MENU
klinika

Hoxhë Hasan Tahsini

“Dashnor i dijes e shkencës, i së drejtës e së vërtetës”

15.08.2019 - 14:24

        Hoxhë Hasan Tahsini, një nga personalitetet e shquara të botës shqiptare, i arsimuar dhe i mirëformuar, ndihmoi jo vetëm në përhapjen e diturisë, por edhe në mbrojtjen e atdheut dhe çështjes kombëtare. Emri i tij nuk ka qenë asnjëherë i harruar, përmendej thjesht si njeri i njohur nga bashkëkohësit e shekullit XIX, si dhe është fitues i titujve të ndryshëm. Hoxhë Hasan Tahsini ka dy jetë: jetën e thjeshtë gati asketike, si njeri mes lindjes dhe vdekjes së tij fizike, dhe jetën e librave dhe veprës së tij intelektuale, që nuk i përfill, nuk kufizohet nga kufijtë kohorë. E para është përkohshmëria njerëzore, e dyta pavdekësia e tij. Hoxha Tahsini ishte dijetar i përmbajtjes: i pjekur, i bindur se dija dhe shkenca janë në substancë universale. Ai është vlerësuesi maksimal i shkencave ekzakte si matematika, fizika dhe kimia. Janë shkencat ekzakte dashuria dhe atributi i tij i përkorë./Konica.al

 

 

 

 

Hoxhë Hasan Tahsini (Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 7 prill të vitit 1811 (ekzistojnë edhe versione për lindjen një ose dy vjet më vonë). Shkollën e mesme e mbaroi në Medresenë e Shkodrës, ndërsa të lartën në universitetin e Fatihut në Turqi. Hasan Tahsini është ndër personalitetet më të rëndësishme shkencore e kulturore e botës shqiptare në shekullin XIX, duke i bërë një shërbim të çmuar atdheut, zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, mësimit të gjuhës shqipe, si dhe përhapjes së diturisë në masat e popullit.

“Hasan Tahsini ishte nga njerëzit më të mëdhenj që shumë rrallë e me vështirësi i lindin shekujt dhe epokat”, – thotë Sami Frashëri. U bë rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Hasan Tahsini jo vetëm që nuk e harroi asnjëherë se ishte shqiptar, përkundrazi gjithnjë printe në çështjen shqiptare kombëtare. Ishte ndër të parët që hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Ishte ndër të parët nismëtarë për themelimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit dhe ishte nga të parët në themelimin e Lidhjes së Prizrenit.

Hasan Tahsini, përveçse atdhetar ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar e letrar. Sipas burimeve turke, Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe në ato letrare, filologjike, filozofike, teologjike. Ka shkruar e botuar më shumë se 20 libra shkencorë për astronomi, psikologji, pedagogji, etj. Fillimisht studimet e tij i botoi në revistën shkencore: “Mexhmua-l-Ulum”, themelues i së cilës ishte ai vetë. Duke vlerësuar veprimtarinë e tij krijuese dhe patriotike shteti shqiptar i ka dhënë titullin “Mësues i Popullit” (1961) dhe Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl. II (1962) dhe “Naim Frashëri”, kl. I (1995).

Të shumtë janë personalitetet e mëdha të historisë, që duket sikur i mbulon pluhuri i harresës. Mirëpo, vjen një ditë dhe rëndësia e figurës së tyre buthton papandehur. I tillë është edhe Hoxha Tahsini, i cili punoi dhe shkroi në epokën kur iluminizmi dhe romantizmi evropian perëndimor krijuan horizonte të reja të perceptimit botëror edhe për emancipimin e popujve të suazës perandorake osmane dhe të Lindjes së Largët. Përmes leximit të veprave të Hoxha Tahsinit, mund të dallosh sa modern dhe i thellë është ai, madje edhe sot, me analizat e tij paraprijëse.

 

 

 

 

Astronomia dhe Kozmogonia, që Hoxha Tahsini i njihte mirë, i zmadhojnë përmasat e mendimit të tij. Interesante janë vëzhgimet dhe mendimet për shkencat linguistike të Antikitetit, të Mesjetës dhe të kohërave moderne. Hoxha Tahsini flet për zanafillat e shkrimit dhe i kushton rëndësi të madhe hartimit të alfabetit dhe shkrimeve fonetike. Krahas Hoxha Tahsinit dhe Sami Frashërit, duhen përmendur edhe Faik Konica e më pas edhe Fan Noli. Të habit fakti që Tahsini i kushton rëndësi parësore botës psikike, botës së mendjes, vullnetit dhe imagjinatës. Të shumta janë edhe shkrimet për shkencat juridike, politikologjinë, të drejtat dhe liritë njerëzore.

Tahsini qe “dashnor i dijes dhe shkencës, i së drejtës dhe së vërtetës”. Samiu thekson: “Çallmën e mbante të shpartalluar, flokët të paprerë për një kohë të gjatë dhe ky njeri në dhomën e tij mbante të varur në mur një thënie në frëngjisht, brenda një kornize: “Për çdo send një vend dhe çdo send në vendin e vet.” Jo se nuk i pëlqente rregulli, por ai ishte në sektin e qenieve më të ditura, në botën e mendimtarëve.

Hoxha Tahsini, në lëmin e fizikës, astronomisë, matematikës, kimisë e kozmogonisë, qe aq i ditur e i regjur saqë kur fliste për çdo çështje që u përkiste këtyre lëmenjve, asnjëherë nuk kishte nevojë të hapte librin. Ishte shumë i aftë për të thënë në mënyrë të përsosur ato që dinte; çdo gjë që fliste e lidhte me praktikën”, – shprehet Dervish Hima.

 

 

 

 

Hoxha Tahsini, nëpërmjet shkrimeve shkencore, synon të tregojë se vlera individuale e çdo trupi në natyrë dhe rëndësia e tij ndaj trupave të tjerë, përcaktohet në bazë të gjerësisë hapësinore, të cilën ai e përfshin në botën e pafundme. Për rrjedhojë, përfshirja e katër anëve të tokës nga uji dhe ajri, pozicioni i oqeaneve në rruzullin tokësor tregon qartë peshën dhe rëndësinë e këtyre dy substancave të tejdukshme ndaj të tjerave.

Hoxha Tahsini është i pari studiues shqiptar që është marrë me hulumtime të mirëfillta edhe në rrafshin e psikologjisë. Një nga veprat e tij të shumta shkencore është “Psikologjia”, botuar në Stamboll në gjuhën osmane, më 1894, 13 vjet pas vdekjes së tij, nga dijetari turk me origjinë shqiptare Nadiri Fevzi. Krahas objektit të psikologjisë, Tahsini trajton edhe lidhjen e saj me shkencat e tjera, veçanërisht me logjikën dhe me filozofinë. Ai e konsideron psikologjinë si “bazë të logjikës” dhe, si rezultat, të përftuar nga hulumtimet në fushën e filozofisë, sikundër thekson se psikologjia dhe filozofia nuk janë një.

Disa vite pas largimit nga detyra e Rektorit të parë të Universitetit të Stambollit, kishte botuar revistën shkencore “Mexhmua-l-Ulum”, në shqip: “Revista shkencore” ose “Përmbledhja e shkencave”. Temat e përzgjedhura nga Hoxha Tahsini janë të larmishme, në qendër të të cilave qëndron shkenca, nisur nga vetë emri i revistës, por nuk mungon ndërthurja e temave fetare.

 

 

 

 

Hoxha Tahsini ishte njohës shumë i mirë i shkencave ekzakte, njohës i filozofisë, i universit hapësirë dhe kohë, i universit njeri dhe botë. Vizioni për të nesërmen e njerëzimit mbetet i hapur, përsosmëri e paarritshme, mirëpo ajo që të mrekullon është pasioni, eleganca dhe mjeshtëria përmes të cilave ai sjell dhe provon të mbjellë farën e dijes, të shkencës më të përparuar të kohës.

Hoxhë Hasan Tahsini ishte njeri me cilësi dhe virtyte të larta, që janë përcjellë deri tek ne në ditët e sotme. Duke i dhënë rëndësi të madhe studimit dhe shpjegimit të temave të ndryshme shkencore, Hoxha Tahsini synon që nëpërmjet shkrimeve të tij të frymëzoheshin edhe mendimtarë e dijetarë të tjerë, të zgjoheshin nga gjumi i thellë ku kishin rënë.

Dija gjithashtu ka një rol të rëndësishëm te çdo individ. Ai na mëson se njeriu nëpërmjet arsimimit arrin majat, ndryshe nga i padituri që është shumë i ulët. Hoxhë Tahsini, duke e vlerësuar shkencën si shumë të dobishme, na shtyn të hulumtojmë rreth temave shkencore, të cilat na mësojnë se nga kemi ardhur e ku do të shkojmë. Padyshim Hoxhë Hasan Tahsini është një shembull mjaft i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë, pa dallim moshe, sepse populli shqiptar ka shumë nevojë për njerëz të tillë me vlera dhe virtyte, siç ishte atdhetari i nderuar./Konica.al