MENU
klinika

Deklarata

“Studentët u mashtruan” reagon MASR: Pakti në rrugë të mbarë!

27.07.2019 - 15:17

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka reaguar përmes një deklaratë shpërndarë mediave lidhur me deklaratat e bëra sot nga ish deputeti demokrat Luciano Boçi i cili e konsideroi paktin për universitetin një pakt tradhtie.

Ministria e Arsimit informon studentët se qeveria shqiptare do të vazhdojë të subvencionojë tarifat dhe bursat edhe për vitin e ardhshëm akademik 2019-2020. Tarifat mbesin, por subvencionimi nga ana jonë nuk do të ndalet në mënyrë që t’u vihet në ndihmë studentëve shqiptarë, ashtu sikurse është zotuar në kuadër të “Paktit për Universitetin”.

“Kujtojmë se që në fillim të tij, “Pakti për Universitetin” solli mbi 2.3 miliard lekë subvencionim pako financiare nga ana a qeverisë shqiptare duke i sjellë përfitim direkt mbi 99 mijë studentëve nga të cilët:
– 75 mijë studentë kanë përfituar reduktim tarife me 50%;
– 5,500 studentë janë përjashtuar nga tarifa e studimit (mesatarja 9-10);
– mbi 10 mijë studentë janë përjashtuar nga tarifa e shkollimit (kategoritë në nevojë);
– rreth 11 mijë studentë kanë përfituar bursa prej 10 mijë lekësh në muaj (studentë nga kategoritë në nevojë dhe ato me mesataren 9-10).” thuhet në reagimin e MASR ku ndër të tjera theksohet se se shumë shpejt do të ketë edhe ndryshime të tjera në VKM për të përfshirë edhe kategori të tjera që nuk kanë qenë më përpara.

“Rruga e nisur e “Paktit për Universitetin” është në rrugë të mbarë, teksa edhe procese të tjera si karta e studentit, përmirësimi i infrastrukturës së konvikteve etj. janë totalisht në shinat e duhura”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Arsimit ndaj deputetit Boçi.