Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë në Kavajë.
Dy grupe rivale u përplasën me armë dhe si pasojë humbi jetën një person dhe pesë të tjerë u plagosën.
Sipas policisë, autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, të cilët janë identifikuar, ku njëri prej tyre po ruhet në spital, pasi është plagosur, ndërsa tjetri është në kërkim.
Njoftimi i plotë:
Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A.
Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur.
Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij
Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.
Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.