MENU
klinika

Nga Luan Rama

Ungjilli i mëkatares/ Çfarë dimë ne për Maria Magdalenën?

20.07.2019 - 15:13

Ky personazh i botës kristiane, që përmes shekujve ka ngacmuar aq shumë fantazinë e letrarëve dhe artistëve, vazhdon të jetë një personazh kontradiktash e «betejash» historike, veçanërisht midis Vatikanit dhe atyre historianëve që kur ndeshen me fakte të reja të historisë së vjetër, duan t’i japin atyre vlerën që kanë, edhe pse doktrinat e kanë vulosur në një farë forme fatin e tyre.

Maria Magdalena është padyshim një personazh tërheqës dhe ndoshta po aq tërheqës sa dhe fytyrat plot hir të një Isabelle Adjani apo Juliette Binoche që e kanë interpretuar në kinematografi. Duke udhëtuar në Izrael, në brigjet e liqenit të Tiberiadës (Genesaret), rreth të cilit ndodhen shumë vënde historike që lidhen me lindjen e Krishtërimit, qyteza e vjetër Magdala, më ka rikujtuar menjëherë imazhet e Maria Magdalenës që kemi parë në filmat e realizuar vitet e fundit, dhe jo vetëm në atë të Martin Skorcezes, në bazë të romanit të shkrimtarit grek Kazanzaqi Tundimi i fundit i Krishtit, apo filmi tjetër po amerikan Pasioni i Jezu Krishtit i Mel Gibson, por dhe një nga filmat e ketyre viteve të fundit me aktoren franceze Juliette Binoche, i cili ka trajtën e një hetimi rreth asaj çka ndodhur dymijë vjet më parë. Vallë, ç’ka ndodhur vërtet? Kush ishte kjo grua që do të hynte aq shumë në kujtesën e Njerëzimit të erës sonë?

Pikërisht kur je në Magdala, çdo turist mendon menjëherë rreth asaj figure që ka mbetur si një nga figurat më simpatike të gjenezës kristiane.

Magdala në hebraisht do të thotë «e mrekullueshme» dhe po kështu quhej dhe kështjella e dikurshme (sot në rrënoja) që siç na thoshte një ciceron, dikur quhej Magdalum. Peizazhi është gjithnjë i gjelbërt dhe i paqtë, ku në një qiell blu nderen ca re të bardha. Që andej rruga ngjitet drejt Nazareth-it, ku është ende ajo shpellë e vogël në kishën e Virgjëreshës Mari, nënës së Jezusë.

Tregimet dhe legjendat thonë se Maria e Magdala-s, apo Maria Magdalena, siç do të quhej ajo më vonë, kaloi këtu një rini plot qejfe, por me shfaqjen e Jezusë në ato anë, ajo i kërkoi profetit të ri çifut t’i largonte demonët që kishte në shpirt. Dhe Jezuja ia hoqi, dhe ajo iu përkushtua atij dhe e ndoqi në rrugën e tij, nëpër Galile e Jerusalem, gjer në ditën kur do të kryqëzohej. Në tregimet biblike kujtohet gjithnjë se pas varrimit të Jezusë, ku ishte dhe Maria Magdalena bashkë me nënën e tij, Virgjëresha Mari, ajo u kthye në shtëpi.

Të nesërmen, meqë ishte e shtunë, «sabbat» dhe sipas ligjit hebraik nuk punohej, ajo shkoi për te varri i Krishtit ditën e parë të javës, që t’i parfumoste trupin meqë do të ballsamosej. Por kur shkoi atje, ajo vuri re se guri i varrit, pranë kopshtit, ishte hequr. Ajo filloi të qante dhe e tronditur u kthye të dilte nga shpella kur papritmas, vështroi para saj vetë Jezunë, i cili i tha: «Grua, pse qan dhe kë kërkon?

Një çast ajo kujtoi se ishte kopshtari fqinj dhe i tha: «Nëse je ti ai që e ke hequr trupin, më thuaj se ku e ke vendosur që të mund ta marr.» Por ai i tha vetëm një fjalë: «Mari!» Duke njohur vetë Shpëtimtarin, ajo i thirri: «Mjeshtri im!» – dhe iu hodh në këmbë ta pushtonte. “Mos më prek, – i tha menjëherë Jezuja, – sepse ende nuk jam ngjitur te im Atë, por shko dhe gjej vëllezërit e mij dhe thuaj se do të iki te Ati dhe Zoti im, sepse ai është gjithashtu Ati dhe Zoti i tyre…. Kështu Maria Magdalena vajti te dishepujt dhe u tha: «Pashë Zotin dhe ja se ç’më tha!”

Shumë historianë mendojnë se pas kryqëzimit të Krishtit, Maria Magdalena ndoqi Virgjëreshën Mari dhe Shën Gjonin për në Efez, ku kishte një komunitet të organizuar kristianësh dhe ku më vonë edhe vdiqën. Të tjerë studjues pohojnë se ajo shkoi bashkë me të vëllanë e saj Lazar dhe të motrën Marta, duke iu drejtuar jugut të Francës. Me të zbarkuar diku pranë Marsejës, në vëndin që më pas do të merrte emrin Saints Maries-de la Mer(Shënjtet Mari të Detit), thuhet se ajo kishte filluar të predikonte për misionin e Jezusë në turmat e njerëzve dhe pastaj ishte mbyllur në një shpellë në Saint-Baume, duke pritur vajtjen në botën e përtejme.

Legjenda thotë se që andej (në Saint-Pilon), ajo ngrihej në qiell përmes ëngjëjve që të takonte burrin hyjnor. Disa kronistë mesjetarë, ndër të cilët dhe Joinville, i kohës së Louis IX (Shën Louis, vdekur në 1271), shkruajnë për transferimin e eshtrave të saj nga Saint-Maximin apo Aix-en-Provence në kishën e madhe të Vezeley-it, në një kodrinë të lartë të Bourgogne-s. Por sidoqoftë jo pak historanë dhe specialistë të doktrinës kristiane kanë pyetur: Si ishte e mundur që pas kryqëzimit të Krishtit, nga krerët e kishës së re nuk u fol më për Marinë? Çfarë kishte ndodhur?

Disa historianë kanë shkruar rreth krijimit të dy grupeve ithtarësh në ato vite pas kryqëzimit të Jezusë: atyre rreth apostullit Pjetër, i cili mori përsipër vazhdimin e veprës së Jezusë dhe grupit të ithtarëve të Maria Magdalenës. Dhe nga kjo kundërvënie, duket se ishte Maria ajo që e humbi «betejën». Por megjithatë, ungjijtë e mëpasëm, veçanërisht ata gnostikë nuk e harruan figurën e saj. Ç’kishte ndodhur vërtetë midis asaj dhe Jezusë?

  • Ungjilli i mëkatares

Ungjilli i Maria Magdalenës bën pjesë ndër ungjijtë dhe dokumentet e vjetra biblike të gjetura në vitin 1945 në shkretëtirën e Egjiptit të Sipërm, përgjatë Nilit, në Jabal al-Tarif dhe që më pas, për nga pasuria e dokumenteve dhe ekzistenca diku pranë e një manastiri të vjetër kristian, do të quhej «Biblioteka e Nag Hammadit». Ai është i shkruar në gjuhën kopte, gjuhë e kishave dhe manastireve të para kristiane në Egjipt, (ato vareshin nga qëndra kristiane e famshme e Aleksandrisë), gjuhë që vjen nga fjala «qibt», e cila është një kontraksion i fjalës së vjetër greke Aigupos, pra Egjipt. Atëherë ungjijtë (Lajm i Mirë) kopjoheshin nga murgjit (si në imazhet që na krijon romani i Umberto Ecos Në emër të Trëndafilit), dhe ky ungjill si shkrim i përket shekullit të V, edhe pse origjinali i tij ishte i shekullit të II, pra rreth vitit 150 të erës sonë. Meqë në shekullin IV, kur u vendos përafërsisht se cilët do të ishin ungjijtë e doktrinës kristiane, këta ungjij gnostikë u groposën, u dogjën, u asgjësuan ose dhe kur ishin të fshehur nuk u kopjuan më nga frika e reprezaljeve. Ky ungjill që vinte nga zona e Achmin, ishte blerë në Kajro dhe ishte futur në Departamentin e Egjiptianologjisë në Muzeun e Berlinit, nën kujdesin e profesorit gjerman Carl Schmidt.

Ungjilli i Marie Magdalenës, i shkruar mbi papirus u gjet me fletë që i mungonin (faqet 1 deri në 6 dhe faqet 11 deri në 14). Çdo fletë përmban 21, 22 ose 23 rreshta. Deshifrimi i këtij ungjilli ishte padyshim i vështirë për faktin e këtyre mungesave, që shpesh specialisti i fushës duhet të imagjinojë për t’i interpretuar dhe për t’i dhënë koherencë gjithë tekstit. Megjithatë, Maria (apo Myriam, siç quhej atëherë në hebraisht) shfaqet në këtë ungjill si një e afërt e Jezusë, një “konfidente” e tij, pasi Jezuja i thotë asaj gjëra që nuk ua thotë të tjerëve, apostujve të afërt të tij. Ja pse mjaft studjues të historisë së Kristianizmit kanë parë në këtë hipotezën se ajo mund të ishte dhe gruaja e tij. Por a ishte në të vërtetë? Në ungjijtë kanonikë, që përbëjnë thelbin e doktrinës kristiane që nga shekulli i IV, kur u vendosën tekstet themelore të Testamentit të Ri, ajo përmëndet si dëshmitarja e parë në Ringjalljen e Krishtit (Christos, që vinte si përkthim nga fjala hebraike Messiah, Mesia.) Në Ungjillin e Markut dhe në Ungjillin e Mateut, këta dy apostuj flasin për lotët dhe ankthin e saj, por asnjëherë nuk hidhen idetë e ndonjë lidhje më të afërt me Jezunë. Madje ajo është parë gjithnjë si ajo mëkatarja e çliruar nga 7 demonët e këqinj nga shpëtimtari Jezu, që e ndoqi pas Shpëtimtarin dhe që në darkën e fariseut Simon në Galile, ajo e parfumosi me një parfum të shtrenjtë për të cilin na u ankua dhe Juda (në tekste të tjera ajo i lau këmbët dhe ia fshiu me flokët e saj). Në ungjijtë e tjerë, Maria përmëndet kur zbulon varrin bosh të Krishtit, e shoqëruar me gra të tjera, pasi ato do të shkonin t’i bënin shërbime trupit të tij. Nga ana tjetër, Marku dhe Luka, dy nga besnikët e Jezusë, shkruajnë se «Maria Magdalena e ka shoqëruar Jezunë në udhën e tij

në Galile e madje ajo e kishte ndihmuar me para». Por në Ungjillin e Tomës, shkruhet diçka akoma më interesante, që tregon për lidhjen Jezu-Mari: «Simon Pjetri u tha atyre: Të largohet Maria nga ne, sepse gratë nuk janë të denja për jetën!» Por Jezuja tha: «Unë do ta mbaj që ta kthej atë në mashkull, që edhe ajo të bëhet një shpirt i gjallë, pasi çdo grua që bëhet burrë do të futet në mbretërinë e qiejve». Sigurisht, në shpjegimin mistik «shpirti atëherë ishte i lidhur gjithnjë me seksin mashkull dhe se në Ungjillin e Tomës bëhet fjalë më shumë për një «bashkim shpirtrash», por a ishte vetëm kështu? Përse Jezuja nguli këmbë ta merrte me vete në botën e përtejme, gjë të cilën nuk e bëri për dikë tjetër ?…

Ungjilli i Maria Magdalenës ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, mësojmë se pas Ringjalljes, Jezuja u thotë apostujve që të përhapin ungjillin dhe pasi i bekon, ai largohet. Ikja e tij (në këtë ungjill) i trishton apostujt, por Maria i ngushëllon ata dhe i nxit të mendojnë për ato çka u tha ai. Por meqë Jezuja ishte takuar veçmas me Marien, apostulli Pjetër i kërkon asaj tu tregojë se çfarë i kishte thënë Jezuja. Në pjesën e dytë, ajo u tregon për ëndrrën që kishte parë. Pastaj Pjetri dhe Andrea i bëjnë pyetje dyshuese në lidhje me ëndrrën. Apostujt fillojnë të dyshojnë dhe janë të pakënaqur. Nga fundi i tekstit dhe i bisedës mes apostujve, apostulli Levi, u thotë apostujve të tjerë se “Jezuja e donte Marien më shumë sesa ne”.

Sigurisht, ky ungjill, si shumë ungjij të tjerë apokrifë, kryesisht gnostikë, e tregon historinë në mënyrë të lirshme, pa qënë e detyruar të çenzurohet nga dikush, në një kohë kur korrente të ndryshme brënda Kristianizmit ishin tolerante ndaj njëra tjetrës, pasi armiku i tyre ishte kryesisht persekutimi romak, por dhe grindjet me hebrenjtë. Sigurisht, këtë ungjill nuk e ka shkruar Maria Magdalena, edhe pse quhet kështu që në fillim të këtij dorëshkrimi. Ai është i shkruar nga një skrib që ne nuk e njohim, padyshim një murg anonim, siç ndodhte zakonisht në atë kohë, kur ungjijtë merrnin emrin e njërit apo tjetrit apostull. Padyshim çështja themelore është: A ishte Maria Magdalena e dashura apo gruaja e Jezusë?…

  • Maria në Ungjillin e Filipit

Bashkë me Ungjillin e Maria Magdalenës, në «Bibliotekën e Nag Hammadi»-it ishte dhe «Ungjilli i Filipit», i cili bën pjesë në kodikët gnostikë dhe ishte ndër kodikët më të plotë të dorëshkrimeve të gjetura nga fellahët. Profesori dhe specialisti francez Jean-Yves Leloup, në librin e tij L’Evangile de Philippe, na jep të plotë tekstin e këtij ungjilli për ta vlerësuar çdokush se çfarë është shkruar në të.

I përbërë nga 150 fletë, ky ungjill apokrif, (që nuk është kanonik, pra i pranuar nga Kisha Kristiane), është në një format papirusi prej 28,3 cm me 28 cm si dhe me një tekst të shkruar në një gjërësi 12,5 cm. Leloup thekson se «ky ungjill, është një dëshmi e jetës dhe e mësimeve të Krishtit në atë kohë. Ai na lejon të zbulojmë te Ai një figurë tepër njerëzore dhe të lirshëm ndaj burrave dhe grave.

» Siç dihet, Filipi ishte një nga apostujt e afërt të Jezusë. Emri Filip në greqishten e vjetër do të thoshte «ai që do kuajt», dhe ky apostull përhapi Krishterimin në zonën rreth Detit të Zi, gjersa më në fund u martirizua dhe u kryqëzua në Hieropolis, siç na e dëshmon këtë fakt vetë Eusebe i Cesarese (port që në kohën e Cesar-it quhej Ptolemeis) dhe që ishte kronisti i parë i historisë së Krishterimit, duke shkruar një histori shumë vëllimëshe. Që në faqen e parë të këtij ungjilli të vështirë e mistik, shkruhet:

«Në fillim YHWH (Jahve – Zoti) krijoi njeriun në imazhin e tij

  • Burrin dhe gruan Ai krijoi.»

Ajo që bie në sy në këtë ungjill është se lidhur me raportet e Jezusë dhe të Maria Magdalenës, ky ungjill shkon shumë larg. Në ungjill shkruhet në mënyrë direkte se «Myriam për të ishte një motër, një nënë dhe grua (koinonos)». Në faqen 65 të këtij ungjilli mund të lexosh gjithashtu: «Gruaja e Birit të Zotit është Myriami nga Magdala. Mësuesi e donte Myriamin më shumë se dishepujt e tij. Shpesh ai e puthte në buzë. Dishepujt e shikonin se ai e dashuronte Myriamin dhe i thanë: «Përse e do më shumë sesa ne të gjithë? Dhe Mësonjësi u përgjigj: «Përse të mos ju dua më shumë se atë?… Po kështu në këtë ungjill shkruhet: «Ishin tre veta që ecnin me Zotin: nëna e tij Maria, motra e saj dhe Magdalena, ajo që quhej koinonos. Motra, nëna dhe gruaja (koinonos) e tij, sejcila prej tyre ishte Mari (pra quhej Maria)».

  • Puthja e Jezu-së

Edhe pse profesori amerikan Bart D. Ehrman në librin e tij E vërteta dhe trillimi në librin Kodi Da Vinci, përkthyer në shqip nga Pirro Dollani i referohet gjatë «Ungjillit të Filipit» dhe ai e vë në dyshim përkthimin e fjalës koinonos, duke tentuar t’i japë kuptimin e një «bashkëpuntoreje të afërt», ndryshe nga specialistë të tjerë që në rrënjën e kësaj fjale sipas gjuhës së asaj kohe kuptohej raporti i lidhjes seksuale. Por sidoqoftë, për pasazhin ku thuhet se «Jezuja e puthte atë në buzë», Bart D. Ehrman nuk ka çtë thotë.

Madje dhe një fragment tjetër i këtij ungjilli është problematik, pikërisht në një faqe ku papirusi është grisur dhe kjo e bën të vështirë interpretimin e tij. Por kushdo mund të gjykojë rreth këtij pasazhi: «E shoqja (vënd i grisur i papirusit) Maria Magdala (grisur) më shumë (grisur) dishepuj (grisur) e puthi atë (grisur) në (grisur)…» Me sa duket specialistët mendojnë se Jezu ka qënë diku dhe ka puthur Marien, por se ku ka ndodhur kjo dhe në ç’rrethanë, kjo gjë nuk shpjegohet nga teksti konkret.

Sidoqoftë bëhet fjalë gjithnjë për një hipotezë, por disa piktakime të tilla, në disa ungjij të shekujve II dhe III pas erës sonë, hedhin për diskutim një variant tjetër të marrëdhënieve të Jezusë me Marie Magdalenën. Sigurisht, Dan Brown në librin e tij sensacional Kodi Da Vinci edhe pse mundohet të tregojë histori përmes një pene historiani, ky libër nuk përbën një libër historik, madje shpesh ai është me pasaktësi të mëdha dhe elementare, duke spekulluar rreth marrëdhënieve Jezu-Mari dhe Parësisë së Sionit.

Por sidoqoftë, edhe ai i referohet kësaj marrëdhënie, duke u mbështetur pikërisht në zbulimin e këtyre ungjijve gnostikë: Ungjilli i Marie Magdalenës dhe Ungjilli i Filipit. Për këtë lidhje të veçantë, Dan Brown në fakt është mbështetur tek një roman tjetër i botuar para tij, Gjaku i shenjtë Graal, ku përshkruhet historia e Maria Magdalenës që kishte një fëmijë me Jezunë.

Kjo histori, ka qënë e përhapur veçanërisht në Evropën perëndimore. Madje në libra të ndryshëm historikë i referohen kësaj legjende të ikjes së Marie Magdalenës nga Jeruzalemi pas kryqëzimit të Krishtit, bashkë me fëmijën e saj, vajzën Sarah, të cilën e lindi më pas. Por kushdo mund të pyesë: a kishin ndonjë interes të veçantë këta skribë, shkronjës dhe hartues ungjijsh (që i bëjnë himn Jezusë dhe misionit të tij që në shekullin e II dhe të III), të flasin nga ana tjetër për një marrëdhënie burrë-grua? Sigurisht që jo. Por sidoqoftë në një mjergull dymijë vjeçare është e vështirë të thuash me bindje se çka ndodhur realisht dhe si?

  • Pyetje kryesore mbetet gjithnjë: a ishte i martuar Jezuja?

Disa specialistë perëndimorë, kryesisht francezë, pohojnë se ai duhej të ishte martuar ose të paktën të ketë qënë i fejuar, pasi sipas zakonit hebraik, “një hebre që nuk martohej bënte një krim”. Akoma më shumë që ai ishte një rabin, (RaBBi), që predikonte në sinagogë, dhe ligji hebraik thoshte se “nuk mund të predikonte në sinagogë një rabin i pamartuar”.

Vetë ungjijtë thonë se “Jezuja predikonte nëpër sinagoga”. Lidhur me gjëndjen e tij, nëse ishte i lidhur me një grua apo jo, në mënyrë të tërthortë e shkruan dhe vetë Shën Gjoni në ungjillin e tij, përmes një historie që i ndodh Jezusë. Dhe ja si ndodh: “Tri ditë më vonë kishte një dasëm në Kana të Galileut. Nëna e Jezusë ishte atje. Dhe Jezuja ishte ftuar. Meqë vera mbaroi në tavolinë, nëna i tha Jezusë: “S’ka më verë”. Ai tha: “Grua, çfarë ka midis teje dhe meje? Ora ime ende s’ka ardhur!”

Pastaj nëna e tij u tha atyre që shërbenin: “Bëni si ju thotë ai”. Por aty ishin gjashtë vazo të mëdha që shërbenin për purifikimin e hebrenjve. Jezuja tha: “Mbushini këto me ujë”. Dhe ata i mbushën gjer në grykë. “Çojini tek ata që drejtojnë tavolinat”. Dhe ata i çuan. Ai që shërbente, e provoi ujin dhe pikasi se ishte shndruar në verë, pa e ditur se nga vinte kjo verë, ndërkohë që ata që e sollën e dinin. Ai i thirri burrit që martohej dhe i tha: “Çdo njeri shërben në fillim verën e mirë dhe pastaj kur të tjerët pihen, shërben atë të rëndomtën. Ndërsa ti ke po atë verë gjithnjë”… Kjo që ndodhi në Kana të Galileut ishte mrekullia e parë që bëri Jezuja.”

  • Fati i Ungjijve apokrifë

Ungjilli i Maria Magdalenës bën pjesë në ungjijtë apokrifë, të cilat Kisha Kristiane i ka lënë jashtë që në kohën kur ajo u organizua si një kishë e vërtetë. Në ekzistencën e ungjijve gnostikë një shpjegim na e jep dhe vetë historia. Siç u përmëndën më parë dhe rreth “Ungjillit të Judës”, në shekujt II dhe III të erës sonë kishte një liri të madhe mendimi.

Pas shkrimeve të para të Shën Palit rreth Jezusë dhe përhapjes së misionit të tij për shpëtimin e Njerëzimit, (ai është dhe historiani i parë i Krishterimit me Letrat e tij dërguar selanikasve, efesianëve, romakëve, filipinëve, etj), u shkruan ungjijtë e Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit e më pas Ungjilli i Pjetrit, Ungjilli i Tomës, Ungjilli i Filipit, etj, ashtu siç do të shkruhej dhe “Ungjilli i Maria Magdalenës”.

Pas Romës një qëndër e fuqishme e Kristianizmit ishte Aleksandria si dhe Antioche, në brigjet e Detit Mesdhe. Por Roma dhe Aleksandria ishin në konkurencë me njëra tjetrën dhe Aleksandria si të thuash ishte qëndra e gnostikëve. Sidoqoftë, të gjithë këta ungjij të shkruar, me pak ndryshime, i bënin jehonë jetës së Krishtit dhe veprave të tij. Misioni i tij është gjithnjë shpëtimtar dhe ai i sakrificës për dashurinë njerëzore. Por një ngjarje e madhe bëri që feja e re kristiane të merrte një drejtim tjetër: ardhja në fuqi e perandorit Konstantin.

Atëherë ekzistonin dy perandori të ndara: njëra në Perëndim, ajo e Romës dhe tjetra në Lindje, ajo e Konstantinopojës. Por kur dy perandorët, Konstantini dhe Maksiminiani i Romës hynë në luftë dhe kur Konstantini marshonte drejt Romës, atje në urën e Milvianit mbi lumin Tiber, atij iu shfaq një shenjë e mbinatyrshme dhe pastaj shenja e Kryqit. Pikërisht në këtë moment ai kishte thënë: ”Me këtë shenjë unë do të sundoj!” Shenja e kryqit i ishte shfaqur bashkë me dy gërma: X dhe P. Ai thirri këshilltarët e tij dhe i pyeti ata se ç’donin të thonin ato. Dhe ata i thanë se ato ishin shenjat e emrit të Jezu Krishtit. Atëherë ai vendosi që ta bëjë Krishterimin fe të perandorisë së tij. Por që të bëhej kjo duhej krijuar doktrina kristiane.

Në fillim të shekullit të IV, në Aleksandri jetonte një mësues me famë dhe mjaft popullor që quhej Arius. Ai u përpoq ta zgjidhte problemin e identitetit të Jezusë me tezën se vetëm ai ishte Ati Zot. Një nga kundërshtarët e Ariusit ishte një dhjak i ri i kishës së Aleksandrisë i quajtur Athanas. Ai dhe do të fitonte në këtë betejë doktrine. «Athanasi dhe bashkëfetarët e tij, – siç shkruan dhe Bart D. Ehrman, – ngulmonin në përcaktimin paradoksal të kushtit të Jezusë si hyjni, por që ishte ende njeri. Por ai ishte nga i njëjti thelb si Ati Zot.

Kjo dhe çoi në doktrinën e Trinisë ku janë tre individë që përbëjnë Zotin, të barabartë mes tyre. Perëndia është një dhe shfaqet në tre individë.» Në atë kohë ishte ende dyshimi që Jezuja, ishte dhe njeri dhe Zot, hyjni, siç shkruante dhe martiri kristian Ignatiusi i Antioche-s, i lindur në vitin 110, në Letrën drejtuar efesianëve», («Jezuja është një mjek prej mishi e fryme, i lindur dhe i palindur, Perëndia, dora vetë, fillimisht i vuajtur dhe më vonë përtej vuajtjes.»).

Atëherë perandori Konstantin urdhëroi mbledhjen e koncilit të Nikesë (Nice, pranë Nocomedie, ku ishte rezidenca e tij), në vitin 325, kohë kur Konstantini kishte vendosur pushtetin dhe mbi Perandorinë romake. Aty Jezuja u cilësua Zoti i vërtetë dhe ata peshkopë që nuk pranuan ta firmosnin dokumentin final, u ç’kishëruan. Ky koncil, që mblodhi qindra peshkopë të ardhur nga qëndrat e kishave kristiane (edhe pse në grindje me njëra tjetrën), në vija të përgjithshme përcaktoi tekstet zyrtare të Kishës Kristiane, duke lënë jashtë ungjijtë apokrifë që e tregonin Jezunë si shumë «njeri».

Ky do të ishte dhe fati i Ungjillit të Madalenës, i cili s’do të përmëndej më dhe do të humbte në errësirën shekullore, edhe pse imazhi i Maria Magdalenës në Mesjetë, pati adhurues të mëdhenj në të gjithë Evropën.

Sot, ky ungjill na jep një imazh të ri rreth Jezusë dhe jetës së tij, por që për doktrinarët e Krishtërimit të sotëm, padyshim përbën një lloj blasfemi. Historianët le të gjykojnë…

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit