MENU
klinika

Zyrtare

Partizani firmos me Ekuban dhe rinovon me Belicën

04.07.2019 - 21:37

Partizani godet sërish në merkato! Të kuqtë e kryeqytetit kanë zyrtarizuar ditën e sotme një afrim në repartin e sulmit si dhe rinovimin me një nga titullarët më të rëndësishëm të ekipit. Kështu, menjëherë pas kthimit nga faza përgatitore në Slloveni, tekniku italian Franko Lerda sheh t’i plotësohet reparti ofensiv.

Të kuqtë kanë siguruar shërbimet e Jozef Ekuban. Vëllai i vogël i Kalebit që shkëlqeu me fanellën e Partizanit, është zyrtarizuar nga 16-herë kampionët e vendit. 19-vjeçari Ekuban vjen nga Verona me formulën e huazimit, por kryeqytetasit kanë të drejtën e blerjes së kartonit të italo-ganezit.

Por lajmet e mira për tifozërinë e kuqe nuk përfundojnë këtu.

Partizani ka zyrtarizuar edhe rinovimin e Egzon Belicës. Qendërmbrojtësi ka nënshkruar me kampionët e vendit për dy sezonet e ardhshme, duke i dhënë fund zhurmës për një largim të mundshëm të tij. Gjithashtu, një tjetër element që do t’u bashkohet “demave” është edhe mesfushori venezuelian Aristoteles Romero, që vjen nga Krotone.