MENU

Pas vetëm dy muajsh!

Bomba nga Madridi: Reali largon blerjen e verës!

14.08.2019 - 20:05

Blerja e kësaj vere e Real Madridit, Luka Jovic, po lidhet me një largim (huazim) tronditës nga “Bernabeu”.

Kështu bëjnë me dije dy gazetat kryesore në vendlindjen e tij, pak më shumë se dy muaj pasi ish-goleadori i Eintracht Frankfurt nënshkroi për 60 milionë euro me galaktikët.

Jovic u evidentua si një nga talentët më premtues sulmues në Europë, sezonin e kaluar, pasi shënoi 25 gola për Frankfurtin dhe e ndihmoi klubin gjerman të arrijë në gjysmëfinalen e “Europa League”.

Me fillimin e sezonit të ri të La Liga-s, brenda disa ditësh, Jovic mund të mos luajë në ndeshjet zyrtare.

Problemet e mundshme tashmë kanë shpërthyer, pasi “Marca” pretendon se serbi 21-vjeçar nuk ka arritur ta bindë trajnerin Zinedine Zidane. Ky version i ngjarjeve sugjeron se sulmuesi mund të dërgohet diku tjetër në formë huazimi.

Sidoqoftë, vetë “Marca” ka një vështrim disi dyshues për lajmet e mediave serbe, duke nënvizuar se Jovic nuk ka ndërmend të largohet kaq shpejt, ai është i bindur se do të fillojë të shënojë gola dhe t’i hyjë në zemër trajnerit Zidane. Një pjesë e zhgënjimit parasezonal ka qenë një dëmtim i hershëm i tij.

Thashethemet e merkatos së verës flasin për një interesim të Romës, e cila mund të përfitojë nga situata dhe ta huazojë blerjen e bujshme të “Los Blancos”. Kuptohet, nëse shet Edin Dzeko tek Interi, apo diku tjetër.

Pra, para se të debutojë në La Liga, ka gjasa që Jovic ta bëjë këtë në Serie A. Vërtet e paimagjinueshme!