejtuan mbretit të Damaskut, Aretas, që ai ta ndëshkonte. Dhe mbreti, i shtyrë nga turmat e revoltuara, donte ta kapte, por një natë më parë, Pali kishte ikur jo nga portat e qytetit, por nga dritarja e një shtëpie që ishte rrëzë mureve rrethuese. Siç tregohet dhe në disa afreskë e mozaikë të vjetër, thonë që atë e kishin futur në një shportë të madhe dhe e kishin zbritur fshehurazi nga muret e lartë. Kjo ndodhi në vitin 40…

Objektivi i parë i Palit ishte tashmë Jeruzalemi, ku sapo shkoi, ai u takua me të parin e apostujve, Pjetrin. Aty ai gjeti dhe mikun e tij Barnabé, i cili do ta njohë me Jakun, peshkopin e Jeruzalemit. Në Jeruzalem, ai qëndroi dy javë, ku nga Pjetri dëgjoi historitë e jetës së Jezusë, Ringjalljen e tij. Ai shkoi të lutej në Tempull, por hebrenjtë sa e panë e përndoqën si një renegat. Kështu ai u detyrua të arratisej drejt Cesare-se dhe pastaj në vendlindjen e tij në Tarse. Kur Barnabe-ja shkoi në Antioche, që atëherë ishte qendra e tretë e kristianëve pas Romës dhe e Aleksandrisë, me t’u njoftuar, Pali shkoi të bashkohej me të. Ishte pikërisht në Antioche, në këtë qytet kozmopolit që kishte shumë hebrenj të helenizuar, ku për herë të parë u përdor fjala “kristian”.

Misioni i vërtetë i Palit për përhapjen e Krishtërimit filloi me Barnabe-në, kur ata ndërmorën udhëtimin në fillim drejt Qipros e pastaj drejt Salaminës së Greqisë, duke ndaluar kudo ku kishte sinagoga. Aty ku ishin “qingjat e humbur të Izraelit”, ata predikonin për shpëtimtarin Jezu. Kur u kthye në Antioche, Pali ishte bërë tashmë një personazh i njohur. Siç shkruhej në tekstet e vjetra, «Që të dy ata, Pali dhe Barnabé-ja kërkuan ta nxirrnin kristianizmin nga vendet e fshehta, pra jo vetëm në lagjet periferike, por ta vinin atë në qendër të qytetit». Midis turmave dhe në sinagoga ai mbante fjalime dhe të shumtë ishin ata që konvertoheshin në kristianë. Pali tashmë e kishte ndërruar dhe emrin e tij dhe nga Saul quhej Paulus. Por një ditë, hebrenjtë që kishin filluar ta urrenin, e kapën dhe e linçuan për vdekje, aq sa ata e lanë pothuaj të vdekur. Por, lumturisht, Pali ende jetonte.

Në Antioche erdhi dhe Pjetri, por ndryshe nga Pali kurajoz, ai nuk foli me atë gjuhë para hebrenjve dhe kur Pali e dëgjoi të predikojë, u zëmërua me të. Kjo ishte dhe grindja e parë e tij me Pjetrin. Për këtë qëndrim të Pjetrit, do të mblidhej dhe një koncil në Jeruzalem, ku erdhën gjithë priftërinjtë e lartë, të cilët kur dëgjuan Palin dhe Pjetrin, më në fund i dhanë të drejtë Palit. Pas këtij qëndrimi në Jeruzalem, Pali do të marrë udhën drejt brigjeve të Mesdheut, përmes Sirisë dhe Cilicie-s. Në Lystres, ai u njoh më një prift të quajtur Timothé, që kishte një nënë çifute dhe baba grek. Më vonë, ai do të ishte një nga nxënësit e tij më besnikë. Pikërisht atje, ai dëgjoi zërin e një maqedonasi që e thërriste. Siç shkruan ai, në ëndërr kishte dëgjuar zëra që i thonin: «Foli popullit… ti ke besnikë në Korint…shko pastaj në Romë. Mos ki frikë. Unë jam me ty!»… Kjo gjë e bindi se ai kishte vendosur një lidhje direkte me Krishtin dhe ashtu, si dhe apostujt e tjerë, këtë thirrje ai e mori si një detyrë të vetë Jezusë.

Atëherë Pali vendosi të mos shkojë në Efez, siç kishte parashikuar, por përmes Via Egnatias të nisej për në Maqedoni, Greqi dhe Iliri. Ky udhëtim e çoi fillimthi në portin e Neapolis, (Kavalla e sotme, vendlindja e Mehmet Ali Pashës), ku zbarkoi dhe pastaj, përmes «Via Egnatia» vazhdoi drejt Filipes, një koloni e dikurshme romake dhe një nga qytetet e krijuara nga babai i Aleksandrit të Madh, duke marrë kështu dhe emrin e tij. Meqë atje nuk kishte sinagogë, hebrenjtë e qytetit mblidheshin buzë një përroi për të bërë rritet e tyre jashtë mureve të qytetit. Në letrat e tij, Pali tregon për qëndrimin e tij në Filipes dhe njohjen me një tregëtare të quajtur Lydie. Shën Luka, që ishte bashkëudhëtar me të, në Aktet, XVI, e përshkruan këtë skenë të mbërritjes së tyre në Filipes. «Ditën e shabatit ne kapërcyem portën hyrëse përgjatë një lumi, ku në breg ishin grumbulluar gra. Ne u ulëm dhe u folëm grave. Njëra nga to quhej Lydie, një tregtare nga Thyatre. Zoti ia kishte hapur zemrën të dëgjonte fjalët e Palit. Kur ajo dhe shtëpia e saj u pagëzuan, ajo na ftoi me këto fjalë: «Meqë ju mendoni se unë besoj te Zoti, ejani rrini në shtëpinë time. Dhe ajo na shtyu të pranonim.»/Konica.al

Meqë Pali shpëtoi nga «demonët» një shërbyese, në Filpes fjala mori dhenë dhe banorët e qytetit e akuzuan se «po i largonte banorët nga zotërit e Romës». Madje ata donin ta vrisnin, por guvernatori vetëm e futi në burg. Pas pak kohësh, një tërmet i çau muret e burgut, dhe gardiani filloi të qante i tmerruar për fatin e tij, por Pali iu shfaq përpara dhe arriti ta konvertojë në kristian. Kur e mori vesh se Pali nuk kishte përfituar të ikte, guvernatori e fali dhe Pali u kthye sërish në shtëpinë e tregtares dhe pak ditë më vonë, iku drejt Amthipolis dhe Apollonia-s, ku siç shkruante ai, «nuk kishte sinagoga, por veçse kaloi andej». Shpesh emërtimi i Apollonisë si vend ku kaloi Pali, është ngatërruar me Apolloninë e Shqipërisë, por në fakt në këtë udhëtim, bëhet fjalë për një Apolloni tjetër, buzë një liqeni të Maqedonisë, pasi në atë periudhë, për nder të Apollonit, disa qyteza kishin marrë emrin e Apollonisë.

 

 

 

 

 

Pas këtij udhëtimi në këmbë, Pali ndaloi në Selanik, ku kishte sinagoga dhe ku jetonte elita e asaj zone. Aty ishte rezidenca e prokonsullit romak, Beroia. Gjatë tre «shabateve» (e shtuna hebraike që është pushim), ai dhe miku i tij Silas, veçse predikonin dhe shumë nga gratë e larta të qytetit, greke dhe çifute u konvertuan në kristiane. Pali predikonte në sinagoga dhe «agora», në pazare apo qëndrën ku mblidheshin njerëzit në shesh. Por përsëri hebrenjtë u revoltuan kundër tij dhe prijësit e qytetit e përndoqën atë. Kështu, ai u detyrua të largohet për në Korint, ku kishte një komunitet të fuqishëm hebrenjsh, por dhe mijëra prostituta, të cilat mblidheshin rreth tempullit të Afërditës. «Tashmë në Iliri flitej se Pali do të shkonte atje», shkruan në biografinë e saj për Palin, studiuesja Marie-Françoise Baslez. Në atë kohë, Korinti ishte një qytet-port i fuqishëm dhe me lëvizje të madhe. Ishte kryeqytet i rajonit të Achaie, e cila ishte provincë romake dhe me guvernator romak. Por edhe këtu, hebrenjtë u revoltuan kundër tij dhe Pali, pasi themeloi kishën e parë, u detyrua të largohej drejt Athinës, ku e priste një sprovë e vështirë. Biografët thonë, se ai shkoi dhe në Delf, Epir dhe Achaie, ku ishte një prokonsull romak dhe ku qëndroi të banonte te një prift i quajtur Titius Justus dhe romaku Aquila. Por sidoqoftë, kudo që shkonte, Pali themelonte kishëzat kristiane, si në Filipes, Selanik apo Korint, siç tregohet më vonë dhe në letrat e tij dërguar filipasve, selanikasve, korintasve, etj… Deri në atë kohë predikohej me fjalë, por Pali mendoi që të vepronte dhe me të shkruar, çka shënoi fillimin e teksteve të para të kristianizmit. Ai mendoi të përdorte formën e letrave të hapura (Epitres), dërguar kishave të ndryshme, letra të cilat u shndruan në “letra apostolike”. Por atmosfera në qytet ishte e rëndë. Prokonsulli e akuzoi se “i bënte njerëzit të kishin frikë nga Zoti”. Megjithatë, prokonsulli Gallion ishte i njohur për tolerancën e tij.

Udhëtimi i tretë i Palit njihet si udhëtimi drejt Efezit, përmes Ballkanit. Pas qëndrimit në Athinë dhe një rikthimi të shpejtë në Korint, ai kishte marrë rrugën drejt Cesare-se dhe Jeruzalemit dhe që andej, pa humbur kohë ai i ishte drejtuar përsëri Efezit, ku kishte një komunitet hebrenjsh. Vallë a kaloi ai nga Shqipëria ilirike që ishte në kufi? Sigurisht, zona e maleve ballkanike ishte një zonë e vështirë për t’u kaluar dhe popullsitë ishin ende pagane, ndryshe nga qytetet bregdetare apo ato të ndërtuara përgjatë «Via Egnatia». Pali kishte qenë më parë në Galate dhe aty kishte krijuar kishën kristiane. Misioni i tij ishte të shikonte sesi funksiononte kjo kishë. Në Efez, ai gjeti një çifut të ditur, të quajtur Apollos, i cili i ishte kushtuar kishës kristiane. Pasi e nisi atë për në Korint, Pali filloi nga fjalimet dhe predikimet ndër qytetarët e Efezit. Ai ishte bërë tashmë, mjaft i dëgjuar. Të gjithë shkonin të dëgjonin fjalët e tij për Jezunë. Të varfrit dhe të sëmurët zgjasnin duart ta preknin si të ishte i shenjtë. Por ndërkohë, ai mendonte gjithnjë për Maqedoninë dhe Greqinë. Për të drejtuar kishat që ngre ngado ku shkon, ai fillon të shkruajë letra, të cilat janë dëshmitë e para të fjalës të shenjtëve kristianë. Janë letra pasionante, me një art poetik, me pathos e frymëzim, siç është dhe një nga letrat e para të tij, ku në Letra drejtuar romakëve, ai shkruan: «Jam Pali, skllavi i Jezu Krishtit, i thirrur dhe i dërguar si një mesazher i vetmuar i Lajmit të Zotit, të premtuar tashmë prej Profetëve në shkrimet e shenjta. Ajo ka të bëjë me birin e tij, nga prejardhja e Davidit, i caktuar si biri i Zotit dhe i Frymës së Shenjtë… Unë kam besimin se as vdekja dhe as jeta, as ëngjëjt dhe as komandantët e tyre, as forcat kozmike lart në qiell dhe as forcat poshtë, asnjë krijesë e botës, nuk do të mundë të na ndajë nga dashuria për Zotin, dashuria që është tek Jezu Krishti, Zoti ynë…»

Profesori amerikan i dorëshkrimeve biblike Bart D. Ehrman, duke iu referuar figurës së Palit në historinë e fillimeve të kristianizmit, vë në pah një element të veçantë të kësaj figure: nocionin e tij të fesë kristiane si një fe e një shoqërie që nuk sundohej nga meshkujt. Ndoshta kjo ishte një meritë apo një notë moderne dhe emancipuese që ai i dha fesë kristiane. Shpesh në letrat e tij apostolike janë emrat dhe figurat e grave. Ai flet gjatë për ato, siç flet në Letra dërguar romakëve. Madje, ai emëron Febën të drejtojë një kishë, çka do ishte e pa imagjinueshme shekuj më vonë; përshëndet Prishilën që shtëpinë e saj e ka kthyer në kishë; përshëndet Marien që punon me romakët dhe që i shërben Jezusë; përmënd Trifonën, Trifozën Persidën; shkruan për Junian dhe nënën Rufus. Madje Junian ai e quan “më e madhja e apostujve”. Tek Letra filipianëve ai përmënd Evodia-n dhe Sintika-n, ndërsa në Letrën drejtuar korinthasve, ai përmënd vlerat e tyre të larta morale, por dhe vuajtjet e tyre të mëdha, në një kohë kur kristianët e parë përndiqeshin veçanërisht nga romakët. «Ne jemi të çmendur për hir të Krishtit, – shkruan ai në Letër korinthasve, – por ju të tjerët qëndroni të paqtë te ai. Ne jemi të dobëtit dhe ju të fortët. Ju të famshëm dhe ne të shkurorëzuar. Deri tani ne njohim urinë, etjen dhe goditjet, jemi të xhveshur dhe pa strehë, por ne punojmë fort me duart tona. Edhe pse na shajnë, ne pagëzojmë. Edhe pse të përndjekur, ne rezistojmë. Edhe pse mbi ne bien gjithë shpifjet, ne ngushëllohemi. Ne jemi kthyer në fëlliqësira të botës dhe si pislliqet e të gjithëve…»

Në vizionin e Palit, te Jezu Krishti shkriheshin të gjitha qëniet njerëzore, të cilat ai i shikonte të barabarta. Pali besonte se do të ishte gjallë kur Krishti do të kthehej nga Parajsa në Ditën e Gjykimit, për të sjellë në tokë mbretërinë e Zotit (Letër selenikasve). Ai ishte një i krishter apokaliptik.

 

 

 

 

 

I burgosuri i Cesare-së           

 

Në vitin 58, Shën Pali u kthye përsëri në Jeruzalem, ku u prit nga priftërinjtë e vjetër të Jeruzalemit. Me këtë rast Shën Pali tentoi gjithashtu të shkojë me ca paganë në Tempullin e Jeruzalemit, tempull i cili ishte kulti më i madh për hebrenjtë. Por të çoje paganët atje, kjo gjë dënohej me dënimin më të madh, me vdekje. Ata e njohën Palin dhe të revoltuar nga ngjarjet e turbullta, romakët e arrestuan. Hebrenjtë kërkuan me ngulm vdekjen e tij. Por kur e nxorën para turmës dhe tribunit romak Claudius Lysias, Pali iu drejtua në greqisht dhe iu lut romakut që t’i drejtohet turmës për t’i folur. I habitur që ky fetar fliste greqishten, ai ra dakort dhe Pali filloi të fliste në gjuhën aramene (hebraishtja e vjetër dhe popullore). Por megjithatë, turma ishte e vendosur kundër tij. Atëherë tribuni romak vendosi ta rrahin me shkopinj. Pali protestoi dhe tha, se ai ishte një qytetar romak. Kështu ata u detyruan ta nxjerrin atë para Këshillit të Lartë të Priftërinjve hebrenj të Jeruzalemit, që atëherë quhej “Sahredin”, i njëjti këshill që më shumë se dy dekada më parë kishte kërkuar dënimin e Krishtit. Por debati me ta ishte i ashpër dhe ai tentoi që «farisenjtë» dhe radikalët “sadysienë» t’i vinte kundër njëri-tjetrit. Atëherë tribuni romak vendosi ta çojnë te guvernatori i Cesare-së, duke e shoqëruar me ushtarë dhe kalorës, nga frika se mos vritej rrugës nga hebrenjtë. Në Antipatris, atë e dorëzuan te guvernatori Felix, i cili e mbajti në burg gjatë dy vjetëve, duke pritur të bëhej ndonjë lloj proçesi. Por në gjyqin që u bë në Cesare, Pali kundërshtoi dhe sipas të drejtës romake nëse dikush i drejtohej “Cesarit», ai duhej të gjykohej në Romë. Dhe ashtu do të ndodhte. Por ndërkohë, mbreti i hebrenjve Agrippas II, kishte dëshirë ta dëgjonte atë pasues të Krishtit që fliste aq bukur dhe u nis drejt Cesare-së, bashkë me Berenice-n, (heroinën e Racine-it e të Corneille-it), e cila edhe pse ishte motra e tij, jetonte me të si një konkubine. Agrippas II u habit dhe u mrekullua aq shumë nga fjalimet e Palit, sa donte ta falte, por meqë letra ishte nisur drejt Romës, atëherë asgjë nuk mund të bëhej. Kështu, më së fundi, Pali u detyrua të nisej drejt Romës i shoqëruar nga ushtarë.

Ishte viti 60 dhe me anije ata morën drejt brigjeve të Greqisë, duke ndaluar së pari në ishullin Rodes. Por një fortunë e madhe që i zuri nga Kreta, pas dy javësh i hodhi ata në Maltë, banorët e së cilës atëherë ishin romanizuar. Ishte Pali ai që i kishte shpëtuar nga mbytja, duke i bindur ushtarët që në momentet më të vështira të mos ta braktisnin anijen e tyre. Vendi ku anija zbarkoi quhet sot, gjiri i Shën Palit. Por si gjithnjë, Pali e kishte mendjen të konvertonte besimtarë të rinj. Thonë se atje ai shëroi njerëzit nga dizanteria, siç ndodhi dhe me atin e Publius, prijësit të Maltës, i cili, siç shkruhej në tekstet kristiane, u shërua kur Pali i vuri dorën në bark. Tre muaj më vonë, ata morën rrugën drejt Sirakuzës. Pasi zbarkuan në Italinë e jugut, me këmbë ai u nis drejt Romës, i shoqëruar gjithnjë nga Julius dhe ushtarët e tij, në pritje të gjykimit nga Perandori.

 

 

Vdekja e shenjtit

 

Pali jetonte i ekzaltuar me mision kristian që kishte ndërmarrë, edhe pse tashmë atë e konsideronin si një njeri që duhej dënuar. Me të mbërritur në Romë, atë e dorëzuan te policia perandorake. Në atë kohë mbretëronte Neroni (65-66), i cili e konsideronte veten «sacré» të shenjtë. Ai ishte një nga «çezarët» më të tmerrshëm romakë. Në fillim, Palin nuk e futën në burg, por thjesht e vendosën në një shtëpi, të lidhur me zinxhirë dhe ku ruhej nga një roje. Por edhe atje, ai vazhdoi të predikonte për Krishtin edhe pse atmosfera ishte e rëndë dhe shumë nga kristianët e Romës kishin ikur drejt Azisë. Siç shkruan Luka, i cili ishte i afërt me Palin dhe ishin shkëmbyer disa herë në misionet e tyre nëpër Via Egnatia, në proçesin e bërë në Romë, në vitin 63, ai doli i pafajshëm ose më saktë, u kërkuan hetime të tjera dhe ai u la i lirë.

 

 

 

 

 

 

Ëndrra e Palit ishte të shkonte që të predikonte në Spanjë. Spanja atëherë, ishte një vend shumë tolerant dhe mjaft kristianë të persekutuar gjenin strehë dhe paqe. Por, historianët nuk janë të sigurtë nëse ai arriti të shkonte atje, apo jo. Ndërkohë, në Romë ishte dhe Pjetri, i cili predikonte Kristianizmin dhe midis dy pasuesve të afërt të Jezusë, ndihej një lloj konkurrence. Në asnjë dokument të vjetër, ne nuk i gjejmë ata bashkë dhe Pali shihej gjithnjë në pozicion dytësor. Në vitin 90, Clementi i Romës shkruante se «Pali ishte një lloj filozofi publik dhe një njeri i mençur». Siç dihet, Neroni i shihte me sy të keq filozofët, që siç mendonte ai, “nxisnin magjitë”. Në muajt e parë të vitit 65, Palin e gjejmë në Efez dhe që andej ai u drejtua përsëri nga Maqedonia, më pas në Epir dhe me siguri në Korint, ku kishte krijuar kishën kristiane të qytetit. Pikërisht ky është dhe momenti i sigurtë që ai ka kaluar përmes Durrësit apo Apollonisë, pasi nga Roma, udhëtarët për të kaluar në bregun tjetër të Adriatikut, për të marrë Via Egnatia kalonin nga këto dy porte mjaft të rëndësishme dhe vende të njohur nga të gjithë romakët. Në Durrës, gjer në afërsi të Apollonisë, ishte zhvilluar dhe beteja e famshme e Pompeit me Cezarin.

Mund të thuhet se vitet 60-të, janë vitet e udhëtimit të apostullit të famshëm në tokën shqiptare. Vetë Shën Pali, në Letër romakëve, shkruan se «Nga Jeruzalemi, duke hedhur dritën gjer në Iliri, unë përmbusha plotësisht lajmërimin e ungjillit të Krishtit». Ky tekst përbën dhe dëshminë themelore për misionin e Shën Palit në Iliri. Akademiku dhe historiani francez Alain Decaux, në një biografi të tij për Shën Palin, na jep një të dhënë tjetër mjaft interesante. Ai shkruan: «Via Egnatia shtrihej para tij. Pa iu ndarë trasesë së rrugës, ai vazhdoi drejt Filipes për në Selanik, Edesse dhe pastaj të kapte bregun e Shqipërisë së sotme, në portin e Apollonisë. Një anije do ta çonte lehtësisht, (në brigjet italiane L.R.), ku do të vazhdonte Via Appia-n, që të çonte në Romë

 

 

 

 

 

 

Biografë të ndryshëm njoftojnë se në kthim nga Roma, Pali ndërmorri përsëri Via Egnatian, duke iu drejtuar Azisë së Vogël. Por, kur ishte kthyer në Troas, ai ishte arrestuar përsëri gjatë predikimeve të tij. Sipas shkrimeve të tij, Palin e dërguan përsëri që ta gjykonin në Romë. Ishte vjeshta e vitit 67-të. Dihet që nga burgu ku e kishin futur, ai kishte shkruar Letrën e Dytë dërguar besnikut të tij, Timothé. Kjo letër në një lloj kuptimi ishte dhe testamenti shpirtëror i Palit, pasi siç duket, ky njeri e kishte kuptuar se më së fundi, romakët mund ta vrisnin. Ai doli dy herë para gjyqit, ku më së fundi e dënuan me vdekje, me prerje të kokës. Ishin pikërisht astrologët e Neronit, «thaumaturges», ata që e dënuan. Lidhur me proçesin dhe dënimin e tij, nga kronistët e vjetër shkruhet se “Ai u ngrit, ktheu kokën nga Lindja dhe u lut për një kohë të gjatë: At, po e lë shpirtin tim në duart e tua!… dhe pastaj e kishte përfunduar lutjen e tij në hebraisht. Në fund, kishte zgjatur qafën dhe ata i kishin prerë kokën.”

Sipas legjendës, Palin e nxorën nga Roma dhe e ekzekutuan jashtë qytetit, në Ostie, në vendin që sot quhet «Tre Burimet», ku sipas historisë, koka e prerë e Palit u rrokullis tre herë dhe në çdo vend që binte, dilte një burim uji. Në portën e Ostie-s, më vonë, u ngrit “Basilica Pauli”, në kujtim të emrit të tij. Megjithatë, Kisha e Romës, që u drejtua nga pasuesit e Pjetrit, e njohu gradualisht figurën e plotë të Palit, veçanërisht në shekullin II, III dhe të IV, duke zbuluar rolin themeltar të martirit të Krishtërimit. Në epokën e perandor Konstantinit, ata zbuluan më së fundi, kultin e vërtetë të heroit të vdekur. Tashmë, në Romë dhe në gjithë trevat e Kristianizmit flitej për dy apostuj: Pjetri në Romë dhe Pali në Ostie. Dhe Eusebe, në historinë për fillimet e Kristianizmit flet për ekzekutimin e Palit. Interesant është dhe një variant i ekzekutimit të Palit, që përshkruhet nga një tekst apokrif, që ruhet sot në bibliotekën e Heidelberg-ut, që nga viti 1896, shkruar gjatë shekullit të II të erës sonë. Në të tregohet sesi Pali i kundërshtoi Neronit, duke i thënë se dhe ai duhej të vihej në shërbim të Krishtit. Nga zëmërimi, Neroni i tmerrshëm kishte dhënë urdhër që atë ditë, të ekzekutoheshin bashkë me të dhe një tufë ithtarësh që ndiqnin mësimet e Palit.

Kështu përfundonte jeta e këtij apostulli të madh, të cilin Niçe e quante «themeluesin e vërtetë të Kristianizmit”./Konica.al

 

Luan Rama

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ungjilli i Judës

Kush Kallëzoi Krishtin?