Beteja ligjore mes Atletico Madrid dhe Barcelonës për transferimin e Antuan Griezmann, jo vetëm që nuk është harruar, por është ngjitur në një tjetër nivel.
Në ditën kur sulmuesi francez bëri debutimin e tij në “Camp Nou” në sfidën kundër Arsenal, një e-mail ka trazuar atmosferën dhe ka vendosur në vështirësi klubin “blaugrana”.
Atletico Madrid ka në dorë një provë të fortë dhe mund të fitojë çështjen, që do të rëndojë rivalët me 80 milion euro dëmshpërblim. Për ta bërë më të qartë. Klubi madrilen akuzon kampionët e Spanjës se ka shkelur rregulloren e FIFA-s, e cila pengon nisjen e tratativave me një futbollist gjashtë muaj përpara përfundimit të kontratës.
Këtë pretendim e mbështet në një e-mail, që menaxheri i Griezmann i ka dërguar motrës dhe babait të sulmuesit. Ai shpjegon që në muajin mars se Barcelona kishte bërë të njëjtën ofertë si në verën e shkuar.
Kjo provon se klubi katalunjas kishte kontaktuar kohë më parë menaxherin e Griezmann për të diskutuar transferimin e finalizuar në fund të korrikut. Barcelona pagoi 120 milion euro, aq sa parashikonte edhe klauzola në kontratën e futbollistit me Atletico Madrid, por ky i fundit i është drejtuar gjykatës dhe kërkon edhe 80 milionë euro të tjera si dëmshpërblim.
Sipas mediave spanjolle prova e re e paraqitur nga madrilenët do t’i ndihmojë ata të arrijnë qëllimin, duke vendosur jo pak në vështirësi Barcelonën.