MENU
klinika

Në Horë t’Arbëreshvet

Eqerem Çabej fotografi e vitit 1931

26.08.2019 - 15:48

     Kjo fotografi e rinisë së tij, që i përket vitit 1931 ose 1932, është realizuar kur Eqrem Çabej ishte në Horë t’Arbëreshvet – Piana degli Albanesi, në afërsi të Palermos, Siçili (që asokohe, quhej ende ‘Piana dei Greci’).

Sapo kishte kryer studimet në Universitetin e Vjenës dhe kishte shkuar të studionte nga afër arbërishten, të folmen e shqiptarëve të Horës ose të binte në gjurmët e lashta të gjuhës shqipe, çështjes që Çabeji i kushtoi jetën e tij dhe veprën. Ishte koha kur i sapodiplomuar, Çabej po shkruante tezën e doktoratës “Italoalbanische Studien” (Studime italoshqiptare ose arbëreshe).

Ende e pabotuar, kjo vepër e rinisë së tij do ta shohë dritën e botimit, në përkthimin e Ardian Klosit, rreth dhjetë vjet më parë.

 

 

 

 

Gjuhëtari Eqrem Çabej, lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në vitin 1921 mbaroi shkollën fillore, më pas ai fitoi të drejtën e një burse, akorduar nga prefektura e atëhershme të Gjirokastrës, për të vazhduar studimet e mesme dhe të larta jashtë shtetit. Kështu ai nisi, si edhe të rinj të tjerë shqiptarë, rrugën e mërgimit në kërkim të diturisë.

Studimet e larta i mbaroi për filologji në Klagenfurt (1923-1926), Grac (1927) dhe Vjenë të Austrisë (1930-), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl.

Pas mbarimit me sukses të studimeve universitare, 25-vjeçar Eqrem Çabej do të kthehej përfundimisht në Shqipëri, me diplomën e Universitetit të Vjenës në xhep dhe me dëshirën e zjarrtë për t´i vënë dituritë dhe energjitë e tij në shërbim të atdheut.

 

 

 

 

Nga plaga e rëndë e analfabetizmit vuanin mbi 80 për qind e popullsisë, edhe në ato pak shkolla të mesme që mbaheshin në këmbë, niveli i përgatitjes së nxënësve ishte i dobët, me gjithë përpjekjet e mëdha të disa arsimtarëve atdhetarë si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Ahmet Gashi, Vasil Vunjau, Kolë Paparistoja, Sotir Papahristoja, Sotir Kuneshka, Minella Karajani, Hysni Babametoja, Gjergj Cancoja etj.

Tekstet mësimore ishin shumë të pakta dhe numri i nxënësve nëpër ato shkolla ishte shumë i vogël në krahasim me nevojat të një vendi të prapambetur, siç ishte Shqipëria e asaj kohe.

Në prodhimtarinë e tij të pasur në kontributin për mbarë kulturën shqiptare, bie lehtë në sy një interesim i madh jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin e letërsinë artistike, me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë, çfarë duket qartë edhe nga titujt e botimeve të tij të kësaj periudhe, kur krahas studimeve thjesht gjuhësore ka botuar edhe studime nga fusha e folklorit dhe e letërsisë ose edhe studime me karakter të përzier gjuhësor e letrar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Meshari” mesazh shqip

Gjon Buzuku shkroi gegërisht