MENU
klinika

Pasuri kombëtare

Për Camajn në shtëpinë e Kadaresë

28.07.2019 - 18:00

      “Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt, është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve. Sipas Ernest Koliqit, adhurues e njëherësh mentor i shkrimtarit, ky luks gjeografik lidhet me zanafillën e shkrimtarit. Lartësitë e bjeshkëve, më saktë Dukagjini, ku ai kishte lindur, kishin gjetur, më në fund, te biri i tyre, mjetin e vet shprehës”

 Ismail Kadare

 

Shtëpia muze e Kadaresë, tashmë, jo vetëm një vend ku turistët e shumtë shuajnë kureshtjen për shkrimtarin e madh të Shqipërisë së vogël, ka fituar përmasa edhe me të gjera; është një strehëz e re, për aktivitetin e artistëve apo shkrimtarëve.

 

 

 

 

Java kulturore kushtuar figurës së Martin Camajt, mblodhi studiuesit, dashamirësit dhe lexuesit e shumë, që organizuan një mbrëmje letrare mbi rëndësinë dhe vlerat e papërsëritshme të veprës së tij, si pasuri kombëtare.

Martin Berisha, drejtor i Qendrës për hulumtime shkencore dhe studime shqiptare “Albanica” në Lubjanë, kërkoi prej të rinjve t’i kushtojnë më shumë vëmendje veprave të Camajt.

 

 

 

 

“Ai duhet sjellë, duhet përfshirë në kurrikulumet shkollore, por jo në mënyrë mekanike, natyrisht. Për Martinin, sot, në Shqipëri të gjithë flasin dhe sillen sikurse nuk dinë asgjë. Janë momentet e fundit që Martini, por jo vetëm, të sjellin letërsinë shqipe në vendin ku ata e meritojnë. Megjithëse Camaj u kujtua dhe për përmasën e vet letrare e njerëzore, fokus i diskutimeve u bë misioni për të hedhur më shumë dritë mbi punën e tij si gjuhëtar e albanolog, si dhe nevoja për të sjellë në shqip korpusin e studimeve të tij gjuhësore”, – ka theksuar, Berisha.

 

 

 

 

Megjithëse Martin Camaj u soll në kujtesë për përmasën e vet letrare dhe njerëzore, diskutimet patën në qendër misionin për të hedhur më shumë dritë, mbi punën e tij si gjuhëtar dhe albanolog po ashtu, krahas nevojës për ta sjellë në shqip korpusin e studimeve gjuhësore që mbajnë emrin e tij./Konica.al

 

Hera Lera