MENU
klinika

Fluksi në portin e Durrësit

Pushuesit zbarkojnë në Shqipëri, mbi 12 mijë udhëtarë në 1 javë

09.07.2019 - 13:39

Mbi 12 mijë udhëtarë kanë mbërritur në Durrës me tragete gjatë javës së parë të muajit korrik, ndërsa rreth 6.500 të tjerë i kanë shfrytëzuar ato për të lundruar drejt porteve të Italisë.

Vetëm ditën e diel, tragetet që mbërritën nga Bari dhe Ankona (Itali) janë shfrytëzuar nga 3,376 pasagjerë vendas dhe të huaj me 717 autovetura gjithsej.

Nga të dhënat operative të APD-së, mësohet se gjatë fundjavës që kaloi tragetet kanë kryer edhe dy lundrime jashtë grafikut për të përballuar numrin në rritje të bashkëatdhëtarëve, që vijnë për të kaluar pushimet nga vendet e Europës Perëndimore ku jetojnë dhe punojnë drejt familjarëve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Tragetet kanë transportuar gjithashtu rreth 3,600 autovetura dhe 1,900 kamionë dhe trajlerë me mallra eksport-importi gjithsej.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se javën e ardhshme disa tragetet do të fillojnë të lundrojnë dy herë në 24 orë, çka pritet të lehtësojë fluksin e madh të udhëtarëve në stinën e verës.