MENU
klinika

Operacioni policor

Zaptuan hapësirat publike, 3 inspektorë të IMT-së nën hetim

25.07.2019 - 17:22

Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion policor kundër informalitetit, evazionit në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave të akcizës dhe evazionin fiskal.

Kështu janë proceduar tre inspektorë të IMT të bashkisë Bulqizë të cilët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke lënë zaptimin e hapësirave publike.

Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në kuadër të masave të marra kundër informalitetit, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Bulqizës, për subjektet që kanë zaptuar hapësirat publike.

Si rezultat u proceduan penalisht tre Inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Bulqizë B.Ç., 25 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Kryeinspektor i IMT, bashkia Bulqizë; A.T., 42 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Inspektor në IMT bashkia Bulqizë; E.A., 24 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Inspektor në IMT bashkia Bulqizë.

Këta shtetas në neglizhencë të kryerjes së detyrave si punonjës shtetërorë nuk kanë kryer me dashje marrjen e masave ligjore për prishjen e ndërtimeve të kundraligjshme ndaj subjekteve që kanë zaptuar hapësirat publike të bashkisë Bulqizë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprën penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Po kështu nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: S.V., 48 vjeç, banues në Dibër (pronar i një subjekti për shfrytëzim pyjesh); B.L., 47 vjeç, banues në Tiranë; M.D., 60 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetas S.L, është konstatuar nga policia në Njësinë Administrative Macukull, duke drejtuar një kamion të ngarkuar me 8 metër kub lëndë drusore, i cili nuk dispononte dokumentacion për transport të lëndës drusore, faturë shoqërimi të mallit, si dhe nuk kishte faturë të rregullt për prerjen e pyjeve.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S.L., ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme në subjektin me pronar shtetasin S.V, i cili do të hetohet në gjendje të lirë për veprat penale “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Ndërsa shtetasi M.D, është konstatuar nga policia në Njësinë Administrative Macukull, duke drejtuar një kamion të ngarkuar me 10 metër kub lëndë drusore, i cili nuk dispononte dokumentacion për transportim të lëndës drusore, faturë shoqërimi të mallit, si dhe nuk kishte faturë të rregullt për prerjen e pyjeve.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.