MENU
klinika

Poeti... tmerrësisht i dashuruar

“Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë: fshihet”

05.07.2019 - 13:59

      Shkrimtari që do të bëhej një nga kopshtarët më të mrekullueshëm të atmosferës së letërsisë franceze, lindi më 5 korrik 1889 në Maison-Laffitte, nga një nënë që e adhuronte dhe një baba që vrau veten kur djali ishte veçse 10 vjeç.  

Zhan Kokto, artist emblematik i epokës së tij, njeri i letrave dhe artist shumëplanësh, i magjepsur nga qetësia dhe gjelbërimi i Milly-the-Forest, në vitin 1947 bleu një shtëpi dhe jetoi derisa vdiq në vitin 1963. Një vend çlodhës, i mbushur me kujtime të shkrimtarit dhe thesare të mëdha artistike, në shtëpi kujtesë dhe pasqyrë e një jete të veçantë.

Shkrimtar-poet, regjisor-poet, dramaturg-poet, karikaturist dhe piktor-poet, poet i droguar, poet menaxher i një boksieri amerikan, poet nevrik dhe depresiv, lavdi e vjetër poetike, poet i përkushtuar ndaj punës, poet i thellë, poet i keqkuptuar, poet tmerrësisht i dashuruar, poet modern, madje edhe avangardë, poet altruist dhe plot ndjeshmëri, një çast poet i krishterë fill pas pak poet i asgjëje, kështu ishte Zhan Kokto: një poet. Një poet i etur dhe i paqëndrueshëm, një personalitet kompleks dhe i paqëndrueshëm. Shpirti, zemra, fryma, gjenia dhe vepra e tij do të jetojnë me forcë, si mjeti gjenerues i kësaj amalgame dhuntish, virtytesh e ndjesish të jashtëzakonshme.

 

 

 

 

Karakter i paqëndrueshëmi reflektohet rëndom në punën e autorit, i cili kombinon estetika kryekëput kundërshtuesee. Filluar që herët, në moshën 20-vjeçare, në Sallonet, identiteti primar i poetit, pas fëmijërisë, është një identitet social. Mirëpo, shumë shpejt ai vepron në heshtje, duke sajuar një Kokto të dytë, avangardist, radikal, bashkëkohor. Në të vërtetë, ishte bashkimi i ngjarjeve dhe dukurive të vitit 1912 (kubizmi në pikturë, poezia e Apolinerit dhe pasuesit e tij në letërsi) që e bënë të kuptonte se nëse donte të mbijetonte si artist duhej të zhvishej nga referencat intelektuale dhe artistike: nuk do dëshironte kurrsesi të humbiste rrjedhën e modernizmit.

Zhan Kokto realizoi një sërë librash dhe filma të suksesshëm, si “Orfeu”, “Fëmijët e tmerrshëm”, “Shqiponja me dy koka”, “Testamenti i Orfeut”, “Gjaku i një poeti” etj. Gjithë filmat e tij, sidomos “Gjaku i një poeti” (1930) dhe “E bukura dhe bisha” (1946), mbizotërohen nga arti për të bërë një film që nuk është film. Pasion kishte edhe vizatimin, bashkëpunoi me lëvizjen Dada. Shkroi “Potomaku” (1919), më pas në vitin 1923 botoi romanin “Mashtruesi Tomas”, i frymëzuar nga përvoja e tij e Luftës së Parë Botërore.

 

 

 

 

Gjallëria e inteligjencës së Koktos e bëri atë të jetonte në botën e imazheve të përshpejtuara, si një film i transmetuar me lëvizje të shpejtë. “Ai që sheh përpara bën më pak nga ajo që sheh, sado shumë që të riprodhojë”, – do shprehej ai.

Më 3 mars 1955 u zgjodh në Akademinë Franceze. Kokto do ta përshkruante Kupolën si: “një shpellë nënujore, një vezullim gati i mbinatyrshëm mbi shkallare gjysmërrethore, dyzet sirena me bisht të gjelbër dhe zëra melodiozë”.

 

 

 

 

 

I quajtur ndryshe princi i poezisë, Zhan Koktos nuk i mjaftonin kurrë fjalët: vizatonte ngado, në letër ose mbi dorëshkrime, ilustronte, ndonjëherë pikturonte. Në gjuhën e modës, do ta kishim quajtur krijues. Por do të ishte etiketim i varfër, shumë larg titullit që ai meritonte: një poet, në kuptimin fisnik që japin grekët e lashtë – jo krijues, por krijuesi.

Konsideruar si një nga modelet më të spikatura të shekullit XXI, si një shpirt gjithmonë në kërkim dhe përmes një imagjinate brufulluese ai arriti të krijojë një galeri të tërë veprash arti në poezi, pikturë, kinematografi, teatër etj./Konica.al

 

Disa thënie:  

 

Një gotë gjysmë bosh është edhe gjysmë plot, por një gjysmëgënjeshtër nuk është kurrsesi një gjysmëvërtetësi.

 

Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë: fshihet.

 

Kryevepra më e madhe letrare nuk është tjetër veçse një fjalor i rrëmujshëm.

 

E di që poezia është thelbësore, por nuk e di për çfarë.

 

Tragjedia më e madhe për një poet është të jetë i admiruar në bazë të keqkuptimit.