MENU
klinika

"Zgjedhjet, të pashmangshme"

Veseli: Vendimi i Haradinaj, personal

21.07.2019 - 09:07

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të shtunën se zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili është thirrur në Hagë në Prokurorinë e Posaçme për Kosovën.

Në një paraqitje para gazetarëve ku nuk pranoi t’i bëheshin pyetje ai tha se “vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal” dhe i tillë është pranuar.

“Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që ato të caktohen. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato do të mbahen”, tha ai duke theksuar se do të ketë këshillime me partitë tjera në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Ai tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim të plotë se shteti, sovraniteti dhe integriteti vendit do të jenë të pacënuara.

“Dhe, Kosova qëndron fort afër me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Mbi çdo interes individual dhe partiak – qëndron Kosova! Si PDK, falënderojmë dhe sigurojmë qytetarët për përkrahjen dhe besimin e qëndrueshëm e të përbashkët në interes të vendit tonë dhe vlerave tona perëndimore. I sigurojmë ata se do t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për t’i dhënë vendit një Qeveri me mandat dhe legjitimet qytetar, sa më parë”, tha ai, duke nënvizuar se thirrjet për luftëtarët e UÇK-së nga Gjykata e Posaçme nuk duhet të lejohet të shkaktojnë huti dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës.

“Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, ashtu si edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë edhe në fund të kësaj sfide”, tha ai duke komentuar thirrjet që cuan edhe në dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.

Qëndrimi i zotit Veseli që është edhe kryetar i parlamentit të Kosovës, duket se u dha fund debateve rreth zgjedhjeve të reja të cilat janë kërkuar edhe nga kryeministri Haradinaj dhe partia e tij si dhe Nisma Socialdemokrate në pushtet, por edhe partitë opozitare.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë.