MENU
klinika

Zikaltërit përgatisin një tjetër largim të rëndësishëm

Roma-Inter, mega-operacion me shkëmbime të bujshme!

23.07.2019 - 17:34

Matteo Politano mund të jetë një nga lojtarët e tjerë të Interit, që mund të largohet, duke qenë se nuk përshtatet për skemën 3-5-2 të trajnerit Conte.

Nëse italiani do të aktivizohej, ai duhet të luajë si mesfushor krahu, duke dalë jashtë pozicionit të tij natyral si sulmues krahu dhe nuk dihet nëse mund të përshtatej ose jo. Ndërkohë, alternativa për ta parë si sulmues të dytë është përjashtuar edhe nga Marotta.

Vetë drejtori teknik në një intervistë tha: “Po kërkojmë dy sulmues, një me eksperiencë dhe një të ri, sepse aktualisht kemi vetëm Lautaron. Vitin e shkuar ishte edhe Keita Balde dhe Icardi, tani kemi vetëm një”, duke konfirmuar se Politano nuk është në planet e tyre si sulmues.

I blerë për 20 milionë euro këtë verë nga Sassuolo dhe 5 milionë për huazimin e vitit të shkuar, 25-vjeçari mund të sakrifikohet, por për klubin do të ishte një minus-valencë nëse do e shisnin. Për të interesohet Roma, që e shikon një mundësi më tepër, nëse nuk arrijnë tek Suso.

Politano mund të përdoret nga Interi për të mbyllur një mega-operacion mes tyre dhe Romës, për kalimin e italianit në kryeqytet dhe afrimin e Dzekos në Milano, teksa klubi zikaltër mund të afrojë edhe Florenzi e Kolarov, për të cilët interesohet fort këto ditë.