MENU
klinika

Mjeshtri i "gotikut krahinor"

Shkrimtari më simpatik i Amerikës

04.07.2019 - 12:49

        Nathaniel Hawthorne ishte një nga autorët më të admiruar amerikanë të shekullit të 19-të, reputacioni i të cilit vijon edhe në ditët e sotme. Romanet e tij, përfshirë “Damka e turpit” dhe “Shtëpia me shtatë çati” lexohen gjerësisht në shkolla.

Lindur më 4 korrik 1804 në Salem, Masaçuset, Nathaniel Hawthorne është autori i tregimeve të shumta të shkurtra, nga të cilat më i famshëm është “Damka e turpit”. Në përgjithësi, kirjimtaria e Hawthorne është matrica e vërtetë e romanit “jugor”. Hawthorne është në të vërtetë mjeshtri amerikan i “gotikut krahinor”. Nuk e sajoi ai, modeli kishte lindur në gjurmët e Anglisë dhe u përjetësua njëkohësisht në stepat e Jorkshirit, mirëpo Hawthorne i përshtati Anglisë së Re, përjetimin “gotik” të personazheve të izoluar në një botë të amullt, të fjetur, të gërrmuqur, larg historisë së madhe, në veçantitë e saj anakronike”.

“Ka një lloj sugjestioni moral, që lidhet me figurën e të parit të fisit tim, i cili, i madh dhe i frikshëm, sundoi mbi shpirtin tim kur isha fëmijë, sepse të tillë e paraqiste tradita familjare. Ishte ushtar, ligjvënës, gjykatës, pjesëtar i klerit dhe i kishte të gjitha cilësitë e mira dhe të këqija, të puritanëve të kohës së tij”, – thotë Hawthorne për të atin.

 

 

 

 

U diplomua në vitin 1825. Në shtypin e kohës botoi një sërë tregimesh të shkurtra, që më vonë do t’i mblidhte në një libër. Veprën e tij të parë “Damka e turpit”, që u pasua me një sërë novelash, e botoi në vitin 1950. Suksesi i veprave e bëri Hawthornen një shkrimtar autoritar, duke fituar një pozicion të kënaqshëm në arenën social-politike të kohës. Veprat e tij romantike janë konsideruar si protagoniste në lëvizjen e romantizmit të errët amerikan. Temat kanë në qendër negativitetin, mëkatet njerëzore dhe shoqërohen nga frymëzim i lirisë njerëzore, si dhe një mori situatash psikologjike të personazheve. “Stili i Hawthornit është dëlirësia e vërtetë. Ai mund të konsiderohet si një nga gjenitë e padiskutueshëm, të lindur nga kombi ynë”, – do të shkruante Edgar Allan Poe. Ndërsa Henri Xhejms, do të dallonte se në stilin e autorit “Më e bukura e Hawthornit është rëndësia që i jepte psikologjisë së thellë dhe studimit të saj”. Herman Melville i kushtoi Hawthornit, kryeveprën e tij “Mobi Dik”, ndërsa, midis kritikëve modernë, Harold Bloom e cilëson atë, si një nga shkrimtarët amerikanë më të mëdhenj të të gjithë kohërave, përkrah Henri Xhejmsit dhe Uilljam Folknerit.

Nathaniel Hawthorne hulumton, përmes fazave të themelimit të Anglisë së Re, përmes së kaluarës së puritanëve që u vendosën dy shekuj më parë në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, luhatjet e shpirtit njerëzor; ai shndërrohet në tregimtar dhe rrëfyes të tregimeve që përfshijnë të vërtetën dhe imagjinatën, ku racionaliteti është shpesh i ashpër, por ku edhe botët e Poe ose Dr. Mabuse, gjithashtu kanë vendin e tyre. Ëndrrat që përndjekin mendjen e tij lindin “pamje të çuditshme” nën penën e tij. Parfume vdekjeprurëse, pyje të errëta ku frika e “njeriut të zi” largohet, hijet e dendura papritur përçohen nga valë drite, shtëpi me myshqe ku luhen fatet e gjeneratave, bukuri magjepsëse të shënuara nga njolla të pashlyeshme, kujtimet e një të shkuare të shpërblyer nga dikush që dëshironte të ishte veçse shkrimtar.

 

 

 

 

Nëse krahasohen karriera e Hawthorne, me atë të Henri Xhejmsit ose Ernest Heminguejit, bie menjëherë në sy çka e dallon punën e tij nga e tyrja: mërgimi, megjithëse i vullnetshëm, nuk rezulton tek ai, as në zbulimin e ndonjë kulture tjetër, as në rizbulimin e kulturës së saj origjinale. Gjithçka shtjellohet sikur romancieri, duke u larguar nga rrënjët e tij, ta kishte dënuar veten me sterilitetin. Sidoqoftë, mund të prekim edhe dramën intime të shkrimtarit, marrëdhënia e tij me kulturën e vendit e bënte këtë distancë të pashmangshme: domeni i rezervuar i tij ishte në të vërtetë, një univers-muzg, ku hija e së kaluarës kërcënonte vazhdimisht të tashmen, ku filmi ishte bartës i vuajtjes, me pak fjalë, një univers i shënuar nga njëlloj mallkimi.

Kur vdiq në 1864, “New York Times” e përshkroi atë si “romancierin më simpatik të Amerikës dhe një nga shkrimtarët më të shquar, sa i përket gjuhës”./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull