MENU
klinika

Detajet e marrëveshjes

Zyrtare: Mbrojtësi i Barcelonës bashkohet me Iniestan në Japoni

27.07.2019 - 11:21

Tashmë është zyrtare: Thomas Vermaelen do të luajë në Japoni për dy sezonet e ardhshme, te Vissel Kobe, ku bashkohet me Andres Iniesta.

Transferimi i tij ishte në ajër prej ditësh, por Vermaelen po bisedonte edhe me Al-Arabi në Katar. Megjithatë, mbrojtësi belg ka vendosur të zgjedhë Japoninë, edhe për faktin se niveli i futbollit aty është më i lartë.

33-vjeçari u transferua te Barcelona në vitin 2014, për 10 milionë euro, por asnjëherë nuk u bë lojtar i rëndësishëm te klubi blaugrana, edhe pse u shpall 4 herë kampion dhe gjithashtu fitoi Champions League në sezonin e tij të parë.

Vermaelen ishte i lirë në treg, sepse Barça vendosi të mos rinovonte me të këtë verë. Vissel Kobe ka një lidhje të ngushtë me Barcelonën, sepse sponsori i klubit blaugrana, Rakuten, zotëron klubin japonez.

Andrés Iniesta, Lukas Podolski dhe tani Thomas Vermaelen, te Kobe ëndërrojnë të kapin majat, edhe pse sezoni ka qenë zhgënjyes deri tani.