MENU
klinika

Isa i shqiptarisë

Udhëheqës e strateg kombëtar

21.07.2019 - 14:40

      Mund ta konsiderojmë një normë atdhetare, dukurinë ku nga familja me tradita patriotike, lindën ose u afirmuan atdhetarë të shquar, organizatorë e udhëheqës. Në këtë ligjësi futet edhe njeriu i karaktereve burrërore Isa Boletini: “Divi i maleve të Kosovës”, Heroi i Popullit shqiptar. Lindi në Boletin (Mitrovicë) 1864. Dera e Boletinëve regjistrohej si shkollë për dashurinë për atdheun e për armët. Isa, deri 52-vjeç jetoi në fushën e parapëlqyer, pa e ditur se një ditë do të arrinte të bëhej udhëheqës e strateg i luftës së popullit të vet. Kulla e Boletinit qe shndërruar në një fortesë antiturke. Në betejat e njëpasnjëshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Isa rreshtohej në forcat e saj të armatosura.

 

 

 

 

Në vitin 1901-1902, Serbia e Mali i Zi, nën mbështetjen e Rusisë e të Austro-Hungarisë, në vazhdën e synimeve shovene ndërhyjnë në trevat e Kosovës. Ndaj Isa Boletini guxon e ngrihet me armë. “Rebelimi” i tij shkeli kompetencat e Turqisë, si rrjedhojë dënohet që të urtësohet. E mbajtën të izoluar në Stamboll (deri në 1906), ndërkohë i premtojnë grada të larta dhe ofiqe drejtuese në perandorinë, deri saraje pranë Bosforit. Isa zbulon korrupsionin dhe prerazi qëndroi: “Pasha, t’u rritë ndera, por nuk më shkon klima e Stambollit. Jam mësuar në Boletin”. Më pas, hyn në miqësi idealesh me personalitete të shquara si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Sami Frashëri etj. dhe kësisoj përfshihet në sferat e udhëheqjes së përgatitjes së ngjarjeve përmbysëse historike.

Isa dhe Barjam Curri iniciojnë, organizojnë dhe udhëheqin Kuvendin e Ferizajt (20.07.1908), një manifestim masiv i armatosur i shqiptarëve të Kosovës. Boletini i përfshirë në Komitetin “Bashkim-Përparim” për “T’u siguruar gjithë popujve të perandorisë pa dallim feje, lirinë, barazinë vëllazërinë e drejtësisë me anë të shpalljes së Kushtetutës”, doli në krye në çastin kritik. Shqiptarët, që po i afroheshin shkëputjes dhe pavarësisë, s’mund të toleronin copëtime dhe rivarësira të reja. Isa bashkëkonceptoi kërkesën kërcënuese drejtuar Padishahut, se në rast mospranimi të ankesave, shqiptarët e armatosur do të “Marshonin drejt Shkupit, Selanikut dhe Stambollit”. Përballë sulmit të mundshëm të kryengritësve, sulltan Hamidi shpalli rivendosjen e rendit kushtetues.

 

 

 

 

 

Strateg i kryengritjeve

Xhonturqit i lanë shpejt premtimet. Zhgënjimi dhe konflikti shqiptaro-turk acarohet në kulm. Qëndresa e armatosur kundrejt ekspeditave ushtarake xhonturke nisi që më 1909. Në dallgët e rrjedhjeve, Boletini, figura qendrore e betejave, i ngjitet rishtazi maleve dhe merr pjesë në beteja të shumta kundër turqve.

“Divi i maleve të Kosovës” udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën e Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë. “Më 1912 u vu në krye për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë”. Ai i përket njëherazi mësymjes së përgjithshme antiturke dhe strategjisë mbrojtëse përkundrejt agresionit serb gjatë Luftës I Ballkanike. Ashtu si viti 1912 kulmon e zgjidh thelbin e çështjes kombëtare – Pavarësinë, edhe Isa Boletini arrin në këto luftime një horizont e pjekuri të lartë. Mbarë hapësira etnike shqiptare nga Mitrovica në Labëri përfshihet nga lufta popullore. Isa jep ndihmesën në vendimet historike në përcaktimin e modernizimit e strategjisë ushtarake në “Komitetin e Junikut”, në deklaratën e “Shpëtimit Kombëtar” etj. Boletini nuk u ngjan prijësve striktë, fanatikë, përkundrazi jeta në luftë i hapi këndvështrimin strategjik.

Krajli serb, në prag të agresionit mbi Shqipërinë, do të deklaronte: “Ne të gjithëve u sjellim lirinë, vëllazërimin, bashkimin, në të gjitha me serbët”. Ndërkohë Beogradi valëviste divizën: “Të marrim hakun disfatës së Kosovës dhe të çlirojmë vëllezërit e robëruar”. Lufta e monarkive të Ballkanit për çlirim nga perandoria turke ishte pretekst, pasi pas saj fshihej copëtimi e asimilimi i Shqipërisë. Aleanca e shenjtë i sulet Shqipërisë në procesin e kryengritjes, që ajo të mos çojë në shkëputje e pavarësi prej Turqisë, por në njëlloj pushtimi të ri. Strateg e komandues të përsosur nuk gjen. Boletini shfaqi maksimumin e aftësive e të energjive. Ai mati mundësitë dhe forcat më të shëndosha e më të përgatitura i mbante të mbledhura e në gatishmëri, pasi ndërkaq përgatitej Kuvendi Kombëtar i 28 Nëntorit 1912 për ta bërë fakt Pavarësinë para se “fqinjët” të proklamonin ndarjen tërësisht të Shqipërisë.

 

 

 

 

 

Në Vlorë u publikua mëvetësia e shtetit të parë. Pas Hasan Prishtinës e K. Hoxhës, Boletini konsiderohej prijësi i parë ushtarak që konceptoi situatën. Me 4000 trima kosovarë, kryetrimi vrapoi drejt bregdetit në mburojë të ngjarjeve politike madhore, sepse shtetet e mëdha dhe monarkitë ballkanike Shqipërinë e konsideronin jo të pavarur, por me një autonomi nën mbikëqyrjen e një shteti evropian. Që të shmangej ky rrezik katastrofik, si anëtar i delegacionit shqiptar në Londër, tok me Ismail Qemalin shkoi dhe Isa Boletini. Sipas normave protokollare, pjesëtarët i dorëzuan armët në hyrje të selisë mbretërore. Armët iu kthyen delegacionit kur doli jashtë. Zyrtari anglez iu drejtua viganit: “Ja, më në fund çarmatosëm edhe shqiptarët në Londër”. “Besa jo edhe në Londër”, – ia priti Isa dhe nga xhepi i fshehtë i kostumit kombëtar nxori një kobure në gatishmëri zjarri.

Isa Boletini, si prijës i talentuar i sheshbetejave, ishte edhe diplomat e politikan i çështjes shqiptare. “Të derdhim dhe të mbramen pikë gjaku që na ka mbetur për të drejtat e Shqipërisë. Rroftë vllaznia, rroftë bashkimi!” – apelon.

 

 

 

 

Shovinistët s’mund të duronin një flakadan me aq reputacion si Isa, ndaj për kapjen dhe likuidimin e tij përdorën dredhinë. Cetnija e shtiu në dorë me dinakëri, me anë të konsullatës franceze në Shkodër. Boletini me 2 djemtë, 3 nipat dhe 2 nga shokët më besnikë u vra tradhtisht (afër urës në Podgoricë). U përmbush plani dhe skenari, që u dështoi në përpjekjet për ta manipuluar si “Shef kryesor të Shqipërisë”.

Boletini është një nga 51 personalitete shqiptare në Kosovë, që u zhdukën drejtpërdrejt ose tërthorazi nga shovinizmi serb në periudhën 1903-1948. Atdhetarin e madh, udhëheqësin e çështjes shqiptare dhe strategun popullor të luftës së armatosur kundër çdo të huaji, e përjetësoi një Shqipëri e tërë. Idealet e “Heroit të Popullit” i transmetojnë brezat deri në realizimin e aspiratave kombëtare./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN