MENU
klinika

"Në karrigen e tij do ulet një socialist i 30 Qershor-it"

Basha heq dorë nga rezistenca, por çfarë lajmëroi për zgjedhjet e ardhshme?

10.08.2019 - 18:55

Kryetari i PD-së Lulzim Basha pas rënies së bastioneve të PD-së në Kavajë, Kamzës dhe disa bashki të tjerë duket se ka hequr dorë nga rezistenca dhe deklaratat se nuk do i lirojnë zyrat duke u vetëdijësuar për verdiktin e 30 Qershorit, edhe pse zgjedhjet i cilëson ilegjitime duke mos i njohur.

Gjatë një takimi në Mallakastër ku i pranishëm ishte edhe kryetari në detyrë Agron Kapllanaj, Basha ishte i ndërgjegjshëm për faktin se pas pak ditësh në karrigen e tij do të ulet një socialist i dalë nga 30 Qershori. Basha tha se Agron Kapllanaj tashmë do të jetë kandidat për kryebashkiak në zgjedhjet e ardhshme.

“Agron Kapllanaj do të jetë kandidat për Kryetar Bashkie në zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor dhe pa asnjë dyshim, edhe Kryetar i ardhshëm i Bashkisë Mallakastër. Pseudokandidatura e Rilindjes që u refuzua bindshëm edhe nga vetë socialistët nuk mund të jetë kurrë kryetar i bashkisë Mallakastër.

Koha për të vendosur me votë kryetarin e vërtetë të bashkisë, sipas Kushtetutës shqiptare, sipas Kodit Zgjedhor nuk do të vonojë. Beteja jonë ka nisur me një qëllim, t’u rikthejë shqiptarëve të drejtën e dhunuar të votës së lirë. Kjo betejë ka për të përfunduar me një rezultat, largimin e Edi Ramës, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë” tha Basha.

Gjatë takimit në Mallakastër Basha përsëriti edhe njëherë paralajmërimin për dhunë në protestat e ardhshme.

“Popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, në Mallakastër, në Fier, në Durrës, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha në Tiranë, atje ku paligjshmëria ka hedhur rrënjët, atje ku hajdutëria dhe kriminaliteti janë ngritur në fron.

Atje, popullit sovran, nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike, zgjidhjes që çdo vend tjetër i rajonit e ka patur në kushte akoma më të lehta sesa kriza e sotme shqiptare, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, atëhere popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë”, u shpreh Basha.

Në fund të fjalës së tij ai kishte edhe një paralajmërim kur PD-ja të vijë në pushtet.

“Një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore. Asnjëri prej tyre nuk do të harrohet, që nga ky i Mallakastrës, deri tek Edi Rama”, përfundoi Basha.