MENU
klinika

Turizëm dinamik

Shqipëria 130 mijë vizitorë në 6 muaj

30.07.2019 - 18:00

      Parqet arkeologjike të Shqipërisë, janë kthyer në vendqëndrime apo ndalesa, për shumë turistë të huaj dhe vendas, duke paraqitur interes të shtuar e të vazhdueshëm. Së fundmi, si vizitorë në këto parqe, numërohen rreth 130.785 turistë, kjo prej janarit deri në muajin qershor, të këtij viti.

 

 

 

 

Statistikat dëshmojnë për thuajse 10 mijë vizitorë më shumë, se një vit më parë. Shqipëria ka një sërë lokalitetesh arkeologjike, si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia e të tjera. Atraksione janë edhe kalatë, si ajo e Gjirokastrës, Lëkurësit në Sarandë, Kalaja e Krujës, Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër e të tjera.

 

 

 

 

Autoritetet shqiptare ka kohë që promovojnë projekte që fuqizojnë turizmin kulturor. Në fund të muajit maj, në kuadër të hapjes së sezonit turistik veror në Shqipëri dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë kishte nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese nëpër monumente. “Një moment i rëndësishëm për Vlorën, që nuk do të njihet vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike”, – është shprehur ministrja e Kulturës, Margariti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN