MENU
klinika

Përfundon ristrukturimi

Legalizimet/ Kadastra nis me dosjet e 2005-2006

26.08.2019 - 17:44

Pas bashkimit të Hipotekës me Aluiznin, Kadastra e saporistrukturuar pritet të nisë në shtator punën me dosjet e vitit 2005-2006.

Nëndrejtoresha e këtij institucioni deklaroi se muaji gusht ka pasur fluks pune sidomos për procedurat e emigrantëve.

Përfundon ristrukturimi i hipotekës dhe Aluiznit ndërsa detyra e parë e këtij institucioni në shtator do të jetë shqyrtimi i dosjeve të legalizimeve të viteve 2005-2006.

Nëndrejtorja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Risena Xhaja thekson e trajtimet e dosjeve do të ndryshojnë edhe në varësi të zonave.

“Fokusi i punës së institucionit do të jenë aplikimet për legalizimet të bëra në vitet 2005 – 2006.

Kjo nuk do të thotë që edhe për vitet e tjera nuk do të trajtohen sepse në zona të ndryshme aplikimet mund të kenë vite të ndryshme dhe trajtimi do të bëhet njëkohësisht për tu fokusuar në këto prona.”

Gjatë muajit gusht Agjencia e Kadastrës Shtetërore i ka dhënë përparësi trajtimit të problematikave të emigrantëve.

“Faza e ristrukturimit të institucionit tashmë është përfunduar. Punonjësit janë sistemuar në pozicione të punës si të personelit të hipotekës ashtu edhe të Aluiznit. Gushti është periudha intensive përsa i përket kërkesave që bëjnë emigrantët që kthehen për pushime në Shqipëri.”

Vetëm gjatë muajit gusht në sportelet e këtij institucioni qytetarët kanë marrë rreth 5400 shërbime ndërsa janë ulur ndjeshëm ankesat e qytetarëve në lidhje me procedurat.