Shyqyri Sako, i pari piktor profesionist i filmit shqiptar, ka çelur ekspozitën “Duke pikturuar filmin”, pranë Qendrës për Hapje dhe Dialog.
Teksa artisti rrëfen për mediet, nëpërmjet pllakateve, historinë e kinematografisë shqiptare të para viteve 1990, e ka të pamundur të mos ndalet në gjendjen aktuale të filmit shqiptar sot.
“Njësiti Gueril” (1969), “Kapedani” (1972), “Rrugë të bardha” (1974), “Dimri i fundit” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Mësonjëtorja” (1979), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Shpella e piratëve” (1990), “Përdhunuesit” (1994) etj., janë disa nga posterat që rrëfejnë punën e palodhur të Sakos. Por sot, sipas tij, jo vetëm nuk ka më piktorë filmi, por nuk ka as prodhime cilësore në kinematografinë shqiptare.
“E dashuruam kinematografinë, nuk pyetëm sa është rroga apo dieta. E bëmë me shpirt. Ishim atdhetarë, menduam të bëjmë diçka që të mbetet për këtë popull. Pas viteve 1990, nuk ka më filma. Më falni, por filma nuk kam parë. Bëjnë disa filma, por trajtojnë probleme të lehta. Kinematografia jonë ka zbërthyer problemet e këtij populli”, – thotë Sako, teksa përfundon.