Pas shumë vitesh bashkëpunim të shkëlqyer me shumë regjisorë dhe producentë grekë, PriFest i këtij viti sjell kinemanë greke në vëmendje.
Një bashkëpunim i shkëlqyer me Zyrën Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, rezultoi me një program shumë të bukur që ne do të shfaqim këtë vit në PriFest 2019: programi “Focus Greece”.
Nata e hapjes së “Focus Greece” është 18 korrik. Kjo do të shënohet me një tubim të vogël në tingujt e bukur të muzikës greke, në tapetin e kuq para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, para shfaqjes së filmit “Holy Boom”, për të cilin ne kemi kënaqësinë të mirëpresim regjisoren Maria Lafi dhe ekipin e saj. Ambasadorja Chryssoula Aliferi do t’i drejtohet audiences, së bashku me Drejtorin e Festivalit. Filmi “Holy Boom” do të hapë “Focus Greece”, për t`i lënë vazhduar me filmin “The Last Note”, nga regjisori i shquar Pantelis Voulgaris dhe tre filma të tjerë, një prej të cilëve është një bashkëprodhim greko-spanjoll.
Ambasadorja greke Chryssoula Aliferi, u shpreh e kënaqur për këtë bashkëpunim të frytshëm me PriFest. “Kinemaja reflekton shoqërinë dhe njerëzit, dëshirat e njerëzve, frikën dhe shpresën e tyre; është e mahnitshme të komunikosh dhe të ndash gjithë këtë përms ‘syve” të kamerës. Ne jemi me fat, që po na jepet ky shans në një qytet kaq të gjallë, si Prishtina, në zonën tonë të përbashkët: Ballkanin e bukur dhe të larmishëm. “Focus Greece” përbëhet nga një larmi interesante prodhimesh kinematografike. Filmi i parë, “Holy Boom”, nga Maria Lafi, një bashkëprodhim i Greqisë dhe Shqipërisë, është një shembull tregues i bashkëpunimit ndërkufitar dhe më tej, që lidh artin e kulturën, por mbi të gjitha njerëzit dhe gjendjen e tyre emocionale”.
Vjosa Berisha, Drejtore e Festivalit, është shumë e lumtur që ka arritur këtë bashkëpunim: “Duke pasur Ballkanin, si një nga kategoritë kryesore të festivalit tonë, nuk mund të injorojmë filmat e tillë të mëdhenj që janë bërë nga regjisorët grekë. Kemi pasur filma grekë nga edicioni i parë, në vitin 2009, kur shfaqëm “Correction”, me regjisor Thanos Anastopulos dhe thuajse çdo vit Greqia ishte e pranishme me filma, të ftuar ose ekspertë. Jam shumë e lumtur që këtë vit, do ta shënojmë edhe më fuqishëm këtë bashkëpunim duke treguar një numër më të madh filmash, madje edhe me praninë e miqve që do të paraqesin filmat gjatë festivalit. Ne u jemi shumë mirënjohës Zyrës Ndërlidhëse Greke, për mbështetjen në këtë bashkëpunim”.
Të renditura më poshtë janë titujt e filmave që do të shfaqen në kuadër të “Focus Greece” këtë vit:
HOLY BOOM / regjisore: Maria Lafi / Greqi 2018 / Premierë / 99 min
THE LAST NOTE / regjisor: Pantelis Voulgaris / Greqi 2017 / Premierë 117 min
AMERIKA SQUARE / regjisor: Yannis Sakaridis / Greqi 2017 / Premierë 86 min
THIRD KIND / regjisor: Yorgos Zois / Greece 2018 / Premiere / 32 min
GREEK ROCK REVOLUTION / regjisor: Miguel Ángel Cano Santizo / Spanjë, Greqi 2019 / International Premiere 95 min