Zbardhet vrasja e 69-vjeçarit në Tropojë në 2018.
Autori i krimit të ndodhur një vit më parë në bjeshkët e Doberdollit në Tropojë ka rënë në prangat e policisë.
“Kapet dhe ndalohet në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin, shtetasi i shpallur në kërkim: Nike Lulashi, 55 vjeç, banues në Tropojë”- njofton policia.
Sipas saj, kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi është autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit Tahir Bajraktari, ngjarje e ndodhur më datë 18.09.2018, në bjeshkën e Doberdollit, Tropojë.
ARRESTIMI
Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në bazë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, kapet dhe ndalohet në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin, shtetasi i shpallur në kërkim: N. L., 55 vjeç, banues në Tropojë.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi është autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit T. B., ngjarje e ndodhur më datë 18.09.2018, në bjeshken e Doberdollit, Tropojë.
Gjykata e Rrethit Tropojë me vendim nr. 35 datë 25.09.2018 ka caktuar masën sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .
Ky shtetas do i dorëzohet shërbimeve të D. V. P. Kukës për veprime të mëtejshme.
NGJARJA:
Nikë Lulashi, ka qenë fqinj me viktimën. Tahir Bajraktari, me profesion mekanik u qëllua për vdekje me armë zjarri në shtëpinë e tij të pushimit në bjeshkë, ku kishte shkuar dy ditë para ngjarjes.
Aso kohe policia tha se mes dy fqinjëve ka pasur një konflikt për pagesën, që 69-vjeçari i jepte Lulashit për t’u kujdesur për shtëpinë e tij të pushimeve.
Banorët e zonës treguan pas ngjarjes se 69-vjeçari kishte ndërtuar një minihidrocentral për furnizimin e disa banesave me energji elektrike si dhe kishte mundësuar shërbimin e internetit për zonën.
Bajraktari, me profesion mekanik, ashtu siç bënte çdo vite, kishte udhëtuar drejt Tropojës për të kaluar disa ditë pushime.
Por, pas një grindjeje për shumën që duhet t’i paguante 54-vjeçarit Nikë Lulashi, ky i fundit e ka qëlluar me armë duke e lënë të vdekur.