MENU
klinika

Liriku, atdhetari, përkthyesi

Vargjet e filozofisë së thellë humaniste

15.07.2019 - 12:52

THEOFAN STILIAN NOLI (1882-1965) lindi në fshatin Qytezë, të banuar nga shqiptarë. I ati, Stiliani, shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Filloren dhe të mesmen e bëri në gjuhën greke, mirëpo tek Noli ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar me të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës u shfaq karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës, për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor.

Më 1903, vajti në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Aty njihet me lëvizjen kombëtare dhe, i ndihmuar nga patriotët, nis veprimtarinë politike dhe letrare. Shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Nga viti 1908 deri 1912, kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit në Boston, të cilat i përfundon me: Bachelor of Arts cum laude. Në SHBA, luajti rol në bashkimin shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”. Themeloi Kishën Shqiptare në Amerikë më 1908, kurse më 1909, së bashku me Faik Konicën themeloi “Vatrën”.

 

 

 

 

Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, Noli dha shumë për të. Një rol kryesor luajti në pozicionin si prift, pasi bëri hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe kreu të parën shërbesë ortodokse në gjuhën shqipe në prani të princit Vilhem Vidi. Më 1919 u shugurua Peshkop dhe u konsakrua më 1921 në Shqipëri.

Fan Noli, në veprimtarinë e tij të shumanshme, dha një ndihmesë të shquar në formimin e kulturës shqiptare. Një pjesë të mirë të forcës ia kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”; themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqipe, lirikat e të cilit ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri, tokë, drejtësi dhe përparim. Po ashtu, u kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Më 1947, botoi përpunimin që i bëri “Histori e Skënderbeut”. Më 1949, nxori në dritë një botim anglisht dhe një variant të dytë shqip të saj. Më 1960, bëri në anglisht një autobiografi të shkurtër mjaft tërheqëse. “Albumi” me vjersha u botua në vitin 1948, brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Njeri me interesa të gjëra krijuese, ai u mor edhe me muzikologji; monografia e tij: “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u çmua shumë nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të veprave të shkrimtarëve të mirënjohur botërorë, si të Shekspirit: “Hamletin”, “Makbethin” dhe “Jul Cezarin”, të Ibsenit, të Servantesit: “Don Kishotin” etj.

 

 

 

 

 

Krijimtaria poetike e Nolit është ndër gjërat më të fuqishme, më të thella e më tronditëse të letërsisë shqipe. Vargjet e tij përshkruhen nga një filozofi e thellë humaniste dhe janë demaskuese të një bote të vjetër, të mykur, ku mbijetojnë intrigat, prapaskenat, krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara demokratike, optimizmi se gjithçka që i ka kaluar koha do përmbyset. Poezia noliane është një poezi novatore, sepse pasqyron idealet më përparimtare të shoqërisë shqiptare të viteve 1920-30, idealet më demokratike me një forcë artistike të jashtëzakonshme. Ritmi i marshit i jep kësaj poezie gjallëri të vazhdueshme e tone optimiste. Në vargjet e Nolit, realizmi është gërshetuar me frymën romantike të ëndrrës e shpresës, po aq ngushtë sa është gërshetuar edhe ideja e kryengritjes, luftës për liri shoqërore me tolerancën shoqërore e lirinë e individit. Noli ndoqi modelet poetike klasike, por pati një ndikim të ndjeshëm nga poezia popullore. Në poezinë e tij, figuracioni popullor i shkrirë në zjarrin e frymëzimit dhe në frazeologjinë e zgjedhur e të pasur të gjuhës së folur, ka sjellë vargje me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse. Duke përdorur me mjeshtëri figura: epitete, antiteza, alegori etj., ai portretizon me art mjedisin real historik të jetës shqiptare.

Krahas veprave të shquara ideoartistike, poezia e Nolit dallohet si model i masës, gjë që ndihet edhe në prozën e tij të rrjedhshme, koncize, me një kompozicion të saktë. Noli përdor fondin e pasur të gjuhës shqipe, duke aktivizuar fjalë të vjetra e duke krijuar të reja, si dhe duke futur në funksion edhe fjalë të huaja, ndaj themi së është ndër pasuruesit me të shquar të gjuhës sonë. Krijimtaria poetike u përmblodh për herë të parë nga shkrimtari dhe kritiku ynë i shquar, Mitrush Kuteli.

 

MARSHI I BARABAJT

 

Allalla, o rezil e katil allalla,

Shtroni udhën me hith’r e me shtok turfanda,

Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,

Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

 

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,

Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fé.

Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,

Derbeder, ujk e derr: Hasanna, Barabba!

 

Ndofta Sekretari i Përgjithshëm kishte në mend të thotë një marrëveshje, që nuk dëshironte për një hua me një guvernë kryengritëse, pa një parlament si atë që kryesohet prej të përunjësit prift. Po e dini ç’është parlamenti? Pa fjalë e dini! Po do të kuptohet më mirë, kur të gjeni se ç’mendoj për të. Parlamenti është një sallë, ku mblidhen politikanët për shpoti, që bën prova operete në trupin e gjallë të racës së vet. Një sallë plot me gaz të helmuar. Gazi mbytës, gazi që sjell lot, qeshje tangoje dhe gjithë gazet e tjerë, në të cilët u luftua lufta e fundit që t’u jepte fund luftërave dhe të vendoste paqe, paqe për të cilën bëjmë fjalë e që e shkelni me këmbë, jemi gati të bëjmë zgjedhje të ra, dhe ta bërthesim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë supersticie të mallkuar, parlamentin pas dy ose tre vjetësh qeverim atëror”, – shprehet Noli, në fjalën që mbajti para Lidhjes së Kombeve.

 

 

 

 

Sa aktuale tingellon thënia e të madhit Fan S. Noli në Parlamentin Shqiptar në 1924 mbi anarkinë patriotike: “Këtu idealet e shtrembra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buharesë përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante e më të ndritshme të Perëndimit, na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltugofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodoti tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e leshonte gjersa ia prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ia prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e leshoi gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltugofagët tani janë më të fortë, se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u presësh jo vetëm duart e kokën, por dhe këmbët e trupin”./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit