MENU
klinika

Shpimet në Qipro

Turqia nuk po i merr seriozisht masat e BE-së?

16.07.2019 - 15:22

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha të martën se nuk ka nevojë të marrin shumë seriozisht vendimet e Bashkimit Evropian për të pakësuar kontaktet dhe fondet për Ankaranë mbi shpimet e saj për gaz dhe naftë jashtë Qipros.

Ai i bëri komentet në një konferencë shtypi të transmetuar nga CNN-i Turk, në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Ministri gjithashtu tha se Turqia do të rrisë aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor dhe do të dërgojë një anije të katërt në rajon nëse BE vendos sanksione.

“Nëse ju [BE] merrni vendime të tilla kundër Turqisë, ne do të rrisim aktivitetet, kemi tre anije në Mesdheun Lindor, do të dërgojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, citohet të thoshte ai për agjencinë Anadolu.

Më parë, ministria e tij tha se lëvizjet nuk do të ndikojnë në vendosmërinë turke për të ndjekur aktivitetet e energjisë në rajon.

Ministria e Jashtme turke njoftoi të martën se vendi mbetet i vendosur për të mbrojtur të drejtat e turkoqipriotëve mbi resurset natyrore në ujërat ishullorë.

Diplomacia turke gjithashtu akuzoi Greqinë dhe presidencën qipriote se po abuzojnë pozicionin e tyre si anëtare të BE-së për qëllime maksimaliste.

Reagimi i Ankarasë vjen një ditë pasi kryediplomatët europianë vendosën të pezullojnë kontaktet e nivelit të lartë me homologët turq për reformat politike si edhe të ndërpresin qindra milionë euro financime në projekte agrikulturore dhe kreditimi.

Tensionet mes dy partnerëve prej muajsh janë nxitur nga operacionet turke për kërkimin e gazit dhe naftës brenda ujërave territorialë të Qipros.

Të dyja palët do të humbisnin nga një acarim i mëtejshëm i raporteve, duke ditur rolin e Turqisë si një nyjë e rëndësishme kufitare për ndaljen e emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të vijnë në Europë, apo ndikimin në mbarëvajtjen e raporteve mes fuqive europiane dhe Lindjes së Mesme.

Vendi gjithashtu ka ambicien për t’u shndërruar në një superfuqi ushtarake, me ndihmën edhe të Rusisë.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan deklaroi të hënën se do të forcojë aleancën me Moskën në bashkëprodhimin e raketave balistike dhe nën instalimin e sistemeve kundërajrore ruse S-400 brenda prillit 2020.