MENU
klinika

Të dish të duash!

“Shumë i padëshiruari”… Andre Breton

20.08.2019 - 13:03

     Njerëzit seriozë e shihnin shumë rastësor. Të shthururit, shumë të moralshëm. Shkrimtarët, tepër poet. Poetët, shumë të përkushtuar. Militantët, shumë të shpenguar…

 

Andre Bretonin e njohim nga vazhda e squfurit që lë pas vetes. Rrallëherë ka ndodhur që një poet të ketë pësuar kaq shumë sulme, nga njerëz kaq të pangjashëm. Surrealizmi i sapothemeluar, nxitoi ta varroste me ngut në një nga pamfletet letrare më të dhunshme. Që kjo “Kufomë” në fuqi të mos ngrinte më shumë pluhur: Buafard, fotografi tjetër i grupit, i vuri mbi kokë një kurorë me gjemba mjerisht kristiane. Atë, ateistin që nuk gjen fjalë më të ashpra kundër të gjunjëzuarve të të gjithë kapelave, e shohim teksa e fronëzojnë “Papë” të një kishe të re, e cila do të kishte ngatërruar edhe vetë Marksin me Rëmbonë, Furienë me Çaplinin, Frojdin me Helen Smithin./Konica.al

Papa Breton: etiketimi vijon ta ndjekë ende midis kritikëve të tij. Njerëzit seriozë e shihnin si shumë rastësor. Libertinët, shumë të moralshëm. Artistët, tepër dogmatik. Filozofët, tepër teorik. Shkrimtarët, shumë poet. Poetët, shumë të përkushtuar. Aktivistët, shumë të shpenguar. Intelektualët e krahut të djathtë, shumë të majtë. Intelektualët e krahut të majtë, shumë të djathtë, për më tepër komunistët e gjykonin tejet liberal për ta përfshirë në radhët drejtuese, stalinistët shumë trockist, trockistët shumë anarkist. Po ashtu, kur disa feministe vigjilente e konsideronin antifeminist, të tjerat talleshin me ndjeshmërinë e tij ose e trajtonin “pederast”. Tek ai gjejmë mospërputhjen e mbrojtjes së Sades dhe dashurinë për të deri në çmenduri.

 

 

 

 

 

Gjithçka sepse “shumë i padëshirueshmi” ishte i papërkulur, autoritar, i shqetësuar, kishte një autoritet natyror dhe ushtroi një ndikim të rëndësishëm në ambientin që e rrethonte, siç theksojnë shumë nga dëshmitë e bashkëkohësve të tij. Lindur në vitin 1896, me origjinë bretone, afërsitë e para letrare i ka me Alfred Xherro, krijimtarinë e të cilit do ta rehabilitojë pas Luftës së Dytë Botërore; Lautreamontin, por edhe me Pol Valerinë.

Andre Breton u mobilizua në Luftën e Parë Botërore, e cila shënon edhe pikënisjen e krijimtarisë artistike, pasi gjatë kësaj periudhe pati edhe takime vendimtare, si me Zhak Vashe, i cili ishte edhe një nga miqtë e tij të ngushtë, që vdiq menjëherë pas armëpushimit. Me ktyhimin në Paris, pasi ishte tërhequr pranë Verdunit në 1916, Breton vijoi ta zgjeronte familjen e tij artistike dhe letrare. U lidh me Pierre Reverdy (dhe boton në Nord-Sud, revistën e këtij të fundit), takohet me Philippe Soupault dhe Aragonin, i cili më vonë do të jetë pjesë e grupit të surrealistëve në krah të tij. Do të ishte Apolineri, vdekja e të cilit do linte gjurmë të pashlyera tek ai, që do t’i zbulonte lëvizjen “Dada” dhe do ta vendoste në kontakt me Tristan Tzaran.

Para se të botonte “Manifestin e Parë”, Breton botoi me Soupault “Fushat manjetike”, si dhe dy koleksione poetike: “Drita e hënës” dhe “Peshq të tretshëm”. Vlerat që mbarti nga lëvizja kishin të bënin me magjiken, imagjinaren, ëndërrimin, të pavetëdijshmen.

Pritja nuk është vetëm përtej parimit të realitetit, por është edhe përtej parimit të kënaqësisë: “pavarësisht nga ajo që ndodh, nuk ndodh, por është pritja që është e bukur”.

Pritja është një nga gjendjet më emblematike të njeriut modern. Ajo nuk mund të kufizohet thjesht në njohjen e një devijimi midis një projekti dhe realizimit të tij, ajo lidhet më shumë me përmbushjen dhe mospërmbushjen e dëshirës. Pritja është ai pezull që nganjëherë shijohet në “jo menjëherë” dhe ajo është në surrealizëm gjithmonë “duke pritur pritjen”.

 

 

 

 

Jeta e Bretonit është praktikisht identike me atë të lëvizjes, në të cilën ai është pa dyshim përfaqësuesi kryesor letrar: Surrealizmi. Në esetë, sikurse dhe në prozën e tij letrare, Andre Breton mbetet mbi të gjitha një poet. Mirëpo, poezia e prozës së tij është shumë e ndryshme nga ajo e poezive të tij; nëse këto të fundit karakterizohen nga një varg imazhesh – si gjithë poezia surrealiste – proza e Bretonit është edhe baroke, edhe klasike. Fjali të gjata të mbingarkuara me metafora, shpeshherë të tërthorta dhe të pasosura, me ngjyrime dhe të mirëqëmtuara, veshin mendimin.

Në një shekull të çaprashitur, sulmuar nga totalitarizmi kundërshtar, Bretobni qe në gjendje të zgjonte për njëfarë kohe flakën përjetësisht të re të Romantizmit. Edhe pse vijojmë të kemi dyshime, me të vërtetë të vagullta, lidhur me teoritë e tij për magjinë, okultizmin, automatizmat e pavetëdijshëm. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se ai qe në gjendje të krijonte një “fushë magnetike” që ndryshoi në mënyrë të qëndrueshme fatin e poezisë, por edhe të pikturës. Bota nuk është ashtu siç ishte para Surealizmit, edhe nëse ajo ka kaluar në Histori. Kush më mirë se këto vargje të poetit, më mirë se çdo koment, shprehin pasionin dhe shpresën e tij:

Përqafimi poetik si përqafimi i mishit

për aq sa zgjat

mbron çdo shpëtim nga mjerimi i botës.

Të jesh njeri, në të gjithë pastërtinë e mundshme, jo të qenit i mekanizuar nga paragjykimet shoqërore dhe zakonet profesionale, ishte kërkesa supreme që Breton u përcillte të afërmve. Pranë tij, mësonim mirësjelljen e poetëve, artikulli thelbësor i të cilit ishte të dish-të duash. Nuk ishte e nevojshme t’i shpjegonte gjërat për t’i bërë të kuptueshme. Mjaftonte që ai të tregonte se si i urrente ose i adhuronte ato. Një shkrimtar me sjellje dinjitoze, i cili nuk mendonte për çmime, dekorime apo akademi./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ezra Paund-parajsa e thyer

A kishte qenë poeti i çmendur?


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit